Beselidhja e VjeterEsdra: Ndërprerja e martesave me të huaj
- 1 Pasi u kryen këto gjëra, u paraqitën tek unë prijësit e më thanë: Populli i Izraelit, priftërinjtë e levitët nuk janë ndarë nga popujt e vendit dhe prej turpësive të tyre, d. t. th. nuk janë ndarë nga kananenjtë, hetenjtë, ferezenjtë, jebusenjtë, amonitët, moabitët, egjiptianët e amorenjtë,
- 2 por i kanë marrë bijat e tyre gra për vete dhe për bijtë e vet, dhe kështu e kanë përzier farën e shenjtë me popullsitë vendase. Krerët dhe këshilltarët kanë qenë të parët që u dhanë pas kësaj pabesnikërie.
- 3 Me të dëgjuar të këtij lajmi, unë e shqeva petkun tim dhe mantelin, i shkula flokët e kokës dhe qimet e mjekrrës sime dhe u ula ndenjur i pikëlluar.
- 4 Të gjithë ata që kishin frikë nga fjala e Hyjit të Izraelit për shkak të kësaj pabesnikërie të atyre që ishin riatdhesuar, u bashkuan rreth meje. Unë nuk luajta vendit ashtu i trishtuar deri në flijimin e mbrëmjes.
- 5 Në kohën e flisë së mbrëmjes, u ngrita nga ajo gjendje mjerimi dhe me petkat e shqyera, rashë në gjunjë, i shtriva duart drejt Zotit, Hyjit tim,
- 6 dhe thashë: Hyji im! Më vjen turp dhe kam frikë ta sjell fytyrën time drejt teje, sepse fajësitë tona dhe veprimet tona të këqija janë shumuar përmbi kokë dhe mëkatet tona janë grumbulluar e kanë arritur deri në qiell.
- 7 Që nga ditët e etërve tanë, mëkatuam rëndë, deri në ditën e sotme, dhe për shkak të mëkateve tona qemë të dorëzuar në duar të mbretërve tokësorë: ne, mbretërit, dhe priftërinjtë tanë;nën shpatë, në robëri, të rrëmbyer, të poshtëruar dhe të turpëruar ashtu si është edhe sot!
- 8 Por tani, vetëm brenda pak kohe, Zoti, Hyji i ynë u bë i mëshirshëm dhe na e la një Tepricë dhe na dha strehim në vendin e vet të shenjtë, dhe kështu Zoti, Hyji ynë, u dha dritë syve tanë dhe pak freskim pas mjerimit dhe robërisë sonë.
- 9 Ne jemi skllevër, por Hyji ynë nuk na la në skllavëri. Ai ua preku zemrën mbretërve të Persisë për të na dhënë neve pak fuqi që të ndërtohet Shtëpia e Hyjit, të rindërtohen rrënojat e saja dhe na dha strehim në Judë dhe në Jerusalem.
- 10 Por tani, o Zot, Hyji ynë, çka mund të themi, pas të gjitha këtyre, hireve? Ne i kemi lënë urdhërat e tua,
- 11 që na i dhe me anë të profetëve të tu, kur the: Toka të cilën ju do ta pronësoni, është tokë e papastër nga papastërtia e popujve vendas, nga fëlliqësitë e tyre me të cilat e kanë mbushur fund e krye.
- 12 Prandaj mos i jepni bijat tuaja për djemtë e tyre as bijat e tyre mos i meri për djemtë tuaj. Mos e dëshironi assesi paqen e tyre as fatin e tyre kurrë e për këtë jetë. Kështu do të bëheni të fortë e do t`i hani më të mirat fryte të tokës, të cilën do ta trashëgojnë përgjithmonë djemtë tuaj.`
- 13 Tani, pas të gjitha këtyre vështirësive që na takuan t`i heqim për shkak të veprave tona të mbrapshta e për shkak të fajit tonë të madh;megjithëse ti, o Hyji ynë, na ke ndëshkuar më pak se sa meritonin fajet tona dhe na shpëtove siç po shohim sot,
- 14 a thua edhe më tutje do t`i prishim urdhërimet e tua dhe do të lidhim martesa me popujt e këtyre turpësive? Vallë, a mos je zemëruar deri në fund me ne për të na shfarosur që të mos ketë shpëtim as për këtë Tepricë të mbetur?
- 15 O Zot, Hyji ynë, për hir të butësisë sate ka shpëtuar kjo Tepricë siç shihet sot: ja, para teje jemi bashkë me fajin tonë! Vërtet, për shkak të tij s`do të guxonim të qëndronim para teje!