"Bibla Sot" është dizajnuar për të udhëhequr përmes gjithë Shkrimeve të Biblës në një vit të plotë. Ky plan i
strukturuar ofron lexime të përditshme që do të të ndihmojnë të krijosh një zakon të qëndrueshëm, të thellosh
kuptimin tënd ndaj Zotit, dhe të rritesh shpirtërisht.
Luka, kapitulli 16:
Shëmbëlltyra e shërbëtorit të pandershëm
1 U thoshte edhe nxënësve të vet: Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë.
2 E thirri dhe i tha: 'Ç'po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t'i s'mund të jesh më mbarështues.'
3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: 'Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih... ? Nuk mundem! Të dal e të lyp... ? Më vjen turp!
4 E di ç'do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.'
5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: 'Sa i detyrohesh zotërisë tim?'
6 Ai iu përgjigj: 'Një qind masë vaj.' Mbarështuesi i tha: 'Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!'
7 Pastaj e pyeti të dytin: 'Po ti sa detyrohesh?' Ai i tha: 'Një qind kora grurë.' I tha mbarështuesi: 'Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!'
8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës.
9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t'ju mungojë, t'ju pranojnë në banesat e amshuara.
10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha.
11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t'jua besojë pasurinë e vërtetë?
12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t'jua japë tuajën?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t'i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.Ligji dhe Mbretëria e Hyjit(Mt 11, 12-13)
14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s'i ngin gjë me para dhe e përqeshnin.
15 Jezusi u tha: Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.
16 Ligji e profetët arrinë deri në kohën e Gjonit. Që atëherë shpallet Mbretëria e Hyjit dhe gjithkush nxiton me forcë të hyjë brenda.
17 Më lehtë është të mbarojnë qielli e toka se të bjerë poshtë edhe një vizë nga Ligji.
18 Secili që lëshon gruan e vet e merr një tjetër, shkel kurorën. Po ashtu edhe ai që martohet me gruan e shkurorëzuar, bën kurorëthyerje.Njeriu i pasur dhe Lazri skamnor
19 Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë.
20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër
21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.
22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij
24 e bërtiti: 'O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.'
25 Abrahami iu përgjigj: 'Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.
26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s'mundet askush!'
27 Pasaniku vazhdoi: 'Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti,
28 se i kam pesë vëllezër e le t'i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.'
29 Abrahami iu përgjigj: 'Kanë Moisiun e profetët, le t'i dëgjojnë ata!'
30 Pasaniku i tha: 'Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!'
31 Iu përgjigj: 'Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t'u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. '
Luka, kapitulli 17:
Jezusi bën disa qortime
1 Jezusi u tha nxënësve të vet:Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë.
2 Më mirë do të ishte për të t'i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve.
3 Ruajuni fort! Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale!
4 Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë:'Më vjen keq'!, fale!
5 Apostujt i drejtuan Zotërisë këtë lutje:Na e shto fenë!
6 Zotëria u tha:Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t'i thoshit këtij mani: 'Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!' e ai do t'ju dëgjonte.
7 Cili prej jush do t'i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan delet, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: 'Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!'
8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t'i thotë: 'Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?'
9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua?
10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: 'Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. 'Shërimi i dhjetë të gërbulurve
11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile.
12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg
13 e filluan të bërtasin: Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!
14 Kur i pa u tha:Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë.
16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas.
17 Jezusi mori fjalën e tha:Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët?
18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t'i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?
19 Çohu e shko; i tha; feja jote të shpëtoi!Ardhja e Mbretërisë së Hyjit(Mt 24, 23-28; 37-41)
20 I pyetur prej farisenjve: Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit? ai iu përgjigj:Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme,
21 as nuk do të mund të thuhet: 'Qe këtu!' Ose 'Qe atje! 'Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!
22 Atëherë u tha nxënësve të vet:Do të vijë koha, kur do të dëshironi të shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
23 Do t'ju thonë: 'Qe, këtu është! Ja, atje!' Mos shkoni as mos i ndiqni!
24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij].
25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.
26 Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut:
27 njerëzit hanin, pinin, merin gra e merin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë.
28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin,
29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhduku të gjithë.
30 Ashtu do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.
31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e gjërat t'i ketë në shtëpi, të mos zbresë t'i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa.
32 Le t'ju kujtohet gruaja e Lotit!
33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.
34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet.
35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet.
36 Atëherë e pyetën:Ku, o Zotëri?Ku të jetë kufoma; iu përgjigj; aty do të mblidhen edhe shqiponjat.
Luka, kapitulli 18:
Shëmbëlltyra e gruas së vejë dhe e gjykatësit
1 U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.
2 Ai tha:Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kokën.
3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: 'Më mbro prej kundërshtarit tim!'
4 Por ai s'u shqetësua për një kohë të gjatë. Dikur tha me vete: 'Edhe pse s'e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë,
5 pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore. '
6 Zotëria vazhdoi:Dëgjoni ç'thotë gjykatësi i padrejtë!
7 Vallë, Hyji a nuk do t'i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre?
8 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t'u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?Shëmbëlltyra e fariseut dhe e tagrambledhësit
9 U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:
10 Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t'u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës.
11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: 'Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose; si ky tagrambledhës.
12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.'
13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t'i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: 'O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!'
14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.Jezusi bekon fëmijët(Mt 19, 13-15; Mk 10, 13-16)
15 Disa ia binin edhe foshnjat që t'i bekonte. Nxënësit, kur i shihnin, ua ndalonin.
16 Jezusi i grishi fëmijët dhe tha:Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos ua ndaloni, sepse për të tillët është Mbretëria e Hyjit.
17 Pëjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija, nuk do të hyjë në të.Bujari pasanik(Mt 19, 16-30; Mk 10, 17-31)
18 Një bujar i bëri këtë pyetje:Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?
19 Jezusi iu përgjigj:Përse më thua 'i mirë?' Askush s'është i mirë, përveç një Hyji të vetëm!
20 Urdhërimet i di:'Mos the kurorën!Mos vra!Mos vidh!Mos dëshmo rrejshëm!Ndero babain tënd dhe nënën!'
21 Ai atëherë i tha:Të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë!
22 Kur e dëgjoi, Jezusi i tha:Të mungon vetëm edhe një gjë: shit gjithçka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh visar në qiell! Atëherë eja e më ndiq!
23 Ky, si e dëgjoi këtë fjalë, u trishtua, sepse ishte shumë i pasur.
24 Jezusi, kur e pa [se u trishtua], tha:Sa të vështirë e kanë pasanikët të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit!
25 Më lehtë e ka devja të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit!
26 Ata që dëgjuan, i thanë:Po kush atëherë do të mund të shëlbohet?
27 Çka s'mund të bëjnë njerëzit; u tha; Hyji mund ta bëjë.
28 Atëherë foli Pjetri:Ja, ne lamë gjithçka patëm e erdhëm pas teje.
29 Jezusi u tha nxënësve:Për të vërtetë po ju them: nuk mund të gjendet kund ai njeri që la për dashuri ndaj Mbretërisë së Hyjit, shtëpinë ose gruan, ose vëllezërit ose prindërit ose fëmijët
30 që të mos marrë shumëfish edhe në këtë e në botën e ardhshme jetën e pasosur.Jezusi të tretën herë paralajmëron vdekjen e të ngjallurit e vet(Mt 20, 17-19; Mk 10, 32-34)
31 Pastaj i mori me vete të Dymbëdhjetët dhe u tha:Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe do të plotësohen të gjitha që u shkruan nga profetët për Birin e njeriut:
32 sepse do t'u dorëzohet paganëve, të cilët do ta vënë në lojë, do ta salvojnë e do ta pështyjnë,
33 e, pasi ta frushkullojnë, do ta vrasin. Ai veç do të ngjallet të tretën ditë.
34 Por ata s'morën vesh asgjë çka u tha. Këto fjalë për ta ishin fshehtësi e nuk kuptonin çka Jezusi u thoshte.Shërimi i të verbërit prej Jerihos(Mt 20, 29-34; Mk 10, 46-52)
35 Kur Jezusi po i afrohej Jerihos, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte.
36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç'është.
37 Ata i thanë:Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.
38 Ai zuri të bërtasë:Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!
39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe:Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!
40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t'ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti:
41 Çka dëshiron të bëj për ty?Ai u përgjigj:Zotëri, që të shoh
42 Shih!; i tha Jezusi; Të shpëtoi feja jote!
43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.