Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Lufta e dytë e amonëve. Mëkati i Davidit
- 1 Tani, në kthim të vitit, në kohën kur mbretërit e kanë zakon të dalin në luftë, Davidi e dërgoi Joabin me shërbëtorët e vet e me mbarë Izraelin dhe këta shkretëruan mbarë vendin e bijve të Amonit dhe e rrethuan Rabën. Davidi qëndroi në Jerusalem.
- 2 Një mbrëmje Davidi u çua prej shtratit e po shëtiste në tarracë të shtëpisë mbretërore. Nga tarraca pa një grua tek po lahej: e ishte shumë e bukur.
- 3 Davidi dërgoi për të marrë hetime se kush ishte ajo grua. I treguan se ajo ishte Betsabeja, e bija e Eliamit, gruaja e Uri Heteut.
- 4 Atëherë Davidi dërgoi lajmëtarë për ta sjellë. Kur erdhi ajo te Davidi, Davidi ra me të, që posa ishte shenjtëruar prej papastrisë së saj.
- 5 Pastaj u kthye në shtëpi të vet.Gruaja mbeti shtatzënë. Dërgoi për ta lajmëruar Davidin e tha: Ngjiza!
- 6 Davidi dërgoi njerëz te Joabi e i tha: Dërgoje tek unë Uri Heteun. Joabi e dërgoi te Davidi Urin.
- 7 Uri erdhi te Davidi. Davidi e pyeti si ishte Joabi e ushtria dhe si shkonin punët e luftës.
- 8 Atëherë Davidi i tha Urit: Zbrit në shtëpinë tënde e laji këmbët e tua. Uri doli prej pallatit të mbretit dhe i qe dërguar pas tij haje prej tryezës së mbretit.
- 9 Porse Uri fjeti para derës së pallatit mbretëror me shërbëtorët e tjerë të zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi të vet.
- 10 Erdhën dhe e lajmëruan Davidin: Uri nuk shkoi në shtëpinë e vet. Atëherë Davidi i tha Urit: Ndoshta nuk erdhe prej udhëtimit? Pse nuk shkove në shtëpinë tënde?
- 11 Uri iu përgjigj Davidit: Arka, Izraeli e Juda banojnë nën çadra, Joabi, imzot, dhe shërbëtorët e zotërisë tim kanë për dyshek tokën e unë të hyj në shtëpinë time për të ngrënë e për të pirë e për të fjetur me gruan time? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, unë nuk do të bëj një gjë të tillë.
- 12 Prandaj Davidi i tha Urit: Qëndro këtu edhe sot e nesër do të të nis. Uri qëndroi në Jerusalem edhe atë ditë e të nesërmen.
- 13 Sepse Davidi e grishi të hajë e të pijë me të dhe e dehu. Ky, pasi doli në mbrëmje, shkoi e fjeti në shtratin e vet me shërbëtorët e zotërisë së vet, por në shtëpinë e vet nuk dëgjoi të zbresë.
- 14 Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi për Urin.
- 15 Në letër shkruante: Vëreni Urin në vijën e parë, kur të jetë përleshja më e tmerrshme dhe tërhiquni prej tij që të goditet e të vdesë.
- 16 Kështu, pra, kur Joabi e rrethoi qytetin e vuri Urin aty ku e dinte se trimat ishin më të fortë.
- 17 Kur qytetarët dolën prej qytetit e po përlesheshin me Joabin, ranë disa prej popullit, prej ushtarëve të Davidit dhe mbeti i vrarë edhe Uri Heteu.
- 18 Atëherë Joabi dërgoi ta njoftojnë Davidin lidhur me rrethanat e përleshjes
- 19 dhe kasnecit i urdhëroi të thoshte: Kur t`i kesh treguar mbretit të gjitha këto fjalë lidhur me përleshjen,
- 20 nëse vë re se mbreti hidhërohet e thotë: `Përse iu afruat mureve për të luftuar? A nuk e keni ditur se prej murit hidhen shigjetat?
- 21 Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerobaalit? A s`qe një grua që ia hodhi prej murit mbi të gurin që sillet të mokrës dhe ai mbeti vdekur në Tebes? Pse iu afruat murit?`, ti thuaji: Edhe shërbëtori yt Uri Heteu mbeti i vrarë.
- 22 Shkoi, pra, lajmëtari, arriti te Davidi dhe i tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Joabi.
- 23 Lajmëtari i tha Davidit: Sepse armiqtë patën njëfarë epërsie mbi ne, dolën kundër nesh në fushë të larë, por ne bëmë një sulm të furishëm dhe i ndoqëm deri në dyer të qytetit.
- 24 Atëherë shigjetarët i gjuajtën me shigjeta shërbëtorët e tu nga lart prej murit e mbetën besa disa prej shërbëtorëve të mbretit, madje mbeti i vrarë edhe shërbëtori i mbretit Uri, ai Heteu.
- 25 Atëherë Davidi i tha kasnecit: Kështu i thuaj Joabit: Mos u prish për këtë punë: lufta ashtu e ka: tani ha shpata këtë, pastaj atë. Sulmoje qytetin më rreptësisht dhe shpartalloje. Edhe ti jepi zemër.
- 26 Kur gruaja e Urit mori lajmin se i kishte vdekur Uri, burri i saj, ia bëri vajin.
- 27 Pasi kaloi koha e zisë, Davidi çoi dhe e solli në shtëpinë e vet dhe ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu Zotit kurrsesi.