Beselidhja e VjeterZanafilla: Rrënimi i Sodomës
- 1 Në mbrëmje arritën dy engjëjt në Sodomë. Atëherë Loti po rrinte te dera e Sodomës. Ky, kur i pa, u ngrit dhe u doli para, i përshëndeti duke u përkulur deri në tokë
- 2 dhe tha: Urdhëroni, ju lutem, zotërinjtë e mi, dhe ejani në shtëpinë e shërbëtorit tuaj e kaloni natën. Lani këmbët tuaja e në mëngjes vazhdojeni udhën tuaj. Ata i thanë: Assesi! Natën do ta kalojmë në treg.
- 3 Por, ai aq nguli këmbë saqë i shtrëngoi të hyjnë në shtëpi. Pasi hynë në shtëpinë e tij, u përgatiti një gosti, u poq bukë të pabrumë dhe hëngrën.
- 4 Para se të shkonin të flejnë, njerëzit e qytetit, sodomasit, i ri e i vjetër;mbarë populli, të gjithë së bashku e rrethuan shtëpinë.
- 5 E thirrën Lotin dhe i thanë: Ku janë ata burra që hynë natën te ti? Na i qit jashtë që ta shfryjmë dëshirimin me ta.
- 6 Loti doli te ta dhe, pas shpine, e mbylli derën. U tha:
- 7 Mosni, vëllezërit e mi, mos e bëni këtë të keqe.
- 8 Ja, i kam dy vajza, të cilat s`i ka prekur ende dora e mashkullit, ato po jua qes dhe bëni me to ç`të doni, vetëm që të mos u bëni gjë këtyre burrave, sepse hynë në hijen e pullazit tim.
- 9 Por, ata i thanë: Hiqu asaj! Dhe vazhduan: Shih, ky i huaj, i ardhur dhe do të jetë gjykatës! Do ta bëjmë më zi, pra, ty se sa atyre! Ta shtynë Lotin me hov dhe u afruan ta thyejnë derën.
- 10 Por, ata dy njerëz e shtrinë dorën, e futën Lotin brenda dhe e ndrynë derën.
- 11 Ata që ishin përjashta i vërbuan prej më të voglit e deri te më i madhi, kështu që të mos mund e gjenin derën.
- 12 Njerëzit i thanë Lotit: A ke më ndokënd tëndin këtu? Dhëndër? Bij e bija, të gjithë të tutë, që janë në qytet, nxirri jashtë këtij vendi.
- 13 Do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse është i madh ankimi kundër tyre para Zotit, i cili na dërgoi ta shfarosim.
- 14 Loti doli për të folur me dhëndurët e vet, të cilët do t`i merin bijat e tija dhe tha: Çohuni, e dilni prej këtij vendi, sepse Zoti do ta shkatërrojë këtë qytet. Por atyre iu duk se po bënte mahi.
- 15 Në të zbardhur të dritës, engjëjt e nxitnin Lotin dhe i thonin: Çohu, merre gruan tënde dhe dy bijat e tua që i ke këtu që të mos mbarosh për shkak të kobësisë së qytetit.
- 16 Pasi ai po ngarritej, dy burrat e kapën për dore atë, gruan e tij dhe dy bijat e tija, sepse Zoti kishte mëshirë për të,
- 17 e nxorën jashtë dhe e qitën prej qytetit. Aty i tha njëri: Ik, shpëto jetën! Mos u kthe të shikosh prapa dhe mos u ndal askund në këtë fushë, por shpëtoje veten në mal se mbarove!
- 18 Loti u tha: Mos e thëntë Zoti!
- 19 Shërbëtori yt gjeti hir para teje dhe pate dhimbje të madhe ndaj meje duke ma shpëtuar jetën. Por, unë nuk mund të shpëtoj në mal pa më kapur e keqja dhe do të vdes.
- 20 Ja, këtu afër është qyteti. Qytet i vogël në të cilin mund të iki, të strehohem. A nuk është kjo gjë e vogël që po e kërkoj për të shpëtuar jetën?
- 21 I tha: Ja, edhe për këtë gjë po ta pranoj lutjen: nuk do ta shpartalloj qytetin për të cilin fole.
- 22 Shpejto e shpëto në këtë qytet, sepse nuk do të mund të bëj asgjë, derisa të mos hysh atje.Për këtë arsye ai qytet u quajt Segor.
- 23 Dielli lindte mbi tokë e Loti hyri në Segor.
- 24 Atëherë Zoti lëshoi mbi Sodomën e Gomorrën, në formë të shiut, sulfur e zjarr. Ata binin prej Zotit, prej qiellit.
- 25 I shfarosi ato qytete dhe tërë krahinën përreth, të gjithë banorët e qyteteve dhe tërë bimësinë mbi tokë.
- 26 E shoqja e Lotit shikoi prapa dhe u bë trupore kripe.
- 27 Abrahami u çua heret në mëngjes dhe erdhi në atë vend ku ishte ndalur më parë para Zotit.
- 28 Ia lëshoi sytë së largëti Sodomës dhe Gomorrës edhe mbarë krahinës. I pa shkëndijat që ngriteshin nga toka thua se ishin tym furre.
- 29 Mirëpo, kur Hyji i shkretoi qytetet e asaj krahine, i ra ndër mend Abrahami dhe kështu e skajoi Lotin para se të shkretonte qytetet, në të cilat banonte.Prejardhja e moabitëve dhe e amonitëve
- 30 Loti u çua nga Segori dhe zuri vend në mal. Me të shkuan edhe dy bijat e tija. Kishte frikë të rrinte në Segor. Për banim zgjodhi një shpellë. Me të banonin edhe dy bijat e tija.
- 31 Vajza e madhe i tha të voglës: Baba ynë është i moçëm e këndej, në vend, nuk ka mbetur asnjë mashkull që të mund të flejë me ne, siç është doke në mbarë botën.
- 32 Eja ta dehim babanë tonë me verë e të flejmë me të që të mund ta ruajmë farën tonë.
- 33 Prandaj, atë natë i dhanë të pijë të atit verë, hyri vajza e madhe dhe fjeti me të. Ai nuk u kujtua as kur ra e bija me të as kur u ngrit.
- 34 Të nesërmen gjithashtu i tha e madhja të voglës: Ja, fjeta dje me tim atë; t`i japim të pijë verë edhe sonte, dhe ti hyr e fli me të, që ta ruajmë farën e babasë tonë.
- 35 Edhe atë natë i dhanë të atit të pijë verë, hyri vajza e vogël dhe fjeti me të. Po as kësaj here nuk iu kujtua as kur ra as kur u ngrit ajo.
- 36 Kështu, pra, mbetën shtatëzënë dy të bijat e Lotit prej të atit të tyre.
- 37 E madhja lindi djalë dhe ia ngjiti emrin Moab. Ky është trungu i moabitëve të sotëm.
- 38 Po edhe e vogla lindi djalë dhe ia ngjiti emrin Benami (që do të thotë: Djali i popullit tim). Ky është i ati i amonitëve të sotëm.