Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Kusai e pengon planin e Akitofelit
- 1 Atëherë Akitofeli i tha Absalomit: Më lejo t`i zgjedh dymbëdhjetë mijë ushtarë e ta ndjek Davidin po këtë natë.
- 2 Do ta sulmoj mu atëherë kur do të jetë i lodhur e i këputur. Do t`ia fus tmerrin. Kur mbarë ushtria që do të jetë me të do të ikë, atëherë do ta godas mbretin e lënë vetëm,
- 3 kurse mbarë popullin do ta sjell tek ti siç bihet nusja te burri i saj: ti kërkon jetën e një njeriu të vetëm, atëherë mbarë populli do të jetë i qetë.
- 4 Fjala e tij i pëlqeu Absalomit dhe mbarë krerëve të Izraelit.
- 5 Por Absalomi tha: Thirreni edhe Kusai Arakitin dhe të degjojmë ç`thotë edhe ai.
- 6 Kur erdhi Kusai tek Absalomi, Absalomi e pyeti: Akitofeli ka thënë kështu. A na duhet të bëjmë si ka thënë ai apo jo? Fol ti!
- 7 Kusai i tha Absalomit: Këshilla që ka dhënë Akitofeli kësaj here nuk është e mirë.
- 8 Dhe Kusai vazhdoi: Ti e njeh mirë babain tënd dhe njerëzit që janë me të. E di se janë trima të fortë dhe zemërplasur porsi arusha në mal kur i kanë rrëmbyer këlyshët. E yt atë është mjeshtër lufte, ai nuk rri me popull:
- 9 ai tani fshihet në ndonjë pritë ose në ndonjë vend tjetër. E, po të vritet në fillim ndonjë, kushdo qoftë, me siguri do të dëgjohet e do të thonë: `U bë emnesa në ushtrinë që shkon pas Absalomit`!
- 10 E atëherë do të ligështohet prej frike edhe më trimi që e ka zemrën si luani: sepse mbarë Izraeli e di se yt atë është trim i fortë dhe se janë trima edhe të gjithë ata që janë me të.
- 11 Por unë mendoj se kështu duhet këshilluar: le të bashkohet mbarë Izraeli rreth teje prej Danit e deri në Bersabe;i panumërueshëm porsi rëra në bregun e detit;dhe ti vetë çaj në luftë.
- 12 Atëherë do të sulemi mbi të në cilindo vend të gjendet e do ta mbulojmë porsi vesa kur bie mbi tokë dhe s`do të mbesë gjallë as ai as trimat që janë me të;asnjë për be.
- 13 Po në qoftë se do të hyjë në ndonjë qytet, mbarë Izraeli do t`ia qesë atij qyteti litarët dhe do ta ngrehim në përrua derisa të mos mbesë as guralec në të.
- 14 Atëherë Absalomi dhe të gjithë izraelitët thanë: Më e mirë është këshilla e Kusai Arakitit se këshilla e Akitofelit. Zoti kishte vendosur të shkonte kot këshilla e dobishme e Akitofelit për t`ia sjellë të keqen Absalomit.
- 15 Atëherë Kusai u çoi fjalë priftërinjve Sadokut dhe Abiatarit e tha: Akitofeli kështu e kështu e këshilloi Absalomin dhe krerët e Izraelit, kurse unë i dhashë këtë e këtë këshillë.
- 16 Prandaj dërgoni e lajmëroni me nxitim Davidit e thoni: `Mos e kalo assesi natën në vatë e shkretëtirës, por pa vonesë kalo në anën tjetër që të mos mbarrojë mbreti dhe mbarë ushtria që është me të`.I vënë në dijeni, Davidi e kalon Jordanin
- 17 Jonatani dhe Akimaasi qëndronin te burimi Rogel. Një shërbëtore shkonte tek ata e u sillte lajme. Ata shkuan dhe i treguan Davidit lajmin. Ata nuk mund të hynin në qytet që të mos i hetonin.
- 18 Megjithatë i pa një djalosh dhe i tregoi Absalomit. Por ata e shpejtuan hapin dhe arritën në shtëpinë e një burri të Bahurimit, i cili kishte një pus në oborrin e vet. Këta zbritën në pus.
- 19 Një grua mori një mbulesë dhe e qiti mbi grykën e pusit e mbi të qiti grurë të shtypur kështu që s`hetuan gjë.
- 20 Kur erdhën ushtarët e Absalomit në shtëpi te gruaja, thanë: Ku janë Akimaasi dhe Jonatani? Gruaja u përgjigj: Kanë kaluar në drejtim të ujit. Këta që i kërkonin, pasi nuk i gjetën, u kthyen në Jerusalem.
- 21 Pasi u larguan ushtarët, ata dolën prej pusit, shkuan, e lajmëruan Davidin dhe i thanë: Ngrihuni dhe kalojeni me të shpejtë lumin, sepse kështu i ka këshilluar Akitofeli kundër jush.
- 22 U çua, pra, Davidi dhe mbarë populli që ishte me të, dhe e kaluan Jordanin. Në të zbardhur të dritës s`mbeti asnjë që nuk e kishte kaluar lumin.
- 23 Akitofeli, kur pa se këshilla e tij nuk u mor parasysh, e shaloi gomarin e vet, u çua dhe shkoi në shtëpi, në qytetin e vet. Dhe, si ia dha porositë e fundit familjes së vet, shkoi e u var në litar dhe vdiq. Qe varrosur në varrezën e të atit.Absalomi e kalon Jordanin. Davidi në Makanaim
- 24 Kur arriti Davidi në Makanaim, Absalomi e kaloi Jordanin, ai dhe mbarë izraelitët që ishin me të.
- 25 Absalomi e kishte vënë për kryetar ushtrie Amasën në vend të Joabit. Amasa ishte bir i një farë burri që quhej Jetër, ismaelit, i cili kishte hyrë tek Abigajla, bija e Isait, motra e Sarvisë, që ishte nëna e Joabit.
- 26 Dhe Izraeli me Absalomin në krye nguli fushimin në tokën Galaad.
- 27 Kur arriti Davidi në Mahanaim, Sobiu, biri i Naasit, prej Rabës së bijve të Amonit, e Mahiri, biri i Amihelit, nga Lodabari, dhe Berzelai i Galaadas nga Rogelimi
- 28 i sollën shtroja, mbulesa, gota, enë dheu, grurë, elb e miell, grurë të pjekur, qiqër, thjerrë,
- 29 mjaltë, gjalp, dele e viça të majmë. Ia dhanë Davidit dhe popullit që ishte me të, për t`i ngrënë. Ua kishte marrë mendja se populli ishte lodhur nga uria e mundi në shkretëtirë.