Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Përfundim lidhur me Sunamiten
- 1 Elizeu foli me gruan, djalin e së cilës e kishte kthyer në jetë, e i tha: Çohu e shko ti dhe familja jote kudo në ndonjë vend të huaj e bëj vend për vete, sepse Zoti e ka thirrur urinë e do të vijë mbi këtë vend për shtatë vjet rresht.
- 2 Kjo u çua e bëri si i tha njeriu i Hyjit. Me mbarë familjen e vet emigroi në tokën e filistenjve për shtatë vjet.
- 3 Kur kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye prej dheut të filistenjve. Ajo shkoi te mbreti për t`iu lutur që t`i kthehej shtëpia dhe toka.
- 4 Po atëherë mbreti po bisedonte me Gjiezin, shërbëtorin e njeriut të Hyjit e i thoshte: M`i trego të gjitha punët e mëdha që i ka bërë Elizeu.
- 5 Ndërkohë që ai po i tregonte mbretit se si e kishte ngjallur të vdekurin, ia behu gruaja, së cilës ia kishte ngallur djalin, për t`iu ankuar mbretit lidhur me shtëpinë dhe tokën e saj. Gjiezi tha: Imzot, mbret! Qe gruaja dhe qe djali, të cilin e ngjalli Elizeu!
- 6 Mbreti e pyeti gruan dhe ajo ia tregoi ngjarjen. Mbreti nisi me të një zyrtar dhe i urdhëroi: Ktheji gjithçka është e saja si dhe të gjitha të ardhurat e tokave të saja që prej ditës kur e lëshoi vendin e deri më sot.Elizeu dhe Hazaeli në Damask
- 7 Elizeu shkoi në Damask. Benadadi, mbreti i Sirisë, ishte sëmurur. E lajmëruan e i thanë: Njeriu i Hyjit ka ardhur këtu.
- 8 Mbreti i tha Hazaelit: Merr me vete dhurata dhe dili në takim njeriut të Hyjit. Pyete përmes tij Zotin e thuaji: A do të mund të shpëtoj prej kësaj sëmundjeje?
- 9 Shkoi, pra, Hazaeli në takim me të e i solli dhurata prej gjithë të mirave të Damaskut: dyzet gamile të ngarkuara. Kur qëndroi para tij, i tha: Yt bir Benadadi, mbreti i Sirisë, më dërgoi tek ti. Ai të pyet: `A do të mund të shpëtoj prej këso sëmundjeje`?
- 10 Elizeu iu përgjigj: Shko e thuaji: Do të shërohesh! Porse Zoti më ka treguar se me siguri do të vdesë.
- 11 Atëherë Elizeu u ngri në fytyrë, u skuq, mbeti i hutuar e dikur njeriu i Hyjit ia plasi vajit.
- 12 Hazaeli e pyeti: Pse, imzot, po qan? Ai iu përgjigj: Sepse i di të gjitha të këqijat që do t`ua bësh ti bijve të Izraelit! Ti do t`i djegësh qytetet e tyre të fortifikuara, të rinjtë e tyre do t`i presësh me shpatë, foshjave të tyre do t`ua përdredhësh arrçin, e gratë shtatzëna me thika do t`i shporosh!
- 13 Hazaeli i tha: Po kush jam unë, shërbëtori yt, një qen, që t`i bëj të gjitha këto? Elizeu iu përgjigj: Zoti më dëftoi se ti do të bëhesh mbret i Sirisë.
- 14 Ky u nda nga Elizeu e shkoi te zotëria i vet. Ai e pyeti: Ç`të tha Elizeu? Ai iu përgjigj: Më tha: Do të shërohesh.
- 15 Por të nesërmen mori një mbulesë, e lagu në ujë, ia qiti mbi kokë dhe mbreti vdiq. Në vend të tij u bë mbret Hazaeli.Mbretërimi i Joramit në Judë /848-841/
- 16 Në të pestin vit të mbretërimit të Joramit, birit të Akabit, mbretit të Izraelit;mbret i Judës ishte ende Jozafati;Jorami, biri i Jozafatit, mbretit të Judës, u bë mbret.
- 17 Kishte tridhjetë e dy vjet kur nisi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem tetë vjet.
- 18 Eci udhëve të mbretërve të Izraelit, po ashtu siç kishte ecur shtëpia e Akabit; sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij.
- 19 Megjithatë, Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën për shkak të Davidit, shërbëtorit të vet, siç i ishte zotuar se do t`i jepte një dritëz atij dhe bijve të tij përgjithmonë.
- 20 Në ditët e tij Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën pushtetin e Judës dhe zgjodhi mbretin e vet.
- 21 Jorami shkoi në Seirë dhe me të mbarë karrocat e luftës. Natën u çua dhe i vrau edomasit që kishin rrethuar atë dhe prijësit e karrocave të luftës. Populli iku në çadrat e veta.
- 22 Prapëseprapë Edomi u shkëput nga pushteti i Judës deri në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput edhe Lobna.
- 23 Veprat e tjera të Joramit si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 24 Jorami pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Okozia, i biri.Mbretërimi i Okozisë në Judë /841/
- 25 Në vitin e dymbëdhjetë të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbretit të Izraelit, u bë mbret Okozia, biri i Joramit, mbretit të Judës.
- 26 Okozia kishte njëzet e dy vjet kur filloi të mbretërojë. Mbretëroi vetëm një vit në Jerusalem. Emri i nënës së tij ishte Atalu00ed. Ishte bija e Amriut, mbretit të Izraelit.
- 27 Eci udhëve të shtëpisë së Akabit dhe bëri ç`është e keqe para syve të Zotit, gjithë si shtëpia e Akabit. Pai, ishtë gjak me të.
- 28 Ky shkoi me Joramin, birin e Akabit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramot Galaad. Sirianët e plagosën Joramin.
- 29 Ky u kthye në Jezrahel për t`u shëruar nga plagët që i bënë sirianët në Ramë kur po luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Atëherë Okozia, biri i Joramit, mbret i Judës, zbriti në Jezrahel për ta parë Joramin, birin e Akabit, sepse ishte i sëmurë.