Beselidhja e VjeterDalja: Dhjetë urdhërimet
- 1 Atëherë Zoti i tha të gjitha këtofjalë:
- 2 Unë jamë Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.
- 3 Mos ki tjetër Zot, përveç meje.
- 4 Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë.
- 5 Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë,
- 6 por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia.
- 7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s`do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.
- 8 Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë:
- 9 gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua;
- 10 kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti.
- 11 Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.
- 12 Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt.
- 13 Mos vra!
- 14 Mos bëj kurorëthyerje!
- 15 Mos vidh!
- 16 Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!
- 17 Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd.Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit, asnjë gjëje që i përket atij.
- 18 Mbarë populli i dëgjonte zërat, i shikonte vetëtimat, zërin e borisë e dëgjonte dhe e shihte malin duke tymuar dhe, i trembur e i frikësuar nga tmerri, qëndroi larg.
- 19 Ata i thanë Moisiut: Fol ti me ne e do të të dëgjojmë, e të mos na flasë Hyji që të mos vdesim!
- 20 Atëherë Moisiu i tha popullit: Mos kini frikë: Hyji erdhi për t`ju vënë në provë e që ta keni gjithherë frikën e tij me qëllim që të mos mëkatoni.
- 21 Populli qëndroi larg, kurse Moisiu u drejtua drejt resë së dendur, ku ishte Hyji.2. KODI I BESËLIDHJESLigji i lterit
- 22 Zoti i tha Moisiut edhe: Thuaju kështu bijve të Izraelit: `Patë se ju fola prej qiellit!
- 23 Mos bëni për ju përveç meje idhuj hyjnish të huaja argjendi e ari.
- 24 Punojeni për mua një lter dheu e në të flijoni fli shkrumbimi e pajtimi: delet e qetë tuaj. Në çdo vend të cilin unë e caktoj, të nderohet emri im, unë do të vij e do të të bekoj.
- 25 Nëse do të ma punosh lterin prej gurëve, mos ma puno me gurë të latuar, sepse posa ta ulësh mbi të daltën tënde, do të bëhet i papastër.
- 26 Në lterin tim mos u ngjit nëpër shkallë, që të mos shihen pjesët e turpshme të tuat.