Beselidhja e VjeterZanafilla: Ëndrrat e faraonit
- 1 Pas dy vjetësh faraoni pa ëndërr. I dukej se po gjendej në breg të lumit,
- 2 prej të cilit po dilnin shtatë lopë të bukura dhe të majme e po kullosnin nëpër kënetë.
- 3 Pas tyre dilnin shtatë të tjera prej lumit, të ndyta dhe të shemtuara dhe qëndronin në bregun e lumit.
- 4 Këto i përlanë shtatë lopët e bukura dhe të majme. Dhe faraonit i doli gjumi.
- 5 E zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr tjetër. Shtatë kallinj ngallitnin mbi një kërcyell. Ishin kallinj të plotë e të bukur.
- 6 Po aq kallinj ngallitnin të zbrazët dhe të djegur prej erës së ngrohtë,
- 7 dhe e përpinë mbarë bukurinë e kallinjve të parë. Faraonit i doli gjumi dhe, ja ishte ëndërr!
- 8 Në mëngjes ishte shumë i trazuar në shpirt dhe i thirri të gjithë sa ishin dijësit dhe dijetarët e Egjiptit. Faraoni i grishi dhe u tregoi ëndrrën, por nuk dinin ta shtjellonin.
- 9 Atëherë kryetari i kuptarëve u kujtua dhe tha: Po e rrëfej një lëshim timin.
- 10 Një herë, kur u hidhërua mbreti me shërbëtorët e vet, dha urdhër të më hedhin në burg mua dhe kryemjeshtrin e furrtarëve në burgun e kryetarit të rojeve.
- 11 Po aty, ne të dy, po në një natë të vetme, pamë nga një ëndërr dhe secila prej ëndrrave kishte vështrimin e vet të veçantë që kishte të bënte me të ardhmen.
- 12 Aty ishte me ne edhe një djalosh hebre, shërbëtor i kryetarit të rojeve. Këtij ia treguam ëndrrat.
- 13 Ashtu si na i shpjegoi ashtu edhe na ndodhi. Mua vërtet më kthyen në detyrën time, kurse atë e varën.
- 14 Atëherë faraoni çoi dhe e thirri Jozefin. E nxorën me të shpejtë nga burgu, e qethën, ia ndërruan petkat dhe e sollën para faraonit.
- 15 Faraoni i tha: Kam parë ëndrra, por s`ka kush të m`i shtjellojë. Po më thonë se ti, kur ta dëgjosh ëndrrën, je në gjendje ta shtjellosh.
- 16 Jozefi iu përgjigj: Po edhe pa mua, Hyji do të dijë t`ia japë faraonit një përgjigje shpëtimprurëse!
- 17 Pra, faraoni tregoi çfarë kishte parë: Më dukej se po qëndroja në bregun e lumit.
- 18 Dhe ja, prej lumit dolën shtatë lopë ashtu sa s`ka të bukura, plot mish e dhjamë e po kullosnin gjelbërim në kënetë.
- 19 Por, ja, i ndoqën shtatë lopë të tjera dhe aq ishin të shemtuara e të ligshta, sa që të tilla kurrë s`kam parë në dheun e Egjiptit.
- 20 Këto edhe pasi i përpinë dhe i hëngrën të parat,
- 21 nuk dhanë asnjë shenjë se u nginë, sepse dukeshin njësoj të ligshta dhe të shemtuara. Më doli gjumi, por më zuri përsëri
- 22 dhe pashë ëndërr: Shtatë kallinj ngallitnin mbi një kërcyell: ishin të plotë e tepër të bukur.
- 23 Po prej një kërcyelli lenë edhe shtatë kallinj të tjerë të zbrazët dhe të djegur nga era djegëse.
- 24 Po edhe këta e përlanë bukurinë e të parëve. Ua tregova ëndrrën shtjelluesve, por askush nuk qe në gjendje të ma shtjellojë.
- 25 Jozefi u përgjigj: Ëndrra e mbretit është një ëndërr e vetme. Hyji e vë në dijeni faraonin çka mendon të bëjë.
- 26 Shtatë lopët e bukura dhe shtatë kallinjtë e plotë, janë shtatë vjet të begatshme: s`është, por një ëndërr e vetme.
- 27 Po edhe shtatë lopët e ligshta dhe të shemtuara, që dolën pas atyre, si dhe shtatë kallinjtë e zbrazët dhe të djegur prej erës djegëse, janë shtatë vjet të urise që do të vijë.
- 28 Dhe, ja, si do të ndodhë:
- 29 një herë do të vijnë shtatë vjet prodhimtarie të madhe në mbarë dheun e Egjiptit.
- 30 Këta do t`i ndjekin shtatë vjet të tjera të një paprodhimtarie të tillë buke, sa që do të harrohet krejtësisht e tërë bagatia e mëparshme. Zia e bukës do ta shkretojë mbarë dheun,
- 31 dhe do ta zhdukë begatinë e madhe, zia e madhe.
- 32 E pasi e pe të dytën herë ëndrrën që ka po të njëjtin kuptim, është shenja se Hyji e ka caktuar dhe se nuk do të vonojë ta çojë në vend.
- 33 Prandaj faraoni të kujdeset të gjejë një njeri të mençur e të dijshëm dhe ta vërë prijës mbi mbarë dheun e Egjiptit.
- 34 Të vërë gjithashtu prijës për çdo krahinë dhe të mbledhë në drithnikë të pestën pjesë të prodhimeve të shtatë vjetëve të begatisë
- 35 që do të vijnë. Tërë gruri të vihet në pushtetin e faraonit dhe të ruhet në qytete.
- 36 Le të bëhen gati për shtatë vjetët e urisë së ardhshme që do të rëndojë mbi Egjipt e kështu nuk do të shkretohet dheu prej urisë.Lartësimi i Jozefit
- 37 Shtjellimi i pëlqeu faraonit dhe të gjithë shërbëtorëve të tij.
- 38 Faraoni u tha: Vallë, a mund ta gjejmë një njeri porsi ky që të jetë plot me Shpirtin e Hyjit?
- 39 Prandaj, i tha Jozefit: Pasi Hyji t`i tregoi gjithë çka the, a thua mund ta gjej një njeri më të mençur ose të ngjashëm me ty?
- 40 Ti do të jesh mbi gjithë shtëpinë time, dhe urdhrave të tu do t`u bindet mbarë populli im. Më i madh se ti do të jem unë vetëm për sa i përket fronit të mbretërisë.
- 41 Faraoni i tha përsëri Jozefit: Shiko! Po të vë në krye të mbarë dheut të Egjiptit!
- 42 Atëherë e hoq unazën prej gishtit të vet dhe ia vuri në gisht Jozefit. E veshi me petk të bukur dhe në fyt ia vuri vargjet e arit.
- 43 Endej ai me karrocë si zëvendësi i faraonit, ndërkaq, para tij klithnin: Abrek! që të gjithë të binin para tij në gjunjë dhe ta dinin se ishte prijësi i mbarë dheut të Egjiptit.
- 44 Mbreti i tha edhe këtë Jozefit: Unë jam faraoni, por pa lejen tënde, askush në dheun e Egjiptit, nuk do të luajë as dorë as këmbë.
- 45 Ai edhe ia ndërroi emrin dhe e quajti në gjuhën egjiptianë Safanet Fanek (që përkthehet Shpëtimtari i botës) dhe ia dha për grua Asenetën, bijën e Putifarit, priftit të Heliopolit.Jozefi doli nëpër mbarë dheun e Egjiptit
- 46 kishte tridhjetë vjet kur iu paraqit faraonit mbretit të Egjiptit. E duke u larguar prej faraonit, i ra fund e krye dheut të Egjiptit.
- 47 Erdhi begatia e shtatë vjetëve, e Jozefi, për ato shtatë vjet i mblodh të gjitha prodhimet bujqësore në drithnikë të Egjiptit,
- 48 duke i venduar në çdo qytet drithërat e fushave të rrethit.
- 49 Dhe, vërtet, qe një begati shumë e madhe drithërash sa që të mund të krahasohet me rërën e detit dhe aq shumë qe sa që më s`mundi të matet.Bijtë e Jozefit
- 50 Para se të fillonte uria, Jozefit i lindën dy djem prej Asenetës, bijës së Putifarit, priftit të Heliopolit.
- 51 Të parëlindurit ia ngjiti emrin Manase. Tha: Perëndia deshi t`i harroj të gjitha mundimet e mia dhe shtëpinë e tim ati.
- 52 Djalit të dytë ia ngjiti emrin Efraim. Tha: Perëndia deshi e më shtoi në dheun e mjerimit tim.
- 53 Kështu, si kaluan shtatë vjetët e begatisë që ishin në Egjipt,
- 54 nisën të vijnë shtatë vjetët e urisë që i kishte parakallëzuar Jozefi. Mbarë botën e kapi uria, kurse në dheun e Egjiptit kishte bukë.
- 55 Por, kur mbaroi buka, populli me zë të madh kërkoi bukë prej faraonit, ai u përgjigj: Shkoni te Jozefi dhe bëni ashtu si t`ju thotë ai!
- 56 Uria u përhap në mbarë dheun e Egjiptin. Jozefi i hapi të gjithë drithnikët dhe egjiptianët i fuizoi me drithë, sepse edhe ata i kishte kapur uria.
- 57 Njerëzit vinin nga të gjitha vendet në dheun e Egjiptit për të blerë ushqime te Jozefi, sepse skamja e bukës e kishte ngushtuar mbarë dheun.