Beselidhja e Vjeter1 i Kronikave: Organizimi qytetar dhe ushtarak
- 1 Bijtë e Izraelit sipas numrit të tyre:prijësit e vëllazërive, mijëtarët, urdhërqindësit, mbikëqyrësit që ishin në shërbim të mbretit e sipas rendeve të tyre, ku një radhë hynte e tjetra dilte për çdo muaj të vitit. Çdo radhë kishte nga njëzet e katër mijë vetë.
- 2 Jesboami, biri i Zabdielit, ishte në krye të rendit të parë në muajin e parë. Nën urdhrin e tij ishin njëzet e katër mijë vetë.
- 3 Ishte prej bijve të Faresit, prijësi i të gjithë prijësve të ushtrisë në muajin e parë.
- 4 Dudi Ahohaj e mbante rendin e muajit të dytë. Nën urdhërin e tij ishin njëzet e katër mijë vetë.
- 5 Prijësi i rendit të tretë në muajin e tretë ishte Banaja, biri i Jojadës prift dhe në rendin e tij ishin njëzet e katër mijë vetë.
- 6 Ky është Banaja, ai trimi i trimave ndër të Tridhjetët e mbi të Tridhjetët. Në krye të rendit të tij ishte i biri Amizabadi.
- 7 I katërti, në muajin e katërt, ishte Asaeli, vëllai i Joabit, dhe pas tij Zabadia, i biri. Edhe rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 8 I pesti, në muajin e pestë, ishte prijës Samaot Zaraita. Turma e tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 9 I gjashti, në muajin e gjashtë, ishte Hira, biri i Akcesit Tekuit. Në rendin e tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 10 I shtati, në muajin e shtatë, ishte Heles Faloniti, prej bijve të Efraimit. Turma e tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 11 I teti, në muajin e tetë, ishte Sobokaji Husataj, prej rodit të Zarës. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 12 I nënti, në muajin e nëntë, Abiezer Anatotaj, prej fisit të Beniaminit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 13 I dhjeti, në muajin e dhjetë, Maraji Netofataj, prej rodit të Zarës. Turma e tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 14 I njëmbëdhjeti, në muajin e njëmbëdhjetë, Banaja Faratonaj, prej bijve të Efraimit. Turma e tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 15 I dymbëdhjeti, në muajin e dymbëdhjetë, Holdaji Netofataj, prej racës të Otonielit. Turma e tij kishte njëzet e katër mijë vetë.
- 16 Kurse fiseve të Izraelit u ishin në krye: Rubenajve u ishte prijës Eliezeri, biri i Zekriut, Simonajve Safatia, biri i Maakës.
- 17 Levitëve Hasabia, biri i Kamuelit. Aronajve Sadoku.
- 18 Judës Eliu, prej vëllezërve të Davidit. Isaharit Amriu, biri i Mikaelit.
- 19 Zabulonit, Jesmaia, biri i Abdisë. Neftaliut Jerimoti, biri i Ozrielit.
- 20 Bijve të Efraimit Ozea, biri i Ozaziut. Gjysmës së fisit të Manaseut Joeli, biri i Fadajës.
- 21 Gjysmës së fisit të Manaseut në Galaad Jadoja, biri i Zaharisë. Beniaminit Jasieli, biri i Abnerit.
- 22 Danit Ezrieli, biri i Jerohamit. Këta ishin prijësit e fiseve të Izraelit.
- 23 E Davidi nuk deshi t`i numërojë ata që ishin të moshës njëzet vjeçare e poshtë, sepse Zoti kishte premtuar se do ta shtonte Izraelin porsi yjet e qiellit.
- 24 Joabi, biri i Sarvisë, e kishte filluar regjistrimin, por nuk e çoi deri në fund, sepse për këtë Hidhërimi u zbraz mbi Izraelin. Për këtë arsye numri nuk qe shënuar në Librin e Analeve të mbretit David.
- 25 Mbikëqyrës mbi pasurinë e mbretit ishte Azmoti, biri i Adielit. Mbi pronat që i kishte në krahinë, në qytete, në fshatra e në qyteza kryekujdestar ishte Jonatani, biri i Ozisë.
- 26 Kryekujdestar mbi bujq që lëronin tokat ishte Ezriu, biri i Kelubit.
- 27 Vreshtarëve Semejë Ramataj. Kujdestar i qilarëve të verës në vreshta ishte Zabdia Sefamataj.
- 28 Kujdestar i ullishtave dhe i pronave me mana që ishin në Sefelë, ishte Balanami Gaderaj, kurse mbi depot e vajit Joasi.
- 29 Kujdestar mbi gjedhin që kullotej në Saron ishte Setraji Saronaj ndërsa mbikëqyrës i lopëve që ishin në vërri ishte Safati, biri i Adliut.
- 30 Kujdestar i gamileve ishte Ubili Ismahelaj, mbikëqyrës i gomaricave ishte Jadia Meronataj.
- 31 Kujdestar i deleve Jazis Agareu: të gjithë këta ishin kujdestarët e të mirave që i përkisnin Davidit.
- 32 Jonatani, ungji i Davidit, burrë i urtë dhe i ditur, ishte këshilltar, e bashkë me Jahielin Hakamonaj përkujdesohej për fëmijët e mbretit.
- 33 Po edhe Akitofeli ishte këshilltar i mbretit e Kusaji Arahaj mik i mbretit.
- 34 Pas Akitofelit, u bë këshilltar Jojada, biri i Banajës, dhe Abiatari. Prijësi i ushtrisë së mbretit ishte Joabi.