Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Profecia e Natanit
- 1 Tashti, kur mbreti zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth,
- 2 i tha Natanit profet: A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura!
- 3 Natani i tha mbretit: Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty.
- 4 Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
- 5 Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar?
- 6 Por unë nuk kam banuar kurrë në shtëpi që prej asaj dite që nxora Izraelin prej tokës së Egjiptit deri në këtë ditë, por endesha nën Tendë ja më ja.
- 7 Nëpër të gjitha ato vende që i përshkova me bijtë e Izraelit, a i kam thënë ndonjëherë ndonjërit prej Gjyqtarëve të Izraelit, të cilit i kisha urdhëruar të kullotë popullin tim Izraelin: Pse nuk ma ndërtuat shtëpinë prej cedri?
- 8 Tani kështu m`i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin,
- 9 dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i shfarosva të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë.
- 10 Unë do t`ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë,
- 11 prej ditës kur i caktova Gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë.
- 12 Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme.
- 13 Ai do të m`ia ndërtojë emrit tim Shtëpinë, kurse unë do ta bëj të amshueshëm fronin e tij mbretëror.
- 14 Unë do t`i jem babë e ai do të jetë bir. Nëse do të bëjë ndonjë të keqe, do ta ndëshkoj me thupër njerëzish e me të rëna që japin bijtë e njeriut.
- 15 Porse përkrahjen time s`do t`ia mungoj, siç ia mungova Saulit, të cilin e hoqa prej fronit para teje.
- 16 Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim.
- 17 Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe tërë këtë vëgim.Lutja e Davidit
- 18 Atëherë mbreti David hyri e u ul para Zotit dhe tha: Kush jam unë, o Zot Hyj, dhe ç`është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?
- 19 Madje edhe kaq t`u duk pak për sytë e tu, o Zot Hyj! por ma dhe fjalën edhe për familjen e shërbëtorit tënd të një ardhmërie të largët: kjo është një ligj për njeriun, o Zot Hyj!
- 20 Çfarë do të mund të thoshte tjetër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot Hyj!
- 21 Për shkak të fjalës sate e në saje të zemrës sate i ke kryer të gjitha këto punë të mrekullueshme duke ia dëftuar shërbëtorit tënd.
- 22 Me të vërtetë je i madhërueshëm, o Zot Hyj, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe përveç teje s`ka tjetër Perëndi, mu ashtu siç e kemi dëgjuar me veshët tanë!
- 23 A ka ndokund vetëm edhe një komb tjetër përmbi tokë porsi populli yt Izraeli, për të cilin të ketë ardhur Hyji për ta shpërblyer atë për popull të vetin, për ta bërë të përmendur, duke kryer për të vepra të madhërishme e të tmerrshme duke i zhdukur popujt idhujtarë dhe zotat e tyre para popullit tënd që e shpërbleve për vete prej robërisë së Egjiptit?
- 24 Ti e bëre popullin tënd, Izraelin, popull të përhershëm për vete dhe ti, o Zot, u bëre Hyji i tyre.
- 25 Tani, o Zot, fjalën që ke dhënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij, çoje në vend përgjithmonë e bëj siç je zotuar.
- 26 Le të madhërohet Emri yt për amshim e le të thuhet: `Zoti i ushtrive është Hyji i Izraelit`! Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd Davidit le të jetë e qëndrueshme për amshim para Teje!
- 27 Në të vërtetë, ti, o Zot i ushtrive, Hyji i Izraelit, i ke bërë këtë zbulim shërbëtorit tënd dhe i ke thënë: `Unë do të të ndërtoj një shtëpi`! Prandaj edhe shërbëtori yt e mori guximin të ta drejtojë këtë lutje.
- 28 E tani, o Zot Hyj, ti je Hyj dhe fjalët e tua janë të vërteta e ti i premtove shërbëtorit tënd këto të mira.
- 29 Denjohu, pra, ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të jetë përherë e qëndrueshme para teje, sepse ti, o Zot Hyj, e ke dhënë fjalën e me bekimin tënd do të jetë për amshim e bekuar shtëpia e shërbëtorit tënd.