Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Vrasja e Isbaalit
- 1 Kur Isbaali, biri i Saulit, mori vesh se kishte mbetur Abneri në Hebron, humbi krejt guximin dhe mbarë popullit i hyri tmerri.
- 2 Biri i Saulit kishte dy prijës çetash. Njëri quhej Baanë e tjetri Rekab. Ishin bijtë e Remonit Berotas, nga fisi i Beniaminit, sepse Beroti mbahet me Beniaminin.
- 3 Berotasit kishin ikur në Getaim dhe aty qëndruan si të ardhur deri në këtë kohë.
- 4 Jonatani, biri i Saulit, kishte një djalë çalaman në të dy këmbët. Ishte pesë vjeç kur prej Jezrahelit erdhi lajmi i zi i Saulit e i Jonatanit. Mëndesha e tij e kapi fëmijën dhe iku; por, ndërsa po nxitonte të ikte, i ra përtokë dhe mbeti çalaman. Quhej Meribaal.
- 5 U çuan, pra, bijtë e Remon Berotit, Rekabi e Baana, dhe erdhën për pikë të vapës te shtëpia e Isbaalit dhe hynë brenda ndërsa ai po flinte në shtrat në pushimin e mesditës. Derëtaren, edhe atë e kishte zënë gjumi duke pastruar grurin.
- 6 Kështu ata hynë brenda në shtëpi dhe Rekabi e vëllai i tij Baani e goditën në baqth e ikën.
- 7 Kur kishin hyrë ata në shtëpi, ai po flinte në shtratin e vet në dhomë. Ata e goditën dhe e vranë, ia morën kokën dhe gjithë natën udhëtuan nëpër Arabë.
- 8 Kokën e Isbaalit ia çuan Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: Ja, koka e Isbaalit, birit të Saulit, armikut tënd, i cili kërkonte të të vriste. Por Zoti deshi t`i lejonte hakmarrje imzotit mbret në këtë ditë mbi Saulin dhe mbi farën e tij.
- 9 E Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Baanës, vëllait të tij, bijve të Remonit berotas, dhe u tha: Pasha Zotin e gjallë që më shpëtoi nga çdo rrezik,
- 10 në qoftë se atë që më lajmëroi e më tha: `Sauli ka mbetur!` e që kujtonte se po më sjell një sihariq, e kapa dhe e vrava në Siceleg;të cilit i thoshte mendja se do ta paguaja për lajmin
- 11 po çka do t`ju bëj tani njerëzve të pashpirt që e vranë njeriun pa u pasë bërë kurrfarë faji, madje në shtëpinë e vet e në shtratin e vet?! Po a nuk do ta kërkoj gjakun e tij prej duarve tuaja e nuk do t`ju zhduk nga kjo botë?!
- 12 Atëherë Davidi u dha urdhër ushtarëve të vet dhe i vranë. Pastaj u prenë duart e këmbët dhe i varën te liqeni në Hebron. Pastaj morën kokën e Isbaalit dhe e varrosën në varrezën e Abnerit në Hebron.