Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Historia e Ataljes
- 1 Atalja, nëna e Okozisë, kur pa se i kishte vdekur i biri, u çua dhe i vrau të gjithë pasardhësit mbretërorë.
- 2 Porse Josaba, bija e mbretit Joram, e motra e Okozisë, e mori Joasin, djalin e Okozisë, e vodhi prej djemve të mbretit që po i vrisnin, si dhe nanshoren e tij dhe i fshehu në dhomën e fjetjes prej syve të Ataljes, që të mos e vritnin.
- 3 Qëndroi i fshehur bashkë me nanshoren në Shtëpinë e Zotit për gjashtë vjet, gjatë kohës sa sundoi Atalja në vend.
- 4 Të shtatin vit Jojada i bashkoi urdhër qindësit e harëve dhe të rojës trupore të mbretit, i futi te vetja në Shtëpinë e Zotit, lidhi me ta besëlidhje dhe i bëri të përbetoheshin në Shtëpinë e Zotit. Atëherë ua dëftoi të birin e mbretit
- 5 dhe u urdhëroi: Ja ç`duhet të bëni: e treta juaj që hyn në shërbim të shtunën, le të ruajë te pallati mbretëror.
- 6 E dyta e tretë te dera Sur, kurse e treta e tretë, ajo që është te dera e sprasme e rojtarëve, le të bëjë roje të dera mbretërore.
- 7 Ndërsa dy njësitë e tjera që janë, ata që të shtunën dalin prej shërbimit, le të bëjnë roje në Shtëpinë e Zotit rreth mbretit.
- 8 Rrini rreth e rreth mbretit me armë në dorë. Kush të provojë të depërtojë rrethin tuaj në Tempull, le të vritet. Ngado që të shkojë mbreti, ju do të jeni me të.
- 9 Centurionët bënë ashtu si u kishte urdhëruar Jojada prift. Secili prej tyre mori njerëzit e vet, ata që të shtunën hynin në shërbim me ata që të shtunën dilnin nga shërbimi, dhe erdhën te Jojada prift.
- 10 Jojada ua dha centurionëve heshtat e shqytat e Davidit mbret që ishin në Shtëpinë e Zotit.
- 11 Rojet, me armë në dorë, qëndruan prej këndit të djathtë të Tempullit e në këndin e majtë të Tempullit, prej lterit e Tempullit, në mënyrë që të rrethonin mbretin.
- 12 E solli birin e mbretit, ia vuri kurorën e i dha Dëshminë. E bënë mbret dhe e shuguruan e, duke rrahur shuplakë, bërtitnin: Rroftë mbreti!
- 13 Atalja, kur e dëgjoi zhurmën e popullit, erdhi te populli në Tempullin e Zotit,
- 14 e pa mbretin: qëndronte në vendin e rëndomtë mbi palk e, përreth tij, prijësit e borizanët, kurse mbarë populli i vendit brohoriste e u binte trumbetave. Atalja i shqeu petkat e veta e bërtiti: Tradhti, tradhti!
- 15 Jojada prift u urdhëroi prijësve të ushtrisë e u tha: Qiteni jashtë rrethit të Tempullit, e kushdo që të shkojë pas saj, le të pritet shpatë. Sepse prifti kishte pasë dhënë urdhër: Mos e vritni në Shtëpinë e Zotit.
- 16 E kapën e, kur ajo arriti te pallati mbretëror rrugës së Hyrjes së Kuajve, e vranë.
- 17 Atëherë Jojada lidhi besëlidhje ndërmjet Zotit, mbretit e popullit që populli të jetë popull i Zotit. Edhe një besëlidhje ndërmjet mbretit e popullit.
- 18 Pastaj mbarë populli i vendit hyri në tempullin e Baalit dhe e rrënuan. I shpartalluan lterët e truporet e tija plotësisht. Po edhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë përbri lterëve.Jojada prift vuri përsëri rojat përreth Shtëpisë së Zotit.
- 19 Mori pastaj centurionët, harët, rojat dhe mbarë popullin e vendit dhe e përcollën mbretin prej Shtëpisë së Zotit dhe, rrugës së derës së Rojave, arritën në pallatin mbretëror. Mbreti u ul mbi fronin e mbretërve.
- 20 Mbarë populli i vendit u gëzua dhe mbarë qyteti ra në fashë kur qe vrarë me shpatë Atalja.