Beselidhja e VjeterEsdra: Detyra dhe personaliteti i Esdrës
- 1 Pas këtyre ngjarjeve, nën sundimin e Artakserksit, mbretit të persianëve, Esdra, biri i Sarajës, të birit të Azarisë, të birit të Helcisë,
- 2 të birit të Selumit, të birit të Sadokut, të birit të Akitobit,
- 3 të birit të Amarisë, të birit të Azarisë, të birit të Marajotit,
- 4 të birit të Zarahisë, të birit të Oziut, të birit të Bokcit,
- 5 të birit të Abisuehit, të birit të Fineesit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit kryeprift:
- 6 ky, Esdra, u kthye nga Babiloni. Ishte skrib i aftë në Ligjin e Moisiut që e ka dhënë Zoti, Hyji i Izraelit, dhe, pasi dora e Zotit, Hyjit të tij, ishte mbi të, mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat e tija.
- 7 Në vitin e shtatë të sundimit të mbretit Artakserks, erdhi një grup izraelitësh, priftërinjsh, levitësh, këngëtarësh, derëtarësh e të dhuruarish në Jerusalem.
- 8 Erdhi në Jerusalem në të pestin muaj të të shtatit vit të mbretit.
- 9 U nis prej Babilonit të parën ditë të muajit të parë dhe arriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë: dora bamirëse e Hyjit të tij ishte mbi të.
- 10 E njëmend Esdra ishte dhënë mend e zemër për ta shqyrtuar Ligjin e Zotit e për ta vënë në zbatim, për t`ua mësuar izraelitëve ligjet dhe rregulloret.Dokumenti i Artakserksit
- 11 Kjo është dysheritja e dokumentit që mbreti Artakserks ia dha Esdrës prift, skribit të ditur në tekstin e urdhërimeve të Zotit e në ligjet e tija lidhur me Izraelin.
- 12 Artakserksi, mbreti i mbretërve, Esdrës prift, skribit të Ligjit të Hyjit të qiellit, shëndet!
- 13 Unë e kam dhënë këtë urdhër: Kushdo në mbretërinë time që është i popullit të Izraelit, priftërinj e levitë nëse dëshirojnë të shkojnë në Jerusalem, le të vijnë me ty.
- 14 Përveç kësajty të dërgon mbreti dhe shtatë këshilltarët e tij që ta mbikëqyrësh Judenë dhe Jerusalemin sipas Ligjit të Hyjit tënd, që e ke në dorë
- 15 dhe të çosh argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij vullnetarisht ia kushtojnë Hyjit të Izraelit, që e ka selinë në Jerusalem,
- 16 si edhe krejt argjendin e arin që do ta mbledhësh në krahinën e Babilonit bashkë me kushtet e dhuruara vullnetarisht nga populli dhe priftërinjtë, për Shtëpinë e Hyjit tënd që është në Jerusalem.
- 17 Kështu, pra, me kujdes bli me këto para mëzetër, desh, qengja, fli kushtimore dhe njomje të nevojshme, dhe vendosi mbi lterin e Tempullit të Hyjit tënd, që është në Jerusalem.
- 18 Lidhur me argjendin dhe arin që do të teprojë, përdorojeni si të duket mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Hyjit tuaj.
- 19 Po edhe enët që po të jepen për shërbesat e Shtëpisë së Hyjit tënd, vëri para Hyjit në Jerusalem.
- 20 Po edhe gjëra të tjera që duhen për Shtëpinë e Hyjit tënd dhe që ty të takon t`i blesh, të gjitha shpenzimet le të jepen prej thesarit të mbretit.
- 21 Jam unë vetë, mbreti Artakserks, që ua jap këtë urdhër të gjithë arkëtarëve të Përtejlumit: çfarëdo që të kërkojë prifti Esdra, skribi i Ligjit të Hyjit të qiellit, t`ia jepni pa vonesë, më saktësisht
- 22 deri në njëqind talenta argjend, njëqind kora grurë, deri njëqind bata verë dhe deri njëqind bata vaj, ndërsa kripë sipas dëshirës.
- 23 Gjithçka të urdhërojë Hyji i qiellit le të zbatohet menjëherë në Shtëpinë e Hyjit të qiellit, që hidhërimi i tij të mos vijë rastësishtnë mbretërinë tonë dhe kundër fëmijëve të tij.
- 24 Jua bëjmë po ashtu, të ditur, se askush s`ka të drejtë t`u kërkojë tatime, taksa e dogana priftërinjve, levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, të dhuruarve dhe shërbëtorëve të kësaj Shtëpie të Hyjit.
- 25 Kurse ti, Esdra, me mençurinë që ta ka dhënë Hyji i yt, caktoji zyrtarët dhe gjykatësit që ta udhëheqin mbarë popullin që ka mbetur Përtej lumin, d. t. th. të gjithë ata që e njohin Ligjin e Hyjit tënd. Atyre që nuk e njohin, e keni për detyrë t`ua mësoni.
- 26 Secilit që nuk do ta mbajë Ligjin e Hyjit tënd, pra pikërisht edhe ligjin e mbretit, le të dënohet ose me vdekje, ose me mërgim, ose me gjobë ose me burgim.Udhëtimi i Esdrës nga Babilonia në Palestinë
- 27 Qoftë bekuar Zoti, Hyji i etërve të mi, që e frymëzoi zemrën e mbretit për ta nderuar Shtëpinë e Zotit që është në Jerusalem,
- 28 i cili e ktheu kah unë përkrahjen e mbretit, të këshilltarëve të tij dhe të mbarë prijësve të tij të fuqishëm! Atëherë unë fitova forcë e guxim, sepse dora e Zotit, e Hyjit tim, ishte mbi mua dhe i bashkova disa krerë, prej Izraelit, të cilët erdhën me mua.