Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Mbretërimi i Joakazit në Izrael
- 1 Në vitin njëzet e tre të mbretërimit të Joasit, mbretit të Judës, mbi Izrael në Samari u bë mbret Joakazi, biri i Jehuit. Mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet.
- 2 Bëri çka është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi mëkatin e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë dhe nuk u shkoq prej atij mëkati.
- 3 Zemërimi i Zotit u ndez flakë kundër Izraelit dhe i lëshoi në dorë të Hazaelit, mbretit të Sirisë, e në dorë të Benadadit, birit të Hazaelit, gjatë tërë asaj kohe.
- 4 Por Joakazi ia doli ta zbusë fytyrën e Zotit dhe Zoti e dëgjoi, sepse e pa gjendjen e vështirë të Izraelit të ndrydhur prej mbretit të Sirisë.
- 5 Zoti i dha Izraelit një shpëtimtar; qe çliruar nga thonjtë e sirianëve dhe izraelitët mundën të banonin në tendat e veta si më parë.
- 6 Megjithatë, nuk u shkoqën nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, që e bëri Izraelin të mëkatojë: jetuan në ato mëkate. Kështu mbeti edhe baniri në Samari.
- 7 Zoti Joakazit nuk i la prej popullit të armatosur tjetër përveç pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë ia kishte vrarë të tjerët e i kishte bërë si pluhurin që shqelmohet në lëmë në shirje.
- 8 Veprat e tjera të Joakazit dhe gjithçka ndërmori si dhe trimëritë e tija, vallë a nuk janë këto të gjitha të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 9 Joakazi pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij u bë mbret i biri, Joasi.Mbretëria e Joasit në Izrael /798-783/
- 10 Në vitin e tridhjeteshtatë të mbretërimit të Joasit, mbretit të Judës, mbret në Samari mbi Izraelin u bë Joasi, biri i Joakazit. Mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.
- 11 Bëri çka është e keqe në sytë e Zotit: nuk u shkoq prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë; ai vazhdoi me to.
- 12 Veprat e tjera të Joasit, dhe gjithçka ndërmori, si dhe trimëritë e tija, si luftoi kundër Amasiut, mbretit të Judës, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 13 Joasi fjeti me etërit e vet e në fronin e tij hipi Jeroboami. Joasi qe varrosur në Samari me mbretërit e Izraelit.Vdekja e Elizeut
- 14 Elizeu u sëmur nga një sëmundje prej së cilës edhe vdiq. Joasi, mbreti i Izraelit, zbriti tek ai dhe qante pranë tij e i thoshte: Ati im! Ati im! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij!
- 15 Elizeu i tha: Merre harkun dhe shigjetat! Kur i solli tek ai harkun e shigjetat,
- 16 Elizeu i tha mbretit të Izraelit: Vëre dorën tënde mbi hark. Kur e vuri dorën mbi hark, Elizeu i vuri duart e veta përmbi duart e mbretit
- 17 e tha: Hape dritaren nga lindja! Kur e hapi, Elizeu i tha: Gjuaj shigjetë! Ai gjuajti. Elizeu tha: Shigjeta ngadhënjyese për nder të Zotit! Shigjeta ngadhënjyese kundër Sirisë! Ti do ta mundësh në Afek Sirinë deri në shfarosje!
- 18 Pastaj i tha: Kapi shigjetat! Pasi ky i kapi, i tha përsëri: Bjeri shigjetë tokës! Si i ra tri herë, zuri vend.
- 19 Njeriu i Hyjit u hidhërua kundër tij dhe i tha: Po t`i kishe rënë pesë ose gjashtë herë, do ta kishe mundur Sirinë deri në shfarosje; tashti do të ngadhënjesh mbi të tri herë.
- 20 Elizeu vdiq dhe qe varrosur. Tashti, në fillim të vitit, erdhën disa cuba prej Moabit në atë vend.
- 21 Disa njerëz që po varrosnin një të vdekur, i panë cubat, e hodhën kufomën në varr të Elizeut dhe ikën. Kur i preku kufoma eshtrat e Elizeut, u ngjall i vdekuri dhe qëndroi në këmbët e veta.Fitorja ndaj sirianëve
- 22 Hazaeli, mbreti i Sirisë, e ndrydhi Izraelin gjatë gjithë jetës së Joakazit.
- 23 Porse Zoti pati mëshirë për ta dhe u kthye prej tyre për shkak të besëlidhjes së vet që, kishte lidhur me Abrahamin, Izakun e Jakobin. Nuk deshi t`i shfaroste as të hiqte krejtësisht dorë prej tyre deri në ditën e sotme.
- 24 Vdiq Hazaeli, mbreti i Sirisë, e në vend të tij mbretëroi Benadadi, i biri.
- 25 Joasi, biri i Joakazit, i mori prej dorës së Benadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ia kishte pushtuar me luftë Joakazit, babait të tij. Tri herë rresht Joasi e mundi Benadadin dhe ia riktheu Izraelit qytetet.