Beselidhja e VjeterEsdra: Ndërtimi i Tempullit
- 1 Atëherë profetët Agjeu dhe Zaharia, biri i Ados, zunë t`u profetizonin judenjve që ishin në Jude dhe në Jerusalem, në emër të Hyjit të Izraelit që i frymëzonte.
- 2 Atëherë u ngritën Zorobabeli, biri i Salatielit, e Jezuai, biri i Jozedekut, dhe filluan ta ndërtojnë Tempullin e Hyjit në Jerusalem. Me ta ishin profetët e Hyjit që u jepnin zemër.
- 3 Po në atë kohë erdhi tek ata Tatanaji që ishte qeveritar i krahinës së Përtejlumit, edhe Starbuzanaji si dhe këshilltarët e tyre, dhe u thanë kështu: Kush ju ka dhënë leje ta ndërtoni këtë Shtëpi dhe ta përgatitni këtë material?
- 4 Cilët janë emrat e njerëzve që e ndërtojnë këtë godinë?
- 5 Por sytë e Hyjit të tyre ishin mbi pleqtë e Judës dhe nuk ua ndaluan punën deri sa lajmi të shkonte te Dariu e të vinte përgjigjja lidhur me këtë çështje.
- 6 Kjo është dysheritja e letrës të cilën mbretit Dari ia dërguan Tatanaji, satrap i krahinës së Përtejlumit, Starbuzanaji dhe këshilltarët dhe prijësit e tyre nga krahina e Përtejlumit.
- 7 Lajmi që ia dërguan ishte i shkruar kështu:Mbretit Dari, paqe të vazhdueshme!
- 8 Le ta dijë mbreti se kemi shkuar në krahinën e Judesë, në Shtëpinë e Hyjit të Madh që po ndërtohet me gurë të mëdhenj katrorë; muret po i mveshin me dru. Punimet po zhvillohen me kujdes dhe po përparojnë në duart e tyre.
- 9 Ne i pyetëm pleqtë e tyre dhe u thamë: `Kush ju dha leje ta ndërtoni këtë Shtëpi dhe ta përgatitni këtë material?`
- 10 Ne i pyetëm edhe për emrat e tyre për të të lajmëruar. Kështu edhe i shkruam emrat e prijësve të tyre.
- 11 Ata na u përgjigjën kështu: `Ne jemi shërbëtorët e Hyjit të qiellit e të tokës dhe po e ndërtojmë Tempullin që ishte i ndërtuar para shumë vitesh, dhe të cilin e kishte ndërtuar dhe stolisur mbreti i madh i Izraelit.
- 12 Por, pasi etërit tanë e hidhëruan Hyjin e qiellit, ai i lëshoi në dorë të Nabukodonozorit të kaldenjve, mbretit të Babilonisë. Ky e rrënoi Tempullin dhe popullin e treti me dhunë në Babilon.
- 13 Por në vitin e parë të sundimit të Kirit, mbretit të Babilonit, mbreti Kir dha leje të ndërtohet Tempulli i Hyjit.
- 14 Madje edhe enët e Tempullit të Hyjit të arta e të argjendta, të cilat Nabukodonozori i kishte rrëmbyer nga Tempulli që ishte në Jerusalem dhe i kishte mbartur në tempullin e Babilonit, vetë mbreti Kir i nxori nga tempulli i Babilonit dhe ia dha njërit që quhej Sasabasar, të cilin edhe e bëri prijës
- 15 dhe i urdhëroi: `Merri këto enë, shko e çoji në Tempullin e Jerusalemit dhe po në atë vend, ku kanë qenë më parë le të ndërtohet Shtëpia e Hyjit.
- 16 Atëherë ky, Sasabasari, erdhi dhe i vuri themelet e Tempullit të Hyjit në Jerusalem. Prej aso kohe e deri tani po ndërtohet dhe ende nuk është kryer`.
- 17 Tani, nëse mbretit i pëlqen, le të bëhen hetime në arkivin mbretëror që është në Babilon, dhe le të vërtetohet se mbreti Kir e ka dhënë këtë leje për ta ndërtuar Shtëpinë e Hyjit në Jerusalem. Pastaj ju na njoftoni lidhur me vendimin e mbretit.