Beselidhja e VjeterDalja: Petkat e priftërinjve
- 1 Prej bijve të Izraelit merre pranë teje Aronin, vëllanë tënd, me bijtë e tij që të ushtrojnë priftërinë për mua: Aroni, Nadabi, Abiuhi, Eleazari dhe Itamari.
- 2 Puno për Aronin, vëllanë tënd, petkat e shenjta që të paraqesin nderin dhe madhërinë.
- 3 Thuaju të gjithë mjeshtërve që i kam pajisur me dije që t`ia punojnë petkat Aronit që të kushtohet në shërbesën e priftërisë sime.
- 4 Dhe ja, petkat që duhet t`i punojnë: parzmorja, shpinorja, guna, këmisha e qendisur, kësula dhe brezi. Le t`i punojnë petkat e shenjta për Aronin e për bijtë e tij që të kryejnë shërbesën priftërore në nderin tim.
- 5 Ata le të përdorin ar, pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe, të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë.Shpinorja
- 6 Shpinoren le ta punojnë prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur;të punuar me mjeshtri.
- 7 Le t`i ketë dy krahëza dhe në dy anët e skajeve të saja të bashkohet me to.
- 8 Rrypi që është mbi të për ta shtrënguar duhet të jetë i të njëjtës përmbajtje dhe një tërësi me të: prej arit, pëlhure ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur.
- 9 Merri dy gurë të paçmueshëm alabastri dhe gdhendi në ta emrat e bijve të Izraelit:
- 10 gjashtë emra në njërin gur e gjashtë tjerët në gurin tjetër, sipas rendit të lindjes së tyre.
- 11 Gdhendi gurët me mjeshtrinë e gdhendësit të gurëve e zgavroj emrat e bijve të Izraelit ashtu si skalitet vula; përreth tyre vëri rreth ari.
- 12 Nguli dy gurët mbi krahëzat e shpinores që të jenë në përkujtim të bijve të Izraelit. Kështu Aroni le t`i mbarë para Zotit emrat e tyre mbi të dy krahët për t`i përkujtuar.
- 13 Edhe skajet punoj prej arit
- 14 dhe dy vargje prej arit të pastër në trajtë të tejes me mjeshtri gërshetimi e atëherë mbërthej vargjet me skajet e arta.Parzmorja
- 15 Punoje edhe parzmoren e gjykimit me mjeshtri, sipas punimit të shpinores me ar, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur:
- 16 le të jetë katrore dhe e dyfishtë: një pëllëmbë gjatë e një pëllëmbë gjerë.
- 17 Vëri në të katër radhë gurësh: në rreshtin e parë vër gurin: rubin, topaz e smaragd.
- 18 Në rreshtin e dytë: karbunkull, safir e jaspis.
- 19 Në rreshtin e tretë: hiacint, agat e ametist.
- 20 Në të katërtin: krisolit, oniks e beril. Le të jenë të rrethuar me ari sipas radhës së tyre.
- 21 Le t`i kenë emrat e bijve të Izraelit: le të jenë të gdhendur dymbëdhjetë emrat: çdo gur emrin e njërit nga të dymbëdhjetë fiset.
- 22 Edhe parzmores punoja vargjet si teje të gërshetuar me mjeshtri, ari të pastër.
- 23 Po edhe dy rrathë ari e vëri në majë të dy anëve të parzmores.
- 24 Vargjet e arta mbërthej me rrathët që janë në rrethin e saj,
- 25 kurse dy majët e këtyre vargjeve mbërthej në rrethin e krahëzave të shpinores në pjesët e përparme.
- 26 Punoji edhe dy rrathë të artë dhe lidhi për dy këndet e poshtme të parzmores në buzë përbrenda që është e sjellë prej shpinores.
- 27 Punoji po ashtu edhe dy rrathë të tjerë ari që do të vihen në secilin rryp të poshtëm të shpinores në pjesën e përparme të saj aty ku përpiqet rrypi i shpinores
- 28 e shtëgoje parzmoren për rrathët e saj e për rrathët e shpinores me një shirit purpure ngjyrë vjollce, kështu që parzmorja të rrijë përmbi rrypin e shpinores që parzmorja e shpinorja të mos mund të ndahen.
- 29 Kështu, pra, Aroni sa herë që të hyjë në Shenjtërore, le t`i mbartë mbi zemrën e vet emrat e fiseve të bijve të Izraelit në parzmoren e gjykimit: që t`i përkujtojë gjithmonë para Zotit.
- 30 Vëri në parzmoren e gjykimit edhe `Urim e Tummim`, që të jenë edhe ata mbi zemrën e Aronit sa herë që të hyjë në praninë e Zotit. Kështu Aroni ta mbarë mbi zemrën e vet në praninë e Zotit përherë gjykimin e bijve të Izraelit.Guna
- 31 Gunën e shpinores punoje të tërë prej pëlhure të ngjyrës vjollce,
- 32 e në mes të saj grykën për krye. Buza përreth le të qepet porsi gryka në pancir, që të mos shqyhet.
- 33 Kurse në fund të gunës, gjithkund përreth, punoji prej pëlhurës ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur si shega e ndërmjet shegave kumbonëzat ari,
- 34 kështu që të jetë një kumbonëz e një shegë, e një kumbonëz e një shegë.
- 35 Le të veshet me të Aroni kur kryen shërbesën që të dëgjohet tingëllima kur hyn e del prej shenjtërores kështu s`do të vdesë.Shenja e shugurimit
- 36 Punoje edhe një paftë krejt ar të kulluar e në të gdhende ashtu si gdhendet në vulën e unazës: I shuguruar Zotit.
- 37 Lidhe me shirit ngjyrë vjollce për kësulë,
- 38 në ballin e Aronit. Kështu Aroni le t`i marrë mbi vete të gjitha mungesat që do të mund t`i njollosnin kushtet e dhuratat që izraelitët i kushtojnë. Le ta mbajë gjithmonë në ballë që të fitojë për ta përkrahjen e Zotit.
- 39 Punoja këmishën prej lirit të pastër; po ashtu edhe kësulën prej lirit të pastër; edhe brezin të qendisur me mjeshtri.Petkat për priftërinj
- 40 Po edhe për bijtë e Aronit punoj këmisha të linjta; punoji edhe breza dhe kësula në shenjë nderi e madhërie.
- 41 Veshe me to Aronin, vëllanë tënd, dhe bijtë e tij; atëherë lyeji me vaj, mbushjau duart me pushtet dhe shuguroji që ta kryejnë shërbesën priftërore në nderim tim.
- 42 Punoju edhe të linjtat që të mbulojnë veten që prej veshkeve e deri kofshët.
- 43 Le t`i mbartin Aroni e bijtë e tij kur hynë në Tendën e takimit ose kur i afrohen lterit për të kryer shërbesën në shenjtërore që të mos bien në faj e të vdesin: është urdhëresë rituale e përhershme për të dhe për pasardhësit e tij pas tij.