Beselidhja e VjeterZanafilla: Martesa e Izakut
- 1 Abrahami tashmë ishte i moçëm, madje shumë i shtyrë në moshë dhe Zoti e kishte bekuar në gjithçka.
- 2 Atëherë Abrahami i tha më të vjetrit shërbëtor të shtëpisë së vet që i mbarështonte gjithë pasurinë që kishte: Shtjere dorën tënde nën kofshën time,
- 3 që të bëj të më përbehesh për Zotin, Hyjin e qiellit dhe Hyjin e tokës, se djalit tim nuk do t`ia marrësh gruan prej bijave te Kanaanit, ndër të cilët banoj.
- 4 Por, do të shkosh në vendin dhe në vëllazërinë time, atje do t`ia marrësh nusen djalit tim, Izakut.
- 5 Shërbëtori u përgjigj: Po në qoftë se gruaja nuk do të dojë të vijë me mua në këtë vend, a thua do të më duhet ta kthej djalin tënd në vendin prej të cilit dole ti?
- 6 Abrahami i tha: Ruaj se ma çon më djalin tim atje!
- 7 Zoti, Hyji i qiellit, i cili më mori prej shtëpisë së tim ati dhe prej atdheut tim, ai që foli me mua dhe m`u përbe me këto fjalë: `Farës sate do t`ia jap këtë tokë, ai do ta dërgojë engjëllin para teje, dhe prej andej do t`i sjellësh djalit tim nusen.
- 8 Po qe se gruaja e tij nuk do të dojë të vijë pas teje, nuk do të lidhë përbetimi; porse djalin tim mos e kthe atje.
- 9 Atëherë shërbëtori e futi dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së vet, dhe iu përbe për këtë gjë.
- 10 Shërbëtori i mori dhjetë deve të zotërisë së vet dhe u nis për rrugë. Mori me vete gjithfarë gjërash të çmueshme. E mori rrugën për Aram Naharaimin, qytet i Nahorit.
- 11 Pasi i ndali devetë dhe i bëri të pushojnë jashtë qytetit, pranë pusit, në mbrëmje;në atë kohë kur gratë zakonisht dalin për të marrë ujë, tha:
- 12 O Zot, Hyji i zotërisë tim, Abrahamit, po të lutem, më prij për së mbari sot dhe dëftoje miqësinë tënde ndaj zotërisë tim, Abrahamit.
- 13 Ja, unë po qëndroj pranë burimit të ujit dhe vajzat e banorëve të këtij qyteti do të dalin për të marrë ujë.
- 14 Bëj, pra, që vajza, të cilës t`i them: `Ule katrovën tënde, që të pi`, dhe ajo të përgjigjet: `Pi, por edhe deveve të tua po u jap të pinë`, të jetë ajo që ti e caktove për shërbëtorin tënd Izakun. Me këtë gjë do ta kuptoj se i dëftove miqësi ndaj zotërisë tim.
- 15 Ky ende pa i kryer së thëni fjalët më vete, dhe ja, Rebeka;bija e Batuelit, birit të Melkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit, me katrovë në krah.
- 16 Vajza ishte shumë e hijshme, ishte virgjër që nuk kishte njohur mashkull. Zbriti te burimi, e mbushi katrovën dhe po kthehej.
- 17 Shërbëtori i doli para dhe i tha: Më jep të pi një gërrç ujë prej katrovës sate!!
- 18 Ajo iu përgjigj: Pi, imzot! Vrik e lëshoi katrovën prej krahut në dorë dhe i dha të pijë.
- 19 Kur ai piu, vajza shtoi: Po ju nxjerr ujë edhe deveve të tua derisa te ngihen.
- 20 E zbrazi katrovën në lugje, u kthye përsëri te pusi për të nxjerrë ujë dhe nxori e u dha të gjitha deveve.
- 21 Ai e vështronte në heshtje me dëshirë të dinte a thua Zoti po i jepte fund me sukses apo jo udhëtimit të tij.
- 22 Pasi devetë pinë ujë, njeriu nxori një unazë ari të rëndë një gjysmë sikli dhe ia vuri në hundë dhe dy mëdorëza për duar, të rënda dhjetë sikla.
- 23 Atëherë i tha: Më trego bija e kujt je? A do të ketë vend në shtëpinë e babait tënd për të kaluar natën?
- 24 Ajo u përgjigj: Jam e bija e Batuelit, birit të Melkës, që ia lindi Nahorit.
- 25 Dhe shtoi: Kemi mjaft byk e tagji dhe vend për të kaluar natën.
- 26 Njeriu ra përmbys dhe e adhuroi Zotin e
- 27 tha: Qoftë bekuar Zoti, Hyji i zotërisë tim, Abrahamit, që nuk pushoi të ketë përkrahje dhe besnikëri ndaj zotërisë tim dhe që më priu udhës së drejtë në shtëpinë e vëllait të zotërisë tim.
- 28 Atëherë vajzukja u lëshua vrap për të lajmëruar në shtëpinë e s`ëmës gjithçka i ndodhi.
- 29 Rebeka kishte një vëlla që quhej Laban. Ky i doli me të shpejtë para njeriut te pusi.
- 30 Kur e pa unazën në hundën dhe mëdorëzat në duart e motrës së vet dhe pasi dëgjoi fjalë për fjalë se ç`tha Rebeka: Kështu më tha ai njeri, shkoi tek ai njeri që ishte me deve te burimi i ujit,
- 31 dhe i tha: Hyr, i bekuari i Zotit, përse rri jashtë? E bëra gati shtëpinë dhe vendin për deve.
- 32 Dhe e futi në shtëpi, i shkarkoi devetë. Deveve u qiti byk e tagji. Solli ujë për të larë këmbët ai dhe njerëzit që kishin ardhur me të.
- 33 Atëherë i shtroi tryezën. Por, ai tha: Nuk do të ha para se të them ç`kam për të thënë. Labani iu përgjigj: Urdhëro e fol!
- 34 Atëherë ai tha : Unë jam shërbëtori i Abrahamit. Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim e është bërë njeri me rëndësi.
- 35 Zoti i ka dhënë bagëti të imëta e të trasha, argjend e ar, shërbëtorë e shërbëtore, deve dhe gomarë.
- 36 Dhe Sara, gruaja e imzotit, i lindi imzotit djalin në pleqërinë e saj. Atë Abrahami e bëri trashëgimtar të të gjithë pasurisë.
- 37 Edhe imzoti më përbeu duke thënë: Nuk do t`ia marrësh nusen djalit tim prej vajzave të kanaanëve, në dheun e të cilëve banoj;
- 38 por do të shkosh në shtëpinë e tim ati dhe do t`ia marrësh nusen djalit tim prej bijave të fisit tim.
- 39 Unë i thashë imzotit: Çka të bëj nëse gruaja nuk do të dëgjojë të vijë me mua?
- 40 Zoti;tha ai;në praninë e të cilit jetoj, do ta dërgojë engjëllin e vet me ty dhe do t`ia çelë shtigjet udhës sate, do të m`ia marrësh djalit nusen prej fisit tim dhe prej shtëpisë së tim ati.
- 41 Ti do të jesh i lirë nga mallkimi im vetëm kur të shkosh, e në mos ta dhënçin, atëherë do të jesh i lirë nga mallkimi im.
- 42 Erdha sot te burimi dhe thashë: `O Zot, Hyji i zotërisë tim;Abrahamit, nëse do ta bësh vërtet të dobishëm udhëtimin tim që po e bëj,
- 43 ja, tek jam para burimit të ujit: atëherë, vajza që do të dalë për të marrë ujë, të cilës do t`i them: `Më jep të pi pak ujë prej katrovës sate`,
- 44 dhe të më thotë: Urdhëro e pi dhe po nxjerr edhe për devetë të tua, ajo është gruaja që Zoti e caktoi për djalin e zotërisë tim.
- 45 Ndërsa, unë në heshtje i përbluaja këto më vete, erdhi Rebeka me katrovë në krah. Zbriti te burimi dhe mori ujë. Unë i thashë: `Më jep të pi pak!`
- 46 Ajo vrik e lëshoi katrovën prej krahut dhe më tha: `Urdhëro e pi dhe po u jap të pinë edhe deveve? Unë piva po edhe gamilave u dha ujë.
- 47 E pyeta dhe i thashë: `E bija e kujt je?` Ajo m`u përgjigj: `Jam e bija e Batuelit, birit të Nahorit, që i lindi Melka.`Ia vura, pra, unazën në hundë dhe mëdorëzat në duar.
- 48 Rashë përmbys dhe e adhurova Zotin duke e bekuar Zotin, Hyjin e zotërisë tim, Abrahamit, që m`i çeli shtigjet e udhës së drejtë për të marrë bijën e vëllait të zotërisë tim për djalin e tij.
- 49 Prandaj, nëse doni të dëftoni mirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, më tregoni, por, në qoftë se ju pëlqen ndryshe, ma tregoni edhe këtë, që të shkoj djathtas ose majtas.
- 50 U përgjigjën Labani dhe Batueli: E paska thënë Zoti! Ne nuk mund të themi asgjë jashtë pëlqimit të tij.
- 51 Ja, Rebeka është para teje; merre e shko me të dhe u bëftë gruaja e djalit të zotërisë tënd, si ka thënë Zoti.
- 52 Shërbëtori i Abrahamit, posa i dëgjoi këto fjalë, ra përmbys dhe e adhuroi Zotin.
- 53 Nxori stoli argjendi, ari dhe petka dhe ia dha Rebekës. Po edhe të vëllait dhe t`ëmës së Rebekës u dha dhurata të çmueshme.
- 54 Atëherë hëngrën dhe pinë ai e njerëzit që ishin me të dhe aty e kaluan natën.Si u çuan në mëngjes, shërbëtori u tha: Më lejoni të kthehem te zotëria im.
- 55 Vëllai dhe nëna e saj u përgjigjën: Le të rrijë vajza së paku dhjetë ditë me ne e pastaj të vijë.
- 56 Por, ai tha: Pasi Zoti ma bëri udhën e frytshme, ju lutem, ju mos më ndalni. Më lejoni të nisem për te zotëria im!
- 57 I thanë: Le ta thërrasim vajzën e ta pyesim atë.
- 58 Pasi e thirrën dhe ajo erdhi, e pyetën: A do të shkosh me këtë njeri? Ajo u përgjigj : Po.
- 59 Atëherë e përcollën Rebekën, motrën e vet, nanshoren e saj dhe shërbëtorin e Abrahamit me përcjellësit e tij.
- 60 Motrës i uruan fatlumësi dhe i thanë:Motër-o, motra jonë!Me mijëra mijërash u shtofsh!Fara jote i pushtoftëdyert e armiqve te vet!
- 61 U çua, pra, Rebeka dhe shërbëtoret e saja, hipën në deve dhe e ndoqën atë njeri. Shërbëtori e mori Rebekën dhe u nis.
- 62 Izaku u kthye prej krahinës së pusit Lahairoi dhe banonte në dheun Nageb.
- 63 Në muzg Izaku kishte dalë në fushë për të vajtuar. Si i çoi sytë, pa se po vinin disa deve.
- 64 Po edhe Rebeka i çoi sytë dhe e pa Izakun. Zbriti prej devesë
- 65 dhe i tha shërbëtorit: Kush është ai njeri që po ecën fushës e po na del përpara? Ai i tha: Ai është zotëria im. Ajo e mori me të shpejtë velin dhe u mbulua.
- 66 Shërbëtori i tregoi Izakut gjithçka kishte bërë.
- 67 Izaku e futi Rebekën në tendën e Sarës, nënës së vet, dhe e mori për grua. Ai e deshi dhe e gjeti në të ngushëllimin pas vdekjes së nënës së vet.