Beselidhja e VjeterZanafilla: Kupa e Jozefit në thesin e Beniaminit
- 1 E Jozefi i urdhëroi kujdestarit tështëpisë së vet: Mbushi thasët e tyre me drithë sa të zënë. Paratë e secili futi në grykë të thesit.
- 2 Kupën time të argjendtë dhe çmimin që ta dha të drithit, futi në grykën e thesit të më të riut. Ashtu edhe u bë.
- 3 Kur zbardhi drita, i nisën për rrugë me gomarët e tyre.
- 4 Posa kishin kaluar qytetin e ishin larguar paksa, atëherë Jozefi thirri kujdestarin e shtëpisë dhe i tha: Çohu dhe ndiqi ata njerëz! Kur t`i kesh zënë, thuaju: `Përse e kthyet të mirën me të keqe? Përse ma vodhët kupën e argjendtë?
- 5 A nuk e dini se me të pi imzoti dhe me anë të saj parasheh të ardhmen? Bëtë s`ka si më zi!
- 6 Bëri po ashtu si i qe urdhëruar e, kur i zuri, ua tha copë këto fjalë.
- 7 Ata përgjigjën: Përse po flet kështu, zotëria ynë? Qoftë larg prej shërbëtorëve të tu, se e kemi bërë një punë aq të ligë!
- 8 Deri edhe paratë që i gjetëm në grykën e thasëve i kemi sjellë prej dheut të Kanaanit, e si atëherë mundi të ndodhë se zotërisë tënd i kemi vjedhur prej shtëpie ar dhe argjend?
- 9 Te cilido ndër shërbëtorët e tu të gjendet çka po kërkon ti, le të vritet, kurse ne do te jemi skllevërit e tu!
- 10 Ai u tha: Le të bëhet siç vendosët ju vetë! Te cilido që të gjendet, ai do të jetë skllavi im, kurse ju të tjerët do te jeni të lirë!
- 11 Secili nxitoi t`i shkarkojë thasët e vet e t`ua hapë grykën.
- 12 Pasi i kontrolloi duke filluar prej më të madhit e deri te më i vogli, kupën e gjeti në thesin e Beniaminit.
- 13 Atëherë ata, i shqyen petkat e veta, i ngarkuan përsëri gomarët dhe u kthyen në qytet.
- 14 Juda bashkë me vëllezër hyri te Jozefi;ende nuk kishte dalë prej shtëpisë;dhe të gjithë së bashku ranë me fytyrë për dhe para tij.
- 15 Ai u tha: Pse, ore, bëtë një vepër asisoji? Po a nuk e dini se s`ka njeri si unë që ma shkon në të zbuluarit e fshehtësisë?
- 16 Juda iu përgjigj: Çka t`i përgjigjim zotërisë sonë? Po çka t`i themi e si të gjejmë fjalë për shfajësim? Vetë Zoti e zbuloi fajin e shërbëtorëve të tu! Ja, pra, të gjithë jemi skllevërit e zotërisë sate! Ne dhe ai tek i cili u gjet kupa.
- 17 Jozefi u përgjigj: Prite Zot! Jo, unë nuk veproj ashtu! Ai që e vodhi kupën time, ai le të jetë skllavi im! Ju të tjerët shkoni lirisht te baba juaj!Ndërhyrja e Judës
- 18 Juda iu afrua më fort, mori guxim dhe tha: Po të lutem, imzot, lejo t`u thotë një fjalë veshëve të tu skllavi yt dhe, deh, mos iu hidhëro shërbëtorit tënd! E di, je si faraoni!
- 19 Zotëria im i pyeti më parë shërbëtorët e vet: `A e keni babain ose ndonjë vëlla tjetër`?
- 20 Dhe ne i përgjigjëm zotërisë sonë: `E kemi babanë të moshuar që ka një djalë të vogël, i cili lindi në pleqërinë e tij, vëllai i tij prej nëne vdiq. Ai është djali i vetëm prej nënës së tij e babai e do tepër fort`.
- 21 Ti u the shërbëtorëve të tu: `Ma sillni që ta shoh me sy të mi`.
- 22 I patëm thënë zotërisë tim: `Djaloshi s`mund ta lërë babain e vet, sepse po e la, ai do të vdesë`.
- 23 Ti u the shërbëtorëvë të tu: `Po qe se nuk vjen vëllai juaj më i vogël me ju, s`do të guxoni të më dilni më para syve`.
- 24 Kur u kthyem te shërbëtori yt, babai ynë, i treguam atij gjithçka na tha zotëria ynë
- 25 dhe babai ynë tha: `Kthehuni e na bleni pak drithë`!
- 26 Ne i thamë: `Nuk kemi si të shkojmë. Nëse vjen me ne vëllai i vogël, do te nisemi bashkë, ndryshe, po s`erdhi ai, nuk mund t`i dalim atij njeriu përpara`.
- 27 Në këto fjalë, shërbëtori yt, im atë u përgjigj: `Ju e dini se gruaja ime më lindi dy djem.
- 28 Njëri treti diku larg meje e thashë: `E hëngri egërsira! Deri në ditën e sotme nuk u duk!
- 29 Nëse ma meri edhe këtë prej pranisë sime e në qoftë se i ndodh ndonjë e keqe në udhëtim, kokën time të thinjur do ta përcillni me mjerim në nëndhe`.
- 30 Prandaj, nëse do të hyjë shërbëtori yt tek im atë e, nëse s`do të jetë djaloshi me mua;pasi jeta e tij varet nga jeta e këtij
- 31 dhe të shohë se ai nuk është me ne, do të vdesë. Kështu shërbëtorët e tu do ta çojnë kokën e tij të thinjur në nëndhe.
- 32 Pastaj shërbëtori yt iu përbe t`et për djalin: Në qoftë se nuk do ta kthej, do të jem fajtor para tim eti, derisa të jem gjallë.
- 33 Prandaj, do të jem skllavi yt në vend të vëllait tim dhe do t`i shërbej zotërisë sim, kurse djali të kthehet me vellezërit e tij.
- 34 Sepse s`kam se si të kthehem tek im atë, po qe se s`është djaloshi me mua, që të mos jem pranë të keqes së mjerueshme që do ta ndrydhë tim atë.