Beselidhja e VjeterZanafilla: Kaini e Abeli
- 1 Njeriu e njohi Evën, gruan e vet. Ajo ngjizi dhe lindi Kainin e tha: Prej Zotit e fitova një njeri.
- 2 Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari delesh, kurse Kaini bujk.
- 3 Pas disa kohësh Kaini i kushtoi Zotit fli prej fryteve të tokës.
- 4 Po ashtu edhe Abeli kushtoi prej të parëlindurve të grigjës së vet bashkë me dhjamin e tyre. Zoti e pëlqeu Abelin dhe flinë e tij,
- 5 kurse as Kainin e as flinë e tij s`e pëlqeu fare. Kaini u zemërua për së tepërmi dhe u çart në fytyrë.
- 6 Zoti i tha: Përse je zemëruar dhe rri kokulur?
- 7 Sepse, nëse vepron mirë, a nuk do ta mbash kokën lart? E po s`veprove mirë, në pritë te dera e ke mëkatin; ai të lakmon ty; porse ti duhet ta mbizotërosh.
- 8 Kaini i tha vëllait të vet Abelit: Të dalim jashtë! Kur u gjetën në fushë, Kaini u hodh mbi vëllanë e vet Abelin dhe e vrau.
- 9 Atëherë Zoti e pyeti Kainin: Ku është vëllai yt, Abeli? Ky iu përgjigj: Nuk di. Pse a mos jam unë rojtari i tim vëllai?
- 10 Zoti i tha: Po çka bëre?! Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut.
- 11 Prandaj qofsh mallkuar e dëbuar nga ara, e cila e hapi gojën dhe e përpiu gjakun e vëllait tënd të derdhur prej dorës sate!
- 12 Kur ta punosh tokën, ajo s`do t`i japë më frytet e veta. Do të jesh endacak dhe rravgues përmbi tokë.
- 13 Kaini i tha Zotit: Ndëshkimi im është më i madh nga sa mund të mbart.
- 14 Ja! Ti po më dëbon sot prej tokës së pëlleshme dhe më duhet të fshehem prej fytyrës sate dhe do të jem rravgues dhe endacak përmbi tokë. Këndej, edhe kushdo që të më gjejë, do të më vrasë.
- 15 Por, Zoti i tha: Jo, pra, assesi s`do të ndodhë ashtu, sepse kushdo që ta vrasë Kainin, do të ndëshkohet shtatëfish! E Zoti i vuri Kainit një shenjë që të mos e vrasë askush që do ta gjente.
- 16 Kaini iku prej pranisë së Zotit dhe zuri vend në dheun e Nodit, në lindje të Edenit.Pasardhësia e Kainit
- 17 Kaini e njohi gruan e vet; ajo ngjizi dhe lindi Henokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe ia ngjiti emrin e të birit, Henok.
- 18 Henokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Maviaeli, Maviaelit i lindi Matuzaeli e Matuzaelit i lindi Lameku.
- 19 Ky mori dy gra. Njëra quhej Adë, kurse tjetra Selë.
- 20 Ada lindi Jabelin, i cili qe trungu i atyre që banojnë në tenda dhe i barinjve.
- 21 Vëllai i tij quhej Jubal. Ky qe trungu i të gjithë atyre që i bien cetrës dhe fyellit.
- 22 Po edhe Sela lindi Tubalkainin. Ky qe farkëtar, trungu i atyre që punojnë remin dhe hekurin. Tubalkaini e pati motër Noemën.
- 23 Lameku u tha grave të veta:Adë e Salë, dëgjojeni zërin tim;gratë e Lamekut, dëgjojeni fjalën time:vrava njeriun pse më pat plagosur, edhe një djalosh pse më pat rënë.
- 24 Kaini do të hakmerret shtatëfish, kurse Lameku shtatëdhjetë herë shtatë!Seti dhe pasardhësit e tij
- 25 Adami e njohi gruan e vet dhe ajo lindi djalë, të cilit ia ngjiti emrin Set. Tha: Hyji më dhuroi pasardhës tjetër në vend të Abelit, të cilin e vrau Kaini.
- 26 Po edhe Setit i lindi djalë, të cilin e quajti Enos. Aso kohe zuri të thirret në ndihmë emri i Zotit.