Beselidhja e Vjeter1 i Kronikave: Rendet dhe funksionet e levitëve
- 1 Davidi i mplakur dhe në moshë të thellë e bëri mbret mbi Izrael djalin e vet, Salomonin.
- 2 Atëherë i bashkoi të gjithë prijësit e Izraelit, priftërinjtë dhe levitët.
- 3 U numëruan levitët prej tridhjetë vjetësh e sipër dhe u gjet se ishin tridhjetë e tetë mijë burra.
- 4 Urdhëroi: Njëzet e katër mijë prej këtyre le ta drejtojnë shërbesën në Shtëpinë e Zotit; mbikëqyrës dhe gjykatës le të jenë gjashtë mijë,
- 5 kurse dertarë le të jenë katër mijë dhe po aq muzikantë që të këndojnë në nder të Zotit e t`u bien veglave që i kam punuar për lavdërimin e Zotit.
- 6 Davidi i ndau në rende sipas bijve të Levit, d. t. th. të Gersonit, Kaatit dhe Merariut.
- 7 Bijtë e Gersonit: Leedani e Semeji.
- 8 Bijtë e Leedanit: prijësi Lahieli, Zetami dhe Joeli, tre.
- 9 Bijtë e Semejit: Salomiti, Hozieli e Arani, tre. Këta janë trungjet e barqeve të Ledanit.
- 10 Kurse bijtë e Semejit: Jeheti, Ziza, Jausi e Beria. Këta janë bijtë e Semejit, katër.
- 11 Jeheti ishte i pari, Ziza i dyti, kurse Jausi e Beria nuk patën shumë fëmijë dhe prandaj u numëruan si një bark e një shtëpi.
- 12 Bijtë e Kaatit: Amrami, Isaari, Hebroni dhe Ozieli, katër.
- 13 Bijtë e Amramit: Aroni e Moisiu. Aroni qe ndarë veçmas për të kushtuar gjëra tejet të shenjta, ai dhe bijtë e tij për amshim, të djegë kem para Zotit, të kryejë shërbesa liturgjike e të bekojë në emër të Zotit përgjithmonë.
- 14 Po edhe bijtë e Moisiut, njeriut të Hyjit, qenë numëruar në fisin e Levit.
- 15 Bijtë e Moisiut: Gersami dhe Eliezeri.
- 16 Bijtë e Gersamit: Subaeli, i pari.
- 17 Bijtë e Eliezerit qenë: Rohobia, i pari dhe Eliezeri e nuk pati tjerë djem, kurse bijtë e Rohobisë u shtuan shumë.
- 18 Bijtë e Isaarit: Salomoti i pari.
- 19 Bijtë e Hebronit: Jeriau, i pari, Amaria, i dyti, Jahazieli, i treti, Jekmaami, i katërti.
- 20 Bijtë e Ozielit: Mika, i pari, Jesia, dyti.
- 21 Bijtë e Merariut: Moholiu e Musiu. Bijtë e Moholiut: Eleazari e Cisi.
- 22 Eleazari vdiq e nuk la djalë, por vajza. Vajzat i morën bijtë e Cisit, vëllezërit e tyre.
- 23 Bijtë e Musiut: Moholiu, Ederi dhe Jerimoti, tre.
- 24 Këta janë bijtë e Levit, sipas barqeve të tyre, prijësit e familjeve, të numëruar emër për emër e kokë për kokë, që kryenin shërbesa në Shtëpinë e Zotit, prej moshës njëzet vjeçare e lart.
- 25 Davidi tha: Zoti, Hyji i Izraelit, i dha popullit të vet paqe dhe përgjithmonë do të banojë në Jerusalem.
- 26 Levitët nuk do ta bartin më Tendën e Zotit as enët e ndryshme për shërbesë në të.
- 27 Sepse, sipas fjalëve të fundit të Davidit, bijtë e Levit kanë qenë numëruar prej moshës njëzet vjeçare e lart.
- 28 Ata ishin të detyruar të qëndronin nën urdhër të bijve të Aronit të kujdesen për Shtëpinë e Zotit në treme e në sallona për pastrimin e çdo gjëje të shenjtëruar dhe në shërbim të Tempullit të Hyjit.
- 29 Kanë për detyrë të kujdesen për bukët e kushtimit, për endën e kushtimit, për kuleçët e pabrumë, për pjekje e fërgesa dhe për çdo peshë e masë.
- 30 U duhej të paraqiteshin çdo mëngjes për të kënduar e lavdëruar Zotin, po ashtu edhe në mbrëmje.
- 31 Po ashtu edhe në kushtim të flive të shkrumbimit në nder të Zotit të shtunave, për hënë të re, për të kremte sipas numrit të caktuar sipas rregullave. Kjo detyrë u takon vazhdimisht ta kryenin para Zotit.
- 32 Dhe u duhet t`u përmbahen rregulloreve të Tendës së Takimit dhe ritit të Shenjtërores dhe rregulloreve të bijve të Aronit, vëllezërve të vet, për të shërbyer në Shtëpinë e Zotit.