Beselidhja e VjeterDalja: Moisiut i jepet fuqia mrekullibërëse
- 1 Moisiu u përgjigj: Po çka, nëse nuk më besojnë e nuk ma dëgjojnë fjalën e më thonë: `Ty nuk të është dëftuar Zoti`?
- 2 Zoti iu përgjigj: Çka është ajo që mban në dorë? U përgjigj: Shkop.
- 3 Dhe Zoti i tha: Hidhe në tokë! Ai e hodhi dhe u kthye në gjarpër, sa që Moisiu u largua.
- 4 Por Zoti i tha: Shtrije dorën dhe kape për bishti! E shtriu dorën dhe e kapi, u kthye prapë në shkop.
- 5 Kaq që ta besojnë se të është dukur Zoti, Hyji i etërve të tyre, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit;i tha.
- 6 Por Zoti i tha përsëri: Shtjere dorën tënde në gji! Këtë, pasi e futi, e nxori të gërbulur, bardhë si bora!
- 7 I tha: Ktheje dorën tënde prapë në gji! E futi dhe, kur e nxori prapë, ishte shëndosh porsi pjesa tjetër e trupit.
- 8 Në qoftë se nuk të besojnë;i tha;dhe nuk i bind shenja e parë, do të besojnë në shenjën e mrekullisë së dytë.
- 9 Po në qoftë se as këtyre dy shenjave nuk do t`u besojnë dhe nuk do ta dëgjojnë fjalën, merre ujin e lumit dhe derdhe përmbi terik: uji që more nga lumi do të shndërrohet në gjak.Aroni shtjellues i Moisiut
- 10 Moisiu i tha Zotit: Më fal, o Zot, unë nuk jam njeri gojëmbarë! Nuk kam qenë as më parë dhe as tani, që kur fole me shërbëtorin tënd: nuk më rrjedhin fjalët e jam i ngadalshëm në të folur!
- 11 Por, Zoti i tha: Kush ia dha njeriut gojën? Ose kush e bën memec ose të shurdhët? Kush i jep të shohë ose e bën të verbër? A nuk jam unë ai?
- 12 Nisu, pra, dhe unë do të jem në gojën tënde dhe do të të mësoj çka duhet të flasësh!
- 13 Por, ai i tha: Më fal, o Zot, por ço dikënd tjetër!
- 14 Zoti u hidhërua në Moisiun dhe i tha: Aroni, yt vëlla, e di se është gojëmbarë! Dhe ja, po të del përpara e kur të të shohë do të gëzohet nga thellësia e zemrës.
- 15 Fol me të dhe fjalët e mia vëri në gojën e tij. Unë do të jem në gojën tënde dhe në gojën e tij. Vetë do t`ju mësoj çka do t`ju duhet të bëni.
- 16 Ai do të flasë në vend tënd me popull dhe do të jetë goja jote. Për të ti do të jesh në vend të Hyjit.
- 17 Merre edhe këtë shkop në dorën tëndë, se me të do të bësh mrekulli! Moisiu kthehet në Egjipt. Të nisurit prej Madianit
- 18 Moisiu u nis prej andej, shkoi te vjehrri i vet Jetroja dhe i tha: Më lejo të shkoj e të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt që të shoh a janë gjallë. Jetroja i tha: Shko në paqe!
- 19 Pra, Zoti i tha Moisiut në Madian: Nisu e kthehu në Egjipt, sepse kanë vdekur të gjithë ata që donin të të vrisnin.
- 20 Moisiu i mori gruan dhe fëmijët e vet, i vuri në gomar dhe u kthye në Egjipt. Në dorë e mori shkopin e Hyjit.
- 21 Ndërsa po kthehej në Egjipt, Zoti i tha Moisiut: Shih! Bëri para faraonit të gjitha mrekullitë për të cilat të dhashë pushtet. Mirëpo, unë do ta nguroj zemrën e tij dhe ai nuk do të lejojë të dalë populli.
- 22 Ti thuaj: `Kështu thotë Zoti: Izraeli është i parëlinduri biri im`.
- 23 Unë po të them: Ma lejo birin tim të më shërbejë. Po nëse nuk do të ma lejosh të shkojë, unë do ta vras të parëlindurin tënd.Rrethprerja e birit të Moisiut
- 24 Ndërsa ishte në udhëtim, në një vend, ku po kalonte natën, i doli para Zoti dhe deshi ta vrasë.
- 25 Sefora mori një gur shumë të mprehtë dhe e rrethpreu djalin e vet. Ia preku këmbët burrit dhe tha: Të kam burrë të përgjakur!
- 26 Atëherë e lëshoi, pasi ajo tha: Burrë të përgjakur, për shkak të rrethprerjes.Takimi me Aronin
- 27 Kurse Aronit Zoti i tha: Dili para Moisiut në shkretëtirë. Ky i doli para në malin e Hyjit dhe e përqafoi. Moisiu i tregoi Aronit çdo fjalë të Zotit, me të cilat e kishte dërguar si dhe shenjat që i kishte urdhëruar.
- 28 Erdhën bashkë dhe i bashkuan të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit.
- 29 Aroni u tregoi çdo fjalë që Zoti ia kishte thënë Moisiut dhe i bëri shenjat para popullit.
- 30 Populli besoi. E morën vesh se Zoti i kishte parë bijtë e Izraelit se e kishte parë mjerimin e tyre, dhe e adhuruan me fytyrë për dhe.