Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Bartja e Arkës së Besëlidhjes
- 1 Atëherë Salomoni i bashkoi në Jerusalem te vetja;te mbreti Salomon;gjithë parinë e Izraelit: të gjithë të parët e fiseve, prijësit e vëllazërive të bijve të Izraelit për ta bartur Arkën e Besëlidhjes së Zotit prej Qytetit të Davidit, d. m. th. prej Sionit.
- 2 Të gjithë izraelitët u bashkuan të mbreti Salomon në muajin Etanim, d. m. th. në muajin e shtatë, në festë.
- 3 Kur erdhën të parët e Izraelit, priftërinjtë e morën Arkën
- 4 dhe e bartën Arkën e Zotit, Tendën e Takimit dhe të gjitha enët e Shenjtë rores që ishin në Tendë. I bartën priftërinjtë e levitët.
- 5 Mbreti Salomon dhe mbarë pupulli i Izraelit që ishte mbledhur rreth tij, së bashku me të flijonin para Arkës dele e gjedhë aq shumë, saqë s`mund të çmoheshin as të numëroheshin.
- 6 Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj në Dabirin e Tempullit, në Shenjtëroren e shenjtëroreve, nën krahët e kerubinëve.
- 7 Kështu kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e Arkës dhe mbronin Arkën edhe shtagat e saja.
- 8 Shtagat ishin të gjata dhe majat e tyre shiheshin përjashta në Dabir në Shenjtërore, por përjashta Dabirit nuk shiheshin. Aty janë deri në ditën e sotme.
- 9 Në Arkë nuk kishte tjetër përveç dy rrasave guri që i kishte futur në të Moisiu në Malin Horeb, kur Zoti lidhi Besëlidhje me bijtë e Izraelit pasi kishin dalë prej tokës së Egjiptit.Hyji e merr për pronë të vetën Tempullin
- 10 Posa dolën priftërinjtë prej shenjtërores, reja e mbushi Shtëpinë e Zotit
- 11 dhe priftërinjtë nuk mund të qëndronin e të shërbesonin për shkak të resë: dhe njëmend lavdia e Zotit e kishte mbushur Shtëpinë e Zotit.
- 12 Atëherë Salomoni tha: Zoti vendosi të banojë në renë e errët.
- 13 Unë, pra, bëra mirë që të ndërtova një Shtëpi të madhërishme, një fron të qëndrueshëm e të përhershëm për ty.Fjalimi që Salomoni i mbajti popullit
- 14 Mbreti u soll dhe e bekoi mbarë bashkë sinë e Izraelit: mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte në këmbë.
- 15 Salomoni tha: Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që me gojën e vet i premtoi babait tim Davidit dhe me dorën e vet çoi në vend ato që tha:
- 16 `Prej ditës që e nxora popullin tim, Izraelin nga Egjipti, nuk kam zgjedhur asnjë qytet prej të gjitha fiseve të Izraelit që të më ndërtohej një Shtëpi, ku të qëndrojë Emri im, por zgjodha Davidin që të jetë në krye të popullit tim, Izraelit.`
- 17 Im atë Davidi deshi të ndërtojë një Shtëpi për nder të Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit,
- 18 porse Zoti i tha Davidit, babait tim: `Ti ke menduar të ndërtosh një Tempull për nder të Emrit tim. Ke bërë mirë që ke menduar një punë të tillë.
- 19 Megjithatë, ti mos e ndërto Shtëpinë për nder të Emrit tim. Shtëpinë për nder të Emrit tim do të ma ndërtojë biri yt që do të rrjedhë prej ijës sate`.
- 20 Zoti përmbushi premtimin e vet që kishte dhënë. E trashëgova tim atë dhe hipa në fronin e Izraelit, ashtu siç ka thënë Zoti dhe e ndërtova Shtëpinë për nder të Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit.
- 21 Në të caktova një vend për Arkën, në të cilën është Besëlidhja e Zotit, që ka lidhur me etërit tanë kur i nxori nga dheu i Egjiptit.Lutja personale e Salomonit
- 22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e tija drejt qiellit
- 23 dhe tha: O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besë lidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër.
- 24 Ti mbajte fjalën që i dhe shërbëtorit tënd Davidit, babait tim: çfarë i premtove me gojë, ia plotësove me dorë siç e vërteton dita e sotme.
- 25 E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, mbaja fjalën Davidit, tim eti, që i pate dhënë kur i the: `Nuk do të mugojë para meje trashëgimtari që rrjedh prej teje, i cili do të rrijë mbi fronin e Izraelit, në qoftë se bijtë e tu do të jenë të kujdesshëm në sjelljen e vet duke ecur para meje ashtu siç ke ecur ti para meje`.
- 26 E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, le të plotësohet fjala, që i ke dhënë Davidit, babait tim, shërbëtorit tënd.
- 27 Dhe njëmend, a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova!
- 28 Por, deh, vëri veshin lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton sot para teje!
- 29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: `Këtu do të jetë Emri im`! Dëgjoje lutjen që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend!Lutja për popullin
- 30 Denjohu ta plotësosh lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me lutje në këtë vend! Dëgjo prej vendit ku banon, prej qiellit: dëgjo e fal!
- 31 E, në rast se ndokush ka mëkatuar kundër të afërmit të vet, e, nëse i vihet beja me mallkim e nëse vjen për t`u betuar para lterit tënd në këtë Shtëpi,
- 32 dëgjo prej qiellit, ndërhyr e ndaj drejtësi ndërmjet shërbëtorëve të tu; dënoje të mbrapshtin kështu që sjellja e tij e keqe të bjerë mbi kokën e tij, kurse shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij!
- 33 E kur Izraeli, populli yt, do të jetë mundur prej armikut sepse do të ketë mëkatuar kundër teje, në qoftë se kthehet nga ti, në qoftë se i jep lavdi Emrit tënd, nëse të lutet e kërkon ndihmën tënde në këtë Shtëpi,
- 34 Ti vështroje prej qiellit, fale mëkatin e popullit tënd Izraelit e ktheje në vendin që u ke dhuruar etërve të tyre.
- 35 Nëse do të ndryhet qielli e nuk do të bjerë shi për shkak të mëkateve të tyre, por në qoftë se luten në këtë vend, nëse i japin lavdi Emrit tënd, nëse kthehen prej mëkateve të tyre sepse ti i ke ndëshkuar,
- 36 dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu e të popullit tënd Izraelit dhe dëftoju rrugën e drejtë nëpër të cilën të ecin e jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe popullit tënd për pronë.
- 37 E kur ta kapë vendin uria, murtaja, ose kllogjra, karkaleci ose vemja; ose ta ngushtojë armiku duke i rrethuar qytetet; ose ta mundojë çfarëdo ngushtimi tjetër ose sëmundjeje,
- 38 në qoftë se ndonjë njeri, cilido prej popullit tënd Izraelit, lutet e përlutet, pasi ta ketë sprovuar bremjen e ndërgjegjes në zemër, e i shtrin duart e veta drejt kësaj Shtëpie,
- 39 Ti dëgjo prej qiellit, vendit ku banon, fal, ndërhyr e jepi secilit sipas sjelljes së tij, sepse ti e njeh zemrën e secilit;sepse i vetmi ti e njeh zemrën e të gjithë bijve të njerëzve
- 40 që të nderojnë ty në të gjitha ditët e jetës se tyre përmbi faqen e tokës qe ua dhe etërve të tyre.Plotësime
- 41 Po edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd Izraelit, që të ketë ardhur prej një vendi të largët për të nderuar Emrin tënd
- 42 sepse për Emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të pushtetshme e për krahun tënd të tendur do të dëgjohet gjithkund -nëse vjen pra, e lutet në këtë vend,
- 43 Ti dëgjo prej qiellit, prej vendit të banesës sate, dhe plotëso gjithçka të të kërkojë i huaji, që të gjithë popujt e vendeve të ndryshme ta njohin Emrin tënd e të druan Ty porsi populli yt Izraelit, e le të shohin me sytë e vet se ka qenë thirrur Emri yt mbi këtë Shtëpi që ndërtova.
- 44 Kur të ketë dalë populli yt në luftë kundër armiqve të tij, duke ndjekur udhët që ti t`ia kesh urdhëruar, e të lutet ty i drejtuar drejt qytetit që ke zgjedhur dhe drejt Shtëpisë që ndërtova për nder të Emrit tënd,
- 45 dëgjo prej qiellit lutjet e përlutjet e tyre dhe bëj të ngadhënjejë e drejta.
- 46 E në qoftë se do të mëkatojnë kundër teje;sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton;e ti, i hidhëruar, do t`i lëshosh në duar të armiqve të tyre dhe pushtuesit e tyre do t`i skllavrojnë e do t`i tresin në tokën e armiqve larg ose afër;
- 47 e, nëse në vendin ku do të jenë skllevër, do të pendohen e, të kthehen kah ti me gjithë zemër në vendin ku të jenë të humbur e nëse të luten në skllavërinë e tyre e të thonë: `Mëkatuam, bëmë të keqen, vepruam kobësi`,
- 48 e të kthehen kah ti me gjithë zemrën e vet e me gjithë shpirtin e vet në tokën e armiqve të vet, ku të jenë të humbur si skllevër e në qoftë se do të luten në drejtim të vendit të vet, që ua dhe etërve të tyre, e në drejtim të qytetit që zgjodhe për vete, e të Tempullit që ndërtova për nder të Emrit tënd,
- 49 ti dëgjo në qiell, prej fronit tënd të patrandshmit, uratat e lutjet e tyre e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre.
- 50 Fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje, fali të gjitha fyerjet që i ka bërë kundër teje e bëj që pushtuesit të kenë mëshirë ndaj tyre, të kenë dhembje për ta ata që i kanë robëruar
- 51 sepse është populli yt e prona jote, të cilët ti i nxore prej tokës së Egjiptit, prej furrës së shkrirjes së hekurit.Përfundimi i lutjes e bekimi i popullit
- 52 Priri sytë e tu mbi lutjen e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, e dëgjo gjithçka që do të kërkojnë prej teje.
- 53 Sepse ti i ndave veçmas prej të gjithë popujve që janë mbi tokë për pronën tënde, siç ke thënë vetë me gojë të Moisiut, shërbëtorit tënd, kur i nxore etërit tanë prej Egjiptit, O Zot, Hyj!
- 54 Kur Salomoni e kreu këtë lutje e përlutje drejtuar Zotit, u ngrit prej vendit para lterit të Zotit, ku kishte qenë ulur në të dy gjunjët me duar të shtrira drejt qiellit.
- 55 Qëndroi, pra, në këmbë, e bekoi mbarë bashkësinë e Izraelit dhe tha me zë të lartë:
- 56 Qoftë bekuar Zoti që i dha qetësi popullit të vet, Izraelit, krejtësisht ashtu siç ia ka premtuar: s` shkoi kot asnjë gjë prej atyre të mirave që i premtoi përmes gojës së Moisiut, shërbëtorit të vet.
- 57 Qoftë me ne Zoti, Hyji ynë, siç ka qenë me etërit tanë, ai mos na lëntë dhe kurrë mos na dëboftë,
- 58 por i prirtë zemrat tona drejt vetes, që të ecim gjithmonë udhëve të tija e t`i ruajmë urdhërimet, rregulloret e ligjet e tija, të gjitha që ua urdhëroi etërve tanë.
- 59 Këto fjalë që i përdora për t`iu lutur Zotit, qofshin ditë e natë para syve të Zotit, Hyjit tonë, për t`i dhënë të drejtat shërbëtorit të vet e popullit të vet Izraelit si një ditë për ditë,
- 60 kështu që mbarë popujt e botës ta dinë se Zoti është Hyji i vetëm dhe se s`ka tjetër përveç Tij.
- 61 Edhe zemra juaj iu kushtoftë krejtësisht Zotit, Hyjit tonë, me qëllim që ju gjithmonë t`i mbani ligjet e tija e t`i zbatoni urdhërimet e tija, siç po bëni sot.Flitë e festës së kushtimit të Tempullit
- 62 Mbreti dhe mbarë Izraeli me të i kushtuan fli Zotit.
- 63 Salomoni i kushtoi Zotit flinë e pajtimit;si fli pajtimi që i kushtoi Zotit ishin: bagëti të trasha njëzet e dy mijë e bagëti të imëta njëqind e njëzet mijë. Kështu mbreti dhe të gjithë bijtë e Izraelit e kushtuan Tempullin e Zotit.
- 64 Atë ditë mbreti e shuguroi qendrën e tremes që ishte para Shtëpisë së Zotit; sepse aty kushtoi flinë e shkrumbimit, flinë e kushtimit dhe dhjamin e flive të pajtimit, sepse lteri i bronztë ishte tepër i vogël për të zënë flinë e shkrumbimit, flinë e kushtimit dhe dhjamin e flive të pajtimit.
- 65 Me këtë rast Salomoni e mbarë Izraeli bënë një festim të madh: ishte në praninë e Zotit, Hyjit tonë, për shtatë ditë rresht bashkësia e mbledhur prej hyrjes së Ematit e deri në lumin e Egjiptit.
- 66 Të tetën ditë e la popullin të shkojë. Këta, pasi e përshëndetën mbretin, shkuan plot gëzim e me zemrën mal në tendat e veta të kënaqur për të gjitha të mirat që Zoti i kishte dhënë Davidit, shërbëtorit të vet, e Izraelit, popullit të vet.