Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Moabi
- 1 Moabi u çua në kryengritje kundër Izraelit pasi vdiq Akabi.
- 2 Okozia u rrëzua prej ballkonit të dhomës së vet të lartë që e kishte në Samari, u bë i lig dhe dërgoi lajmëtarë me këtë porosi: Shkoni e pyeteni Beelzebubin, zotin e Akaronit, a do të shërohem nga kjo sëmundje.
- 3 Atëherë engjëlli i Zotit foli me Elinë e Tesbiut: Çohu e dilu para lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe thuaju: Pse a nuk ka Hyj në Izrael që po shkoni për ta pyetur Beelzebubin, zotin e Akaronit?
- 4 Për këtë arsye thotë Zoti kështu: Prej shtrojës në të cilën ke rënë, s`do të çohesh, por do të vdesësh! Dhe Elia u largua.
- 5 Lajmëtarët u kthyen tek Okozia, dhe ky i pyeti: Pse u kthyet?
- 6 Ata iu përgjigjën: Na doli përpara një njeri e na tha: Shpejt kthehuni te mbreti që ju ka dërguar, e thuajini: `Kështu thotë Zoti: A thua pse nuk paska Hyj në Izrael, po dërgon të pyetet Beelzebubi, zoti i Akaronit? Prandaj, prej shtratit në të cilin ke rënë, nuk do të çohesh, por do të vdesësh`!
- 7 Mbreti i pyeti: Si ishte nga pamja dhe veshja ai njeri që ju doli përpara e ju tha këto fjalë?
- 8 Ata iu përgjigjën: Ishte njeri i veshur me gëzof dhe i ngjeshur me rrip lëkure rreth ijëve. Ai tha: Është Eli Tesbiti!
- 9 Atëherë mbreti dërgoi kundër Elisë pesëdhjetarin me pesëdhjetë ushtarët e tij. Ky shkoi tek ai dhe e gjeti duke ndenjur në majë të malit. Oficeri i tha: Njeri i Hyjit, mbreti ka urdhëruar të zbresësh!
- 10 Elia u përgjigj e i tha pesëdhjetarit: Nëse unë jam njeri i Hyjit, le të zbresë prej qiellit zjarri e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë njerëzit e tu! E zjarri ra prej qiellit dhe e përpiu atë me pesëdhjetë njerëzit që ishin me të.
- 11 Mbreti sërish dërgoi një pesëdhjetar tjetër me pesëdhjetë njerëz të tjerë. Ky i tha Elisë: Njeri i Hyjit, kështu urdhëron mbreti: `Hajde, zbrit`!
- 12 Elia iu përgjigj: Nëse unë jam njeri i Hyjit, le të zbresë zjarri prej qiellit e le të të përpijë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit e tu! Ra, pra, prej qiellit zjarri i Hyjit, e përpiu atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.
- 13 Mbreti dërgoi përsëri pesëdhjetarin e tretë me të pesëdhjetë ushtarët e tij. Por ky, kur erdhi, ra në gjunjë para Elisë, iu lut e i tha: Njeri i Hyjit, mos e bëj për asgjë jetën time dhe jetën e këtyre pesëdhjetë vetave, shërbëtorëve të tu, që janë me mua.
- 14 Ja, ka zbritur zjarri prej qiellit e i ka përpirë dy pesëdhjetarët e parë dhe nga pesëdhjetë ushtarët që ishin me ta: tani po të lutem që të kesh dhimbje për jetën time.
- 15 Engjëlli i Zotit foli me Elinë e i tha: Zbrit me të e mos ki frikë! Elia u çua e zbriti me të te mbreti
- 16 dhe i tha: Kështu thotë Zoti: Meqenëse i dërgove kasnecët për të pyetur Beelzebubin, zotin e Akaronit, sikur të mos kishte Hyj në Izrael, për të kërkuar fjalën e tij, prej shtratit në të cilin je shtruar, nuk do të ngrihesh, por me siguri do të vdesësh.
- 17 Okozia vdiq sipas fjalës së Zotit që e tha Elia. Pasi nuk la djalë, në këmbë të tij u bë mbret Jorami, vëllai i tij, në vitin e dytë të mbretërisë së Joramit, birit të Jozafatit, mbretit të Judës.
- 18 Veprat e tjera të Okozisë që i bëri, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?