Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Davidi i shuguruar mbret i Izraelit
- 1 Atëherë erdhën të gjitha fiset e Izraelitte Davidi në Hebron dhe i thanë: Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt.
- 2 Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: `Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin`.
- 3 Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin.
- 4 Davidi kishte tridhjetë vjet kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për dyzet vjet:
- 5 në Hebron mbretëroi mbi Judën shtatë vjet e gjashtë muaj, kurse në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e tri vjet mbi mbarë Izraelin e Judën.Pushtimi i Jerusalemit
- 6 U çua mbreti dhe të gjithë njerëzit që ishin me të e shkoi në Jerusalem kundër jebusenjve që popullonin vendin. Ata i thanë Davidit: Ti s`do të hysh këtu, por do të të dëbojnë të verbërit e të çalët, që donin të thoshin: S`do të mund të hyjë këtu Davidi.
- 7 Por Davidi e pushtoi kështjellën Sion: d. m. th. qytetin e Davidit.
- 8 Davidi kishte thënë atë ditë: Secili që do t`i vrasë jebusenjtë, le t`i kapë nëpër kanal të kroit... ndërsa të çalët dhe të verbërit i urren shpirti i Davidit. Këndej edhe u trajtua thënia: I verbëri dhe çalamani të mos hyjnë në shtëpi.
- 9 Davidi banoi në kështjellë dhe e quajti Qyteti i Davidit. Atëherë Davidi i ndërtoi muret rrethuese prej Milos e brenda.
- 10 Davidit gjithnjë i rritej pushteti, sepse Zoti, Hyji i ushtrive, ishte me të.
- 11 Po edhe mbreti i Tirit Hirami dërgoi te Davidi delegatë me dru cedri, gdhendës e muratorë mjeshtër muri dhe ia ndërtuan shtëpinë e Davidit.
- 12 Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte përforcuar mbret mbi Izraelin dhe se e kishte lartësuar mbretërinë e tij prej dashurisë që kishte ndaj popullit të vet Izraelit.Djemtë e Davidit në Jerusalem
- 13 Pasi erdhi Davidi prej Hebronit, mori edhe ja e gra të tjera prej Jerusalemit. Kështu i lindën Davidit edhe të tjerë djem e vajza.
- 14 Dhe ja, emrat e atyre që i lindën Davidit në Jerusalem: Samuai, Sobabi, Natani, Salomoni,
- 15 Jebahari, Elisuai, Nafegu,
- 16 Jafiai, Elisama, Elioda dhe Elifaleti.Fitorja kundër filistenjve
- 17 Kur morën vesh filistenjtë se Davidin e kishin shuguruar mbret mbi Izraelin, dolën të gjithë për ta kapur Davidin. Kur dëgjoi Davidi për këtë gjë, zbriti në kështjellë.
- 18 Kurse filistenjtë u shpëdanë nëpër luginën Rafaim.
- 19 Davidi e pyeti Zotin e tha: A t`i sulmoj filistenjtë? A do t`i lëshosh në dorën time? Zoti iu përgjigj Davidit: Sulmoji, sepse me siguri do t`i lëshoj filistenjtë në dorën tënde.
- 20 Kështu, pra, Davidi erdhi në Baalfarasim /d. m. th. Zoti i depërtimeve/, i mundi dhe tha: Depërtoi Zoti nëpër armiqtë e mi para meje siç depërton uji. Për këtë arsye atij vendi iu vu emri Baalfarasim.
- 21 I lanë aty idhujt e vet e Davidi dhe njerëzit e tij i morën.
- 22 Filistenjtë u ngjitën përsëri dhe u shpëdanë nëpër luginën e refaimëve.
- 23 Davidi e pyeti përsëri Zotin. Zoti iu përgjigj: Mos i sulmo ballë për ballë, por sillu pas shpinës së tyre e dilu në sulm nga ana e pyllit të balsamëve.
- 24 Kur ta dëgjosh krismën e hapave përmbi majat e balsamëve, atëherë sulu në përleshje, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për t`i goditur ushtritë e filistenjve.
- 25 Davidi veproi siç i kishte urdhëruar Zoti dhe i shfarosi filistenjtë që nga Gabaoni deri në hyrje të Gezerit.