Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Lufta
- 1 Të tetëmbëdhjetin vit të mbretërisë së Jeroboamit, mbi Judë u bë mbret Abia.
- 2 Mbretëroi tre vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Mikajë. Ishte bija e Urielit nga Gabaa.Atëherë shpërtheu lufta ndërmjet Abisë e Jeroboamit.
- 3 Abia nisi luftën me një ushtri katërqind mijë burrash të zgjedhur për luftë, kurse Jeroboami i rreshtoi në luftë kundër tij tetëqind mijë njerëz, të gjithë trima të zgjedhur e për luftë tejet të fortë.Fjalimi i Abisë
- 4 Abia qëndroi në majë të malit Semeron që është në malet e Efraimit e tha: Dëgjo, Jeroboam e mbarë Izraeli!
- 5 Vallë a nuk e dini se Zoti, Hyji i Izraelit, ia ka dhënë mbretërinë përgjithmonë Davidit mbi Izraelin, atij dhe pasardhësve të tij! Dhe kjo me një besëlidhje të pashkatërrueshme!
- 6 U çua Jeroboami, biri i Nabatit, shërbëtori i Salomonit, birit të Davidit, dhe bëri kryengritje kundër zotërisë së vet,
- 7 rreth tij u bashkuan disa njerëz të mbrapshtë e askushi dhe ia dolën t'i kundërshtojnë Roboamit, birit të Salomonit. Roboami ishte i ri dhe jo guximtar e s'mundi t'u bënte ballë.
- 8 Por edhe tani ju thoni se mund t'i bëni ballë mbretërisë së Zotit që është në dorë të bijve të Davidit. Keni një sasi të madhe populli dhe viça të artë që jua punoi për zotat tuaj Jeroboami.
- 9 Ju i flakët priftërinjtë e Zotit, bijtë e Aronit, edhe levitët dhe caktuat për priftërinj siç bëjnë popujt paganë. Kushdo që vjen tek ju me mëzat për dore e me shtatë desh, bëhet prift i atij që nuk është Hyj.
- 10 Kurse Hyji ynë është Zoti, të cilin ne nuk e kemi lënë; priftërinjtë, bijtë e Aronit, i shërbejnë Zotit edhe levitët kryejnë shërbesën e tyre.
- 11 Për çdo ditë i kushtojnë Zotit fli shkrumbimi, në mëngjes e në mbrëmje, djegin kem të erëmirë, paraqiten bukët e kushtimit në tryezë të pastër. Ndër ne është shandani i artë dhe dritëzat e tija që ndizen çdo mbrëmje: sepse ne i mbajmë urdhërimet e Zotit, Hyjit tonë, që ju e flakët.
- 12 Prandaj, në ushtrinë tonë Prijës është Hyji dhe priftërinjtë e tij që u bien borive të tingëllojnë thekshëm kundër jush, o bijtë e Izraelit! Mos luftoni kundër Zotit, Hyjit të etërve tuaj, se qe besa s'ju del mirë!Luftimi
- 13 Ndërkaq Jeroboami i rrethoi judenjtë me një pritë pas shpine. Izraelitët ishin kështu përballë Judës dhe pas shpinës së tyre.
- 14 Si u sollën judenjtë, panë se u duhej të luftonin për ballë e pas shpine. Atëherë thirrën ndihmën e Zotit e priftërinjtë filluan t'u bien borive.
- 15 Të gjithë trimat e Judës e lëshuan britmën e kushtrimit. Dhe, ja, ndërkohë që ata po lëshonin britmën e kushtrimit, Hyji ia futi frikën në palcë Jeroboamit dhe mbarë Izraelit para Abisë dhe Judës.
- 16 Bijtë e Izraelit u vunë të iknin para Judenjve dhe Hyji i lëshoi në duar të tyre.
- 17 Kështu, pra, Abia dhe ushtria e tij bënë një emnesë mbi ta: prej izraelitëve mbetën të vrarë pesëqind mijë trima të zgjedhur.
- 18 Aso kohe qenë përvujtëruar rëndë bijtë e Izraelit, kurse bijtë e Judës erdhën e u forcuan, sepse shpresën e kishin vënë në Zotin, Hyjin e etërve të tyre.Mbarimi i mbretërimit të Abisë
- 19 Abia e pëdoqi Jeroboamin që u vu në ikje dhe i pushtoi disa qytete të tija: Betelin me fshatrat e tij, Jesanën me fshatrat e tij edhe Efronin me fshatrat e tij.
- 20 Gjatë jetës së Abisë, Jeroboami s'mundi më të përtërihej në fuqi. Zoti e goditi dhe Jeroboami vdiq.
- 21 Abia erdhi duke u forcuar. Mori katërmbëdhjetë gra dhe i lindën njëzet e dy djem e gjashtëmbëdhjetë vajza.
- 22 Historia e Abisë, sjellja dhe fjalimet e tija janë të shkruara në tregimin e profetit Ado.
- 23 Pastaj edhe Abia fjeti me etërit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Asa, i biri. Në kohën e këtij vendi pati paqe dhjetë vjet.