Beselidhja e VjeterNehemia: Misioni i dytë i Nehemisë
- 1 Aso kohe Libri i Moisiut u lexua para popullit dhe në të u gjet e shkruar se amonët dhe moabët askurrë s`do të hyjnë në bashkësinë e Hyjit,
- 2 sepse nuk u kishin dalë para bijve të Izraelit me bukë e me ujë dhe se e kishin marrë me vete Balaamin për t`i mallkuar izraelitët, por Hyji ynë e shndërroi mallkimin e tyre në bekim.
- 3 Kur e dëgjuan Ligjin, u përjashtuan nga Izraeli të gjithë të huajt.Misioni i dytë i Nehemisë
- 4 Para kësaj, prifti Eliasib, që ishte mbikëqyerës i dhomave të Shtëpisë së Hyjit tonë dhe ishte i afërt me Tobinë,
- 5 ia kishte liruar këtij një dhomë të madhe, ku përpara ruheshin dhuratat, kemi, enët, të dhjetat e drithërave, të verës, të vajit, pjesët e levitëve, të këngëtarëve dhe pjesët që mblidheshin për priftërinjtë.
- 6 Aso kohe unë nuk isha në Jerusalem, sepse në vitin e tridhjetedytë të Artakserksit, mbretit të Babilonit, isha kthyer te mbreti; por pas pak kohe ia dola të nxjerr leje prej mbretit që të mund
- 7 të kthehesha në Jerusalem. E mora vesh të keqen që Eliasibi e kishte bërë për t`i bërë mirë Tobisë: i kishte lëshuar një dhomë në tremet e Shtëpisë së Hyjit.
- 8 U hidhërova aq shumë sa, i flaka jashtë orenditë e Tobisë nga thesari,
- 9 dhashë urdhër t`i pastrojnë dhomat dhe i ktheva në të enët e Shtëpisë së Hyjit, kushtet dhe kemin.
- 10 Mora gjithashtu vesh se levitëve nuk u ishin dhënë pjesët e tyre dhe se të gjithë levitët e këngëtarët që shërbenin, kishin ikur në arat e veta.
- 11 Atëherë i qortova bujarët dhe thashë: Pse nuk jeni kujdesur për Shtëpinë e Hyjit? Pastaj i bashkova levitët dhe këngëtarët dhe i vendosa në vendet e tyre.
- 12 Atëherë mbare Juda i solli të dhjetat e drithit, të verës dhe të vajit në depotë.
- 13 Për mbikëqyrjen e depove e caktova priftin Selemi, skribin Sadok dhe levitin Fadajë, e përveç tyre edhe Hananin, birin e Zakurit, dhe birin e Matatisë, sepse mbaheshin për njerëz besnikë. Këta e kishin për detyrë t`ua ndanin vëllezërve pjesët që u takonin.
- 14 Të bie ndër mend për mua, Hyji im, për këtë: mos i zhduk veprat e mia të mira që i bëra për Shtëpinë e Hyjit tim dhe për shërbesat në të!
- 15 Ato ditë pashë në Judë njerëz që shkelnin me këmbë në shtrydhësin e ullijve ditën e shtunë; të tjerët mbartnin dujë gruri, ngarkonin në gomarë verë, rrush, fiq e barrë të tjera, në mënyrë që t`i sillnin ditën e shtunë në Jerusalem. I qortova njerëzit që pikërisht atë ditë shitnin gjëra ushqimore.
- 16 Po ashtu edhe tirasit që jetonin në Jerusalem sillnin aty peshk dhe gjithfarë mallrash për t`ua shitur të shtunën çifutëve në Jerusalem.
- 17 I qortova rëndë bujarët e Judës dhe u thashë: Ç`është kjo punë e keqe që po e bëni e po e prishni të shtunën?
- 18 A nuk kanë bërë kështu etërit tanë për çka dhe Hyji ynë na i solli të gjitha këto të zeza mbi ne e mbi këtë qytet? Ju po e rritni hidhërimin kundër Izraelit duke mos e shenjtëruar të shtunën!
- 19 Dhe urdhërova gjithashtu që që në vigjilie të shtunës, kur bie terri në dyert e Jerusalemit, të mbyllen dhe të ndryhen e të mos hapen deri sa të kalonte e shtuna. Vura disa nga djelmoshat e mi në dyer që të mos futet kurrfarë barre ditën e shtunë.
- 20 Kështu tregtarët dhe shitësit e mallrave të ndryshëm kaluan natën një herë a dy jashtë Jerusalemit.
- 21 Por u kam bërtitur dhe ua kam tërhequr vërejtjen: Pse e kaloni natën përbri mureve? Nëse do ta përsëritni këtë gjë, do të vë dorë mbi ju. Prej asaj dite nuk erdhën më të shtunën.
- 22 U urdhërova levitëve të pastrohen e të vijnë e t`i ruajnë dyert që të shenjtërohet dita e shtunë.Edhe për këtë le të bie ndër mend për mua, Hyji im, dhe ki mëshirë për mua sipas mëshirës sate të madhe!
- 23 Ato ditë pashë edhe se disa judenj ishin martuar me bija azotësh, amonësh e moabësh.
- 24 Gjysma e fëmijëve të tyre fliste azotisht, ose me gjuhën e këtij ose atij populli e nuk dinin të flisnin çifutërisht.
- 25 I qortova ashpër, i nëma, disa edhe i rraha, flokët ua shkula dhe i përbetova me Hyjin të mos i japin bijat e veta për bijtë e tyre dhe të mos marrin për djemtë e vet e për vete bijat e tyre. U thashë:
- 26 Vallë a nuk mëkatoi kësisoji edhe Salomoni, mbreti i Izraelit? S`kishte mbret tjetër aso kohe që mund të krahasohej me të! Ishte i dashur prej Hyjit të vet, prandaj Hyji e vuri mbret mbi mbarë Izraelin; por edhe këtë gratë e huaja e çuan në mëkat!
- 27 A thua se për t`ua mbajtur krahun juve do të bëhemi pjesëtarë në këtë të keqe kaq të madhe e do të jemi të pabesë ndaj Hyjit tonë me marrjen e grave të huaja?
- 28 Njëri nga bijtë e Jojadës, të kryepriftit Eliasib, ishte dhëndër i Sanabalat Horonitit. Atë e dëbova prej meje.
- 29 Hyji im, mos i qit në harresë këta njerëz, që e përdhosin priftërinë dhe besëlidhjen priftërore e levitike!
- 30 Kështu i pastrova nga çdo element i huaj, përsëri i rivendosa shërbesat e priftërinjve dhe të levitëve, secilin në shërbimin e vet.
- 31 E rregullova edhe sjelljen e druve në ditët e caktuara dhe sjelljen e fryteve të para.Kujtohu për mua, dhe për të mirën time, Hyji im!