Beselidhja e VjeterDalja: Ligjet për skllevër
- 1 Këto janë rregulloret që do t`ua shtjellosh:
- 2 Kur për skllav do të kesh blerë një hebre, le të shërbejë për gjashtë vjet, të shtatin vit, le të shkojë i lirë, falas.
- 3 Nëse vjen i vetëm, i vetëm edhe le të shkojë; nëse pati grua, me grua le të shkojë.
- 4 Nëse zotëria e martoi e gruaja i lindi bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj, do t`i përkasin zotërisë së tij, kurse ai do të dalë vetëm.
- 5 Por, nëse skllavi thotë: `E dua zotërinë tim, gruan time e fëmijët e mi, nuk dua të jem i lirë`,
- 6 atëherë i zoti le ta bjerë te Hyji, le ta afrojë te dera ose te shtalkat e le t`ia shporojë veshin me bizë dhe le t`i mbesë në shërbim të përhershëm.
- 7 Kur ndokush ta shesë vajzën e vet skllave, nuk do të lirohet siç është zakon të lirohen skllevërit.
- 8 Në qoftë se nuk i pëlqen atij që i qe dhënë, le t`ia lejojë të shpërblehet, por nuk do të ketë pushtet t`ia shesë njeriut prej popullit të huaj; sepse veproi me tradhti kundrejt saj.
- 9 Në qoftë se ia cakton për grua birit të vet, atëherë le të sillet me të si me të bijën.
- 10 Nëse merr ndonjë tjetër, mos t`ia mohojë ushqimin e veshjen as shtratin.
- 11 Nëse nuk ia plotëson këto të tria, le të dalë e lirë falas, pa kërkuar të shpërblehet.Vrasja
- 12 Kush t`i bjerë njeriut e ky të vdesë prej të rrahurit, le të ndëshkohet me vdekje.
- 13 Porse për atë që nuk i ka dalë në pritë, por Hyji e ka lëshuar në duart e tija, unë do ta tregoj vendin ku do të mund të strehohet.
- 14 Por kur ndokush e vret të afërmin e vet me qëllim e me tradhti, atëherë kape edhe prej lterit tim e çoje për ta vrarë.
- 15 Kush t`i bjerë t`et e s`ëmës, le të dënohet me vdekje.
- 16 Kush e grabit njeriun, si në qoftë se e ka shitur, si në qoftë se i zihet në dorë, le të dënohet me vdekje.
- 17 Kush e fyen me fjalë të atin e t`ëmën, le të ndëshkohet me vdekje.Rrahja e plagosja
- 18 Nëse njerëzit zihen me fjalë e njëri i bie tjetrit me gur ose grusht, e ky nuk vdes, por bie në shtrat,
- 19 nëse ngrihet dhe ecën me shkop përjashta, atëherë rrahësi le të falet, por i duhet të paguajë kohën e humbur dhe shpenzimet për shërim.
- 20 Kush e rreh skllavin ose skllaven e vet me shkop, dhe ata i vdesin në duar, bie në gjak.
- 21 Porse, në qoftë se jetojnë një ose dy ditë, nuk bie në gjak, sepse janë pronë e tija.
- 22 Kur, gjatë një grindjeje, rrihen disa vetë e i bien gruas shtatzënë e kjo e qet fëmijën, nëse nuk ka edhe ndonjë të keqe tjetër, ai që i ra, le të paguajë dëmin që do të kërkojë burri i saj e të vendosin pleqtë.
- 23 Por, nëse ndodh edhe ndonjë e keqe tjetër, do të kthejë jetën për jetë,
- 24 syrin për sy, dhëmbin për dhëmb, dorën për dorë, këmbën për këmbë,
- 25 djegien për djegie, varrën për varrë, damkën për damkë.
- 26 Kush i bie skllavit ose skllavës së vet e i verbon syrin, për shkak të syrit, do t`ia kthejë lirinë.
- 27 Nëse skllavit të vet ose skllaves së vet i shkul dhëmbin, për shkak të dhëmbit, do t`ia kthejë lirinë.
- 28 Kur kau e vret me brirë njeriun ose gruan e këta vdesin, kau le të vritet me gurë dhe mos t`i hahet mishi; i zoti i kaut le të jetë i pafajshëm.
- 29 Por në qoftë se gjedhi e kishte zakon të sulmojë me brirë edhe më parë dhe për të e kanë vënë në dijeni të zotin e tij, e ky nuk e ka ndry, e ky vret ndonjë burrë ose grua: le të vritet me gurë kau e le të vritet edhe i zoti i tij.
- 30 Nëse pronarit i caktohet çmimi i shpërblimit të jetës së tij, le të paguajë për jetën e vet sa t`i jetë caktuar.
- 31 Nëse kau vret një djalosh ose një vajzë, le të veprohet me të po sipas kësaj rregulloreje.
- 32 Po nëse vret një skllav ose skllave, t`i japë zotërisë tridhjetë sikla të argjendta e kau le të vritet me gurë.
- 33 Kur ndokush e lë grykën e pusit çelur ose e çel pusin e nuk ia mbyll grykën, e shkon e bie kau ose gomari në të,
- 34 i zoti i pusit duhet të paguajë gjedhin, kurse bagëtia e cofur i takon atij.
- 35 Kur një ka e shpon një tjetër dhe e mbyt, le ta shesin kaun e gjallë e le t`i ndajnë të hollat; le ta ndajnë edhe kafshën e cofur.
- 36 Por nëse ka qenë e ditur se kau vret e i zoti nuk e ka ruajtur, le të kthejë kaun për ka, e kau i cofur le t`i mbesë atij.Vjedhje bagëtish
- 37 Kur ndokush vjedh ndonjë bagëti të trashë ose një bagëti të imët, si në e pastë prerë si në e pastë shitur: le të kthejë pesë bagëti të trasha për një bagëti të trashë, e katër bagëti të imëta, për një të imët.