Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Shugurimi i Davidit dhe porosia për njerëzit e Jabesit
- 1 Pas kësaj, Davidi e pyeti Zotin: A do të shkoj në ndonjërin prej qyteteve të Judës? E Zoti iu përgjigj: Shko! Atëherë Davidi i tha: Në cilin të shkoj? Ai iu përgjigj: Në Hebron.
- 2 Kështu, pra, shkoi Davidi e dy gratë e tija, Akinoama, nga Jezraheli, dhe Abigajla, gruaja e Nabalit, prej Karmelit.
- 3 Po kështu Davidi mori me vete edhe të gjithë njerëzit që ishin me të, secilin me familjen e vet dhe ngulën në fshatrat e Hebronit.
- 4 Atëherë erdhën njerëzit e Judës dhe aty e lyen Davidin për mbret që të sundojë mbi shtëpinë e Judës.I çuan fjalë Davidit se njerëzit e Jabesit të Galaadit e kishin varrosur Saulin.
- 5 Prandaj edhe Davidi i dërgoi lajmëtarët te njerëzit e Jabesit të Galaadit dhe u tha: Paçi bekimin e Zotit që keni kryer këtë vepër mëshire ndaj zotërisë tuaj Saulit, që e keni varrosur.
- 6 Prandaj Zoti ju paftë me dashurinë e vet e me besnikërinë e vet; po edhe unë nuk do të harroj t`ju bëj gjithashtu mirë, pasi e keni bërë këtë punë të mirë.
- 7 Tani meri zemër e jini burra të fortë. Megjithëse ka vdekur Sauli, zotëria juaj, prapëseprapë shtëpia e Judës më ka lyer mua për mbret të vetin.Abneri e vë Isbaalin për mbret të Izraelit
- 8 Porse Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, e mori Isbaalin, djalin e Saulit, e çoi në Mahanaim
- 9 dhe aty e bëri mbret mbi Galaadin, mbi Aserin, mbi Jezrahelin, mbi Efraimin, mbi Beniaminin dhe mbi mbarë Izraelin.
- 10 Isbaali, biri i Saulit, kur filloi të mbretërojë, kishte dyzet vjet dhe mbretëroi dy vjet. Vetëm fisi i Judës e ndiqte Davidin.
- 11 Davidi mbretëroi mbi shtëpinë e Judës me qëndrim në Hebron shtatë vjet e gjashtë muaj.Lufta ndërmjet Judës e Izraelit. Beteja në Gabaon
- 12 Doli Abneri, biri i Nerit, e shërbëtorët e Isbaalit, të birit të Saulit, prej Mahanaimit në drejtim të Gabaonit.
- 13 Po ashtu edhe Joabi, biri Sarvisë, dhe shërbëtorët e Davidit dolën edhe ata dhe u takuan në brigjet e liqenit të Gabaonit. Këta qëndronin në njërën anë të liqenit, kurse ata në anën tjetër.
- 14 Abneri i tha Joabit: Le të ngrihen djelmoshat e le të luftojnë para nesh. Joabi iu përgjigj: Le të çohen!
- 15 U ngritën pra, prej anës së Isbaalit, birit të Saulit, prej Beniaminit e u rreshtuan dymbëdhjetë vetë, po edhe dymbëdhjetë nga ana e djelmoshave të Davidit.
- 16 Çdonjëri kapi kundërshtarin e vet për koke e ia nguli shpatën në ije, kështu që të gjithë ranë vdekur së bashku. Për këtë arsye ai vend u quajt Fusha e Ijeve e ndodhet te Gabaoni.
- 17 Përleshja u bë atë ditë shumë e ashpër dhe Abneri me njerëzit e Izraelit qe vënë në ikje prej djelmoshave të Davidit.
- 18 Aty ndodheshin tre bijtë e Sarvisë: Joabi, Abisai dhe Asaeli. Porse Asaeli ishte vrapues tejet i shpejtë, porsi sorkadhi në fushë të larë.
- 19 Asaeli iu vu në shpinë Abnerit dhe nuk i shmangej as djathtas as majtas, por e ndiqte drejt Abnerin.
- 20 Abneri e solli kokën prapa dhe tha: A mos je ti Asael? Ai iu përgjigj: Unë jam!
- 21 Abneri i tha: Shko djathtas ose majtas, kap një djalosh dhe merri plaçkat e tija. Por Asaeli nuk deshi ta linte e të mos e ndiqte.
- 22 Përsëri Abneri i tha Asaelit: Hiqu! Mos më ndiq më. Mos më detyro të të godas e të të përplas për tokë. Atëherë s`do të mund t`i ngre sytë e mi e ta shikoj Joabin, vëllanë tënd.
- 23 Por ky s`deshi të bindej e të largohej. Atëherë Abneri i ra me anën e sprasme të heshtës në baqth dhe heshta i doli anëpërtej. Aty edhe vdiq. Dhe të gjithë që kalonin aty ndaleshin e shikonin vendin ku ra dhe vdiq Asaeli.
- 24 Por Joabi e Abisai e ndoqën Abnerin që po ikte derisa perëndoi dielli. Arritën deri në malin Amë, që është përballë Gajahut në udhën e shkretëtirës drejt Gabaonit.
- 25 Atëherë u bashkuan bijtë e Beniaminit me Abnerin, u mblodhën në çetë dhe zunë vend në majë të një bregu.
- 26 Atëherë Abneri i thirri Joabit: Deri në shfarosje do të tërbohet shpata jote a? A s`po sheh se dëshpërimi po na sjell rrënim? Deri kur nuk do t`i urdhërosh popullit që të zërë vend e të mos i ndjekë vëllezërit e vet?
- 27 Joabi iu përgjigj: Pasha Hyjin e gjallë, po të mos kishe folur, deri në mëngjes populli nuk do të ishte ndalur duke ndjekur secili vëllanë e vet.
- 28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë ushtria u ndal. Nuk e ndoqi më Izraelin dhe nuk luftuan më.
- 29 Abneri dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë atë natë nëpër Arabë, e kaluan Jordanin dhe, pasi kaluan tërë grykën e Betronit, arritën në Mahanaim.
- 30 Kurse Joabi e la ndjekjen e Abnerit dhe bashkoi ushtrinë. Atëherë panë se prej ushtrisë së Davidit mungonin nëntëmbëdhjetë burra, përveç Asaelit.
- 31 Shërbëtorët e Davidit vranë treqind e gjashtëdhjetë vetë prej beniaminëve, ushtarëve të Abnerit.
- 32 E morën Asaelin dhe e varrosën në varrezën e t`et në Betlehem. Pastaj Joabi dhe njerëzit që ishin me të, vazhduan udhën gjithë natën dhe në agim arritën në Hebron.