Beselidhja e VjeterDalja: Ligji i pushimit shtunor
- 1 Moisiu e bashkoi mbarë bashkësinë e bijve të Izraelit e u tha: Këto janë gjërat që Zoti ka urdhëruar të bëhen:
- 2 gjatë gjashtë ditëve kryeni punët, e shtata ditë duhet të jetë për ju ditë e shenjtë, e shtunë, pushim i plotë në nder të Zotit. Kush të punojë në këtë ditë, le të vritet.
- 3 Ditën e shtunë as zjarr mos ndizni në banesat tuaja.Bashkimi i lëndës së ndërtimit
- 4 Pastaj Moisiu i tha mbarë bashkësisë së i zraelitëve: Ja çka ka urdhëruar Zoti:
- 5 `Ndani prej pasurisë suaj ndihmesa për Zotin`.Çdo zemërmirë e bujar le ta kushtojë vullnetarisht ndihmën e vet në nder të Zotit: ar, argjend e bronz,
- 6 pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë, lesh dhish,
- 7 lëkura deshësh të regjura e të ngjyrosura kuq dhe lëkura delfinësh, drurë akacie,
- 8 vaj për të ndriçuar e erëra të mira për të përgatitur vajin e shugurimit dhe temianin për kemim,
- 9 gurë oniksi e margaritarë për stolisje të shpinores e të parzmores.
- 10 Dhe të gjithë ata ndër ju që janë mjeshtër le të vijnë e le të bëjnë çka urdhëroi Zoti,
- 11 d. m. th. Banesën dhe Tendën e saj, mbulesën, komçet, dërrasat me shtagat, shtyllakët e bazat;
- 12 Arkën dhe shtagat, Pajtimoren dhe koltrinën që vihet për ta zënë atë;
- 13 tryezën me shtaga e me enë dhe me bukë të kushtimit;
- 14 shandanin për të mbajtur dritëzat, pjesët e tija përkatëse, llambat dhe vajin për të ushqyer llambat;
- 15 lterin e kemimit dhe shtagat e vajin e shugurimit dhe temianin e erëndshëm; koltrinën e derës së Banesës;
- 16 lterin e flive të shkrumbimit dhe skarën e tij bronzi me shtagat dhe me enët e tija, legenin dhe fundësorin e tij;
- 17 koltrinat e tremes me shtyllakët e me bazat dhe koltrinën në hyrje të tremes;
- 18 kunjat e Banesës dhe të tremes me kordelet e tyre;
- 19 petkat e qëndisura të shërbesës në shenjtërore, petkat e shenjta të Aronit prift si dhe petkat e bijve të tij që të ushtrojnë priftërinë time.
- 20 Atëherë mbarë bashkësia e bijve të Izraelit u largua prej pranisë së Moisiut.
- 21 Atëherë secili që ishte bujar në zemër dhe që e nxiste shpirti, erdhi e solli me vullnetin e vet ndihmesën në nder të Zotit për të punuar Tendën e takimit dhe gjithçka është e domosdoshme për kult e për petka të shenjta.
- 22 Erdhën trima e gra e të gjithë sollën vullnetarisht mbërthecka, vathë, unaza, bylyzykë, gjerdana dhe stoli të ndryshme ari: u mblodhën si ndihmesë në nder të Zotit.
- 23 Kush kishte pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe ose të kuqe të mbyllur, li të tjerrë lesh dhish, lëkura deshësh të regjura, lëkura delfinësh,
- 24 ndonjë gjë argjendi ose bronzi, ia kushtuan Zotit. Po edhe ata që patën ndonjë dru akacie, e prunë për ndonjë nevojë ndërtimi.
- 25 Po edhe gratë mjeshtre në punimin e pëlhurës, sollën të gjitha vullnetarisht pëlhura që kishin punuar ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e li të tjerrë
- 26 dhe lesh dhish.
- 27 Krerët sollën gurë oniksi dhe margaritarë, për shpinoren e parzmoren,
- 28 erëra të mira dhe vajra për të rregulluar llambat dhe për të përpunuar vajin e shugurimit dhe për të përgatitur temian të erëndshëm.
- 29 Të gjithë izraelitët;burra e gra me zemër bujare sollën ndihmesë për t`i kryer ato vepra që Zoti kishte urdhëruar nëpër Moisiun;i sollën këto porsi ndihmesë vullnetare në nder të Zotit.Ndërtuesit e Shenjtërores
- 30 Pastaj Moisiu u tha bijve të Izraelit: Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Beseleelin, birin e Uriut, të birit të Hurit, të fisit të Judës;
- 31 dhe e ka mbushur me shpirtin e Hyjit, e pajisi me shkathtësi, dije e aftësi për çdo veprimtari:
- 32 të sendërtojë gjithçka mund të punohet me ar, me argjend e me bronz,
- 33 t`i presë margaritarët e t`i vendojë të gdhendë në dru, gjithçka i përket mjeshtrisë së farkëtarisë e të gdhendjes.
- 34 Po këtij dhe Ooliabit të birit të Ahisamehut, të fisit Dan, u dha edhe aftësinë t`i mësojnë edhe të tjerët.
- 35 I pajisi të dy me aftësi për të kryer me mjeshtri çdo punë të gdhendjes, të prestarisë, të qendisjes e të vekëtarisë të pëlhurave të ngjyrës vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e të lirit të tjerrë, janë të zotët të kryejnë çdo punë e të sendërtojnë të reja.