Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Regjistrimi i popullit
- 1 Zemërimi i Zotit u ndez edhe një herë kundër Izraelit. E nxiti Davidin kundër popullit duke i thënë: Shko e numëroje Izraelin e Judën!
- 2 Atëherë mbreti i tha Joabit e prijësve të ushtrisë së vet që ishte me të: Përshko të gjitha fiset e Izraelit prej Danit e deri në Bersabee, dhe numëroni popullin që ta di numrin e tij.
- 3 Joabi i tha mbretit: Zoti, Hyji yt, e shtoftë popullin sa është tani edhe njëqind herë aq para syve të zotërisë tim mbretit! Por çfarë i duhet zotërisë tim mbretit kjo gjë?
- 4 Porse fjala e mbretit ishte më e fortë se fjala e Joabit dhe e prijësve të ushtrisë. Kështu pra, doli Joabi dhe prijësit e ushtrisë prej pranisë së mbretit dhe shkuan për të numëruar popullin e Izraelit.
- 5 Si e kaluan Jordanin, ia filluan prej Aroerit dhe prej qytetit që është në mes të luginës dhe kaluan prej andej drejt Gadit e Jazerit.
- 6 Arritën në Galaad dhe në tokën e hetenjve në Kades dhe shkuan në Dan. Prej Danit u drodhën në Sidon
- 7 e arritën në qytezën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e Heveut e të Kananeut dhe dolën në Nagebin e Judës në Bersabee.
- 8 Pasi kaluan mbarë tokën, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh.
- 9 Joabi ia dha mbretit numrin e regjistrimit të popullit: Izraeli kishte tetëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës ishin pesëqind mijë luftëtarë.Murtaja dhe falja e Zotit
- 10 Por pasi kreu Davidi regjistrimin, filloi ta brejë ndërgjegjja e Davidi i tha Zotit: Me këtë veprim kam bërë mëkat të madh, por tani po të lutem, o Zot, falja shërbëtorit tënd fajin, sepse kam vepruar tepër marrëzisht.
- 11 Kur u ngrit Davidi në mëngjes, fjala e Zotit i kishte ardhur Gadit profet, vëguesit të Davidit. I kishte thënë:
- 12 Shko e thuaj Davidit: Kështu thotë Zoti: Po t`i parashtroj tri gjëra, zgjidh njërën ndër to dhe atë do ta bëj.
- 13 Gadi erdhi te Davidi dhe e lajmëroi. I tha: A do të vijnë tre vjet urie në tokën tënde, ose të ikësh tre muaj para armiqve të tu e ata të të ndjekin, ose të ketë tri ditë murtajë në tokën tënde? Tani pleqëro dhe vendos çfarë më duhet t`i përgjigjem atij që më ka dërguar?
- 14 Atëherë Davidi i tha Gadit: Jam tepër ngushtë! Por më mirë le të biem në duar të Zotit;sepse e madhe është mëshira e tij;sesa në duar të njerëzve.
- 15 Dhe Davidi zgjodhi murtajën.Ishte koha e korrjes së grurit. Dhe Zoti e çoi murtajën në Izrael prej mëngjesit e deri në kohën e caktuar dhe vdiqën prej popullit që nga Dani e deri në Bersabee shtatëdhjetë mijë vetë.
- 16 Kur engjëlli i Zotit e shtriu dorën e vet përmbi Jerusalem për ta asgjësuar, iu dhimb Zotit për shkak të asaj së keqeje e i tha engjëllit shuplakues të popullit: Mjaft! Ndale tani dorën tënde!Atëherë engjëlli ndodhi te lëma e Areunë Jebuseut.
- 17 Davidi, kur e pa engjëllin, vrasësin e popullit, i tha Zotit: Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç`të keqe kanë bërë? Le të bjerë dora jote mbi mua e mbi familjen e tim eti!Ndërtimi i një lteri
- 18 Po atë ditë Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: Ngrihu dhe ndërto për nder të Zotit një lter në lëmin e Areunë Jebuseut.
- 19 Dhe Davidi shkoi me fjalën e Gadit si i kishte urdhëruar Zoti.
- 20 Kur shikoi Areuna, pa se mbreti dhe oborrtarët e tij po shkonin tek ai.
- 21 Areuna doli përpara, u përkul me fytyrë përdhe në shenjë nderimi e tha: Ç`e mirë ka ndodhur që të vijë imzot mbreti te shërbëtori i tij? Davidi iu përgjigj: Për ta blerë prej teje këtë lëmë e për të ndërtuar një lter për nder të Zotit që të pushojë vdekja që po rëndon mbi popull.
- 22 Areuna i tha Davidit: Le ta marrë dhe le të flijojë imzot mbreti si t`i pëlqejë. Ja, gjedhi për fli shkrumbimi, qerri dhe pendët e qeve për dru.
- 23 Areuna ia jep mbretit të gjitha, o mbret! Edhe këto i tha Areuna mbretit: E pranoftë Zoti, Hyji yt, kushtin tënd!
- 24 Porse mbreti iu përgjigj: Assesi! Por do t`i blej prej teje e do t`i paguaj sa të kushtojnë se nuk dua t`i kushtoj Zotit, Hyjit tim, fli të dhuruara.Kështu Davidi e bleu atë lëmë dhe gjedhin pesëdhjetë sikla të argjendtë.
- 25 Aty ndërtoi Davidi lterin për nder të Zotit dhe i kushtoi flitë e shkrumbimit dhe të pajtimit.Atëherë Zoti pati dhimbje për vendin dhe pushoi vdekja në Izrael.