Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Shpartallimi i partisë së Absalomit
- 1 Pastaj Davidi e numëroi popullin që ishte me të dhe caktoi mbi të mijëtarë e urdhërqindës.
- 2 Pastaj Davidi e ndau ushtrinë në tri pjesë: një të tretën e ushtrisë nën udhëheqjen e Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Etait, që ishte nga Geti. Mbreti i tha popullit: Edhe vetë po vij në luftë me ju.
- 3 Mbarë ushtria iu përgjigj: Jo, ti s`do të vish në luftë. Sepse, nëse do të na duhet të ikim, askush nuk do t`i japë rëndësi; po edhe nëse mbetemi të vrarë gjysma prej nesh, askush nuk do t`i japë rëndësi, kurse ti vetëm çmohesh sa dhjetë mijë vetë. Prandaj është më mirë që të jesh i gatshëm të na gjendesh në ndihmë prej qytetit.
- 4 Atëherë mbreti u tha: Si t`ju duket se është më mirë, ashtu do të bëj. Kështu edhe mbreti qëndroi pranë derës së qytetit. Ushtria dilte në grupe nga njëqind e nga një mijë.
- 5 Mbreti u urdhëroi Joabit, Abisait dhe Etait e u tha: Për hatrin tim, mos e vritni djaloshin Absalom! Mbarë ushtria dëgjoi se mbreti u urdhëroi kështu krerëve lidhur me Absalomin.
- 6 Kështu ushtria doli në fushim e gatshme për t`u përleshur me Izraelin dhe përleshja u nis në pyllin e Efraimit.
- 7 Dhe aty ushtria e Davidit e preu ushtrinë e Izraelit. Qe një humbje e rëndë atë ditë: mbetën njëzet mijë vetë.
- 8 Përleshja u shtri nëpër mbarë krahinën dhe më shumë qenë nga ata që i përpiu pylli sesa nga ata që i preu shpata atë ditë.Vdekja e Absalomit
- 9 Por ndodhi që Absalomi të takohej me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua koka Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte, kaloi.
- 10 E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: E pashë Absalomin të varur në qarr.
- 11 Joabi i tha atij burri që i lajmëroi: Nëse e pe, pse nuk e mbërtheve për tokë? Unë do të të jepja dhjetë sikla të argjendtë dhe një brez.
- 12 Ai iu përgjigj Joabit: Po edhe sikur të m`i hidhje këtu në shuplakë të dorës një mijë sikla të argjendtë, unë assesi nuk do të çoja dorë mbi djalin e mbretit. Sepse me veshët tanë e kemi dëgjuar kur mbreti të urdhëroi ty, Abisait dhe Etait: `Ma ruani, kushdo që ta takojë, djaloshin Absalom`!
- 13 Po ta kisha bërë një punë të tillë me pabesnikëri kundër ndërgjegjes sime, kjo gjë assesi nuk do të mbetej e fshehtë për mbretin, e ti atëherë s`do të më kishe mbrojtur.
- 14 Joabi tha: Kot po humb kohë pranë teje! I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit.
- 15 Vrapuan dhjetë djelmosha, armëmbajtës të Joabit, e goditën dhe e vranë.
- 16 Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria pushoi të ndjekë më tutje Izraelin, sepse Joabi e ndali popullin.
- 17 Atëherë e morën Absalomin, e hodhën në një shpellë të thellë në pyll dhe mbi të hodhën një mogilë të madhe gurësh. Atëherë mbarë Izraeli shkoi në çadrat e veta.
- 18 Absalomi, që kur ishte gjallë, kishte ngritur për vete një përmendore në luginën e Mbretit; sepse thoshte: S`kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim. Dhe atë përmendore e quajti me emrin e vet dhe ajo quhet deri më sot Përmendorja e Absalomit.Davidit i tregojnë për vdekjen e Absalomit
- 19 Akimaasi, biri i Sadokut, tha: Po vrapoj e po i tregoj mbretit sihariqin se Zoti i ka bërë drejtësi duke e shpëtuar prej armiqve të tij.
- 20 Joabi i tha: Nuk je sot sihariqtar, por lajmëroje një ditë tjetër. Sot nuk i çon lajme të mira, sepse ka mbetur djali i mbretit.
- 21 Por Joabi i tha etiopiasit: Shko e tregoji mbretit ç`ke parë! Etiopiasi i bëri nderim Joabit dhe u nis vrap.
- 22 Por Akimaasi, biri i Sadokut, përsëri i tha Joabit: Çkado që të më ndodhë, edhe vetë po shkoj pas etiopiasit! Por Joabi i tha: Pse po nxiton, biri im? S`do ta marrësh dhuratën e sihariqtarit!
- 23 E ai iu përgjigj: Të ndodhë ç`të ndodhë, unë do të shkoj! I tha: Vrapo! Akimaasi vrapoi udhës së rrafshtë dhe e kaloi etiopiasin.
- 24 Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte
- 25 dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: Nëse është vetëm, sjell lajm të mirë. Pasi ai po shpejtonte e po afrohej gjithnjë,
- 26 vrojtuesi pa se po afrohej edhe një tjetër dhe i thirri vrojtuesi dertarit: Po shoh se po vrapon një njeri vetëm. Mbreti tha: Edhe ky është lajmëtar i mirë.
- 27 Atëherë vrojtuesi tha: E njoh vrapimin e të parit: më duket se është Akimaasi, biri i Sadokut. Mbreti tha: Është njeri i mirë dhe sjell sihariq.
- 28 Akimaasi e përshëndeti mbretin me zë të lartë: Gjithçka mirë! Dhe u përkul me fytyrë përdhe e tha: Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që u dha fund njerëzve, të cilët u ngritën kundër zotërisë tim mbretit!
- 29 Mbreti e pyeti: A është gjallë djaloshi Absalom? Akimaasi iu përgjigj: Pashë një përleshje të madhe kur Joabi e dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua shërbëtorin tënd, por nuk di si mori fund puna.
- 30 Atëherë mbreti i tha: Kalo e qëndro atje! Pasi u largua ai dhe qëndroi në anë,
- 31 ia behu etiopiasi dhe, kur arriti, tha: Ju sjell sihariq, imzot mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje.
- 32 Por mbreti i tha etiopiasit: A është mirë djaloshi Absalom? Etiopasi u përgjigj: I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t`i bërë të keqen mbretit.