Beselidhja e VjeterDalja: Kaçuba e ndezur
- 1 Tashti, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Pasi i dha grigjës mballimin e shkretëtirës, arriti në malin e Hyjit Horeb.
- 2 Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në mes të një kaçube. Kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej.
- 3 Moisiu mendoi: Po afrohem të shoh këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba.
- 4 Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: Moisi, o Moisi! Ai u përgjigj: Urdhëro!.
- 5 Ai tha: Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!
- 6 Dhe shtoi: Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit. Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit.Misioni i Moisiut
- 7 Zoti i tha: E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre.
- 8 Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amorreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuzeut.
- 9 Kështu, pra, klithma e bijve të Izraelit arriti deri tek unë, po edhe unë vetë e pashë shtypjen e tyre që po e pësojnë prej egjiptianëve.
- 10 Pra, eja se dua të të çoj te faraoni që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, prej Egjiptit!
- 11 Por Moisiu i tha Hyjit: Po kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe t`i nxjerr bijtë e Izraelit prej Egjiptit?
- 12 E Hyji i tha: Unë do të jem me ty! Dhe, ja, shenja se të kam dërguar: kur ta nxjerrësh popullin prej Egjiptit, mbi këtë mal do t`i jepni nderim Hyjit.Zbulimi i Emrit të Hyjit
- 13 Atëherë Moisiu i tha Hyjit: Ja, po qe se unë po shkokam te bijtë e Izraelit dhe po ju thënkam: Hyji i etërve tuaj më dërgoi tek ju. Po nëse më thonë: `Si e ka emrin?`, çka do t`u them?
- 14 Hyji i tha Moisiut: Unë jam ai që jam!
- 15 Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: Kështu thuaju bijve të Izraelit: Jahveu /Ai që është/, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi tek ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni.Shtjellime rreth dërgimit të Moisiut
- 16 Shko e bashkoji pleqtë e Izraelit dhe thuaju: `Zoti, Hyji i etërve tuaj, m`u dëftua: Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit e më tha: Erdha t`ju shoh dhe pashë gjithçka që po ju ndodh në Egjipt.
- 17 Vendosa: t`ju nxjerr nga skllavëria e Egjiptit dhe do t`ju çoj në dheun e Kananeut, të Heteut, të Amorreut, të Perezeut, të Heveut dhe të Jebuzeut, në dheun ku rrjedh qumësht e mjaltë.
- 18 Ata do ta dëgjojnë fjalën. Ti dhe pleqtë e Izraelit do të hyni te mbreti i Egjiptit dhe thuajini: `Zoti, Hyji i hebrenjve na u dëftua. Tani duhet të shkojmë në shkretëtirë tri ditë rrugë larg, për t`i flijuar Zotit, Hyjit tonë`.
- 19 Unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t`ju lejojë të shkoni në qoftë se nuk shtrëngohet nga shuplaka e rëndë.
- 20 Prandaj unë do ta shtrij dorën time dhe do ta shtrëngoj Egjiptin me mrekullitë e mia të llojllojshme që do t`i bëj në të. Pas kësaj do t`ju lëshojë.Do ta meri pasurinë e Egjiptit
- 21 E unë do t`ua zbus zemrën egjiptianëve ndaj këtij populli që, kur ta lëshoni Egjiptin, të mos dilni duarthatë.
- 22 Por çdo grua do t`i lypë të afërmes së vet si dhe bashkëbanueses së vet gjëra argjendi dhe ari si dhe petka. Ju do t`i ngarkoni me to bijtë e bijat tuaja, dhe kështu do t`ia meri pasurinë Egjiptit.