Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Arka e Besëlidhjes në Jerusalem
- 1 Përsëri Davidi i bashkoi të gjithë të zgjedhurit e Izraelit;tridhjetë mijë vetë.
- 2 U ngrit Davidi e shkoi bashkë me ushtrinë që ishte me të në Baalë të Judës për ta sjellë prej andej Arkën e Hyjit, mbi të cilën qe thirrur Emri i Zotit të ushtrive, që rri mbi kerubinë.
- 3 Pasi e morën Arkën e Hyjit nga shtëpia e Abinadabit, që ishte mbi kodër, e vunë në karrocë të re. Oza dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, e përcillnin karrocën:
- 4 Oza ecte përskaj Arkës, kurse Ahioi i printe.
- 5 Ndërkaq Davidi dhe mbarë Izraeli kërcenin në praninë e Zotit, këndonin gjithsa kishin fuqi të përcjellë me cetra, lira, tupana, dajre e cimbale.
- 6 Porse kur arritën te lëmi i Nakonit, Oza shtriu dorën nga Arka e Hyjit dhe u mbajt, sepse qetë, duke u ngutur, gati e rrëzuan.
- 7 Por zemërimi i Zotit u ndez kundër Ozës dhe e goditi për shkak të guximit të tepruar dhe vdiq po aty përskaj Arkës së Hyjit.
- 8 Davidit i erdhi keq që Zoti e shitoi Ozën. Ai vend u quajt Faresoza /d. m. th. JaOzës/ deri në ditën e sotme.
- 9 Atë ditë Davidin e kapi frika e Zotit e tha: Si do të hyjë tek unë Arka e Zotit?
- 10 E nuk e çoi Arkën e Zotit te vetja në qytetin e Davidit, por e çoi në shtëpinë e Obededom Geteut.
- 11 Kështu Arka e Zotit qëndroi në shtëpinë e Obededom Geteut tre muaj dhe Zoti e bekoi Obededomin dhe mbarë familjen e tij.
- 12 E lajmëruan Davidin mbret: Zoti e bekoi Obededomin me gjithçka ka për shkak të Arkës së Zotit. Atëherë shkoi Davidi dhe e solli prej shtëpisë së Obededomit Arkën e Zotit në qytetin e Davidit me gëzim të madh.
- 13 Posa bënë gjashtë hapa, ata që bartnin Arkën e Zotit, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë.
- 14 Davidi vallëzonte gjithsa kishin fuqi para Zotit. Porse Davidi ishte i mbështjellë vetëm me shpinor të linjtë.
- 15 Kështu Davidi dhe mbarë Izraeli e bartnin Arkën e Zotit duke brohoritur e duke i rënë borisë.
- 16 Kur Arka e Zotit hyri në qytetin e Davidit, Mikola, bija e Saulit, duke këqyrur nëpër dritare, e pa Davidin tek hidhej e kërcente para Zotit dhe e përbuzi në zemrën e vet.
- 17 Atëherë e shtinë Arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj në mes të tendës që kishte ngrehur Davidi për të. Atëherë Davidi kushtoi para Zotit fli shkrumbimi dhe fli pajtimi.
- 18 Kur mbaroi së flijuari flinë e shkrumbimit dhe flitë e pajtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive.
- 19 Atëherë i ndau shumicës së Izraelit, secilit burrë e secilës grua nga një bukë, nga një copë mish dhe nga një ëmbëlsirë rrushi. U shpëda mbarë populli dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.
- 20 Kur u kthye Davidi për të bekuar edhe familjen e vet, i doli para Mikola, bija e Saulit, e i tha Davidit: Oh, sa i madhërishëm qe sot mbreti i Izraelit duke e zbuluar veten para shërbëtoreve të shërbëtorëve të vet sikurse zbulohet një rrugaç!
- 21 Davidi iu përgjigj Mikolës: Unë vallëzoj para Zotit. Qoftë bekuar Zoti që më zgjodhi mua në vend të tët eti e të mbarë shtëpisë së tij, për të më bërë prijësin e mbarë popullit të Zotit, Izraelit.
- 22 Do të luaj para Zotit e do të bëhem edhe më i përvuajtur se ç`u bëra e do ta përul vetveten para syve të mi, por para shërbëtoreve, për të cilat ti po thua, do të dukem edhe më i madhërishëm.
- 23 Prandaj Mikola, e bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri në ditën e vdekjes së vet.