Beselidhja e VjeterDalja: Takimi i parë me faraonin
- 1 Pas kësaj ngjarjeje, Moisiu e Aroni hynë te faraoni dhe i thanë: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Lëshoje popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë.
- 2 Por ai u përgjigj: Kush është ai Zot, që t`ia dëgjoj fjalën e ta lëshoj Izraelin? Unë nuk e pranoj atë Zot, as nuk e lëshoj Izraelin.
- 3 Por ata i thanë: Hyji i hebrenjve na u dëftua. Të lutemi na lejo të shkojmë tri ditë udhë larg në shkretëtirë që t`i flijojmë Zotit, Hyjit tonë, që të mos na vrasë rastësisht me murtajë ose me shpatë.
- 4 Por mbreti i Egjiptit u tha: Përse ti, Moisi e ti Aron, po doni ta ndani popullin prej punës së vet? Kthehuni në punët tuaja!
- 5 Faraoni shtoi edhe: Tani që ky popull është shumuar aq fort edhe kështu e ka mbushur dheun, çka do të ndodhë po qe se u jepni edhe pushim?Shpjegime kryepunëtorëve të punëve të rënda
- 6 Po atë ditë u dha urdhër mbikëqyrësve të popullit dhe shkruesve të punës:
- 7 Që nga ky moment mos i jepni më popullit kashtë, por le të shkojë e ta mbledhë vetë për të prerë qerpiç.
- 8 Por ju kërkoni prej tij numër të njëjtë tullash si edhe deri tani. Mos e pakësoni numrin! Sillen kot, prandaj edhe bërtasin: Na lejo të shkojmë e t`i bëjmë fli Hyjit tonë!
- 9 Shtojauni punën e të dërmohen, që të mos kenë kohë të merren me punë të kota!
- 10 Mbikëqyrësit e popullit dhe shkruesit dolën dhe i treguan popullit: Kështu thotë faraoni: `Nuk ju jap kashtë!
- 11 Dilni e mblidheni vetë aty ku ta gjeni, por për atë gjë nuk do t`jua pakësoj punën`.
- 12 Mbarë populli u shpëda nëpër dheun e Egjiptit për të mbledhur byk.
- 13 Mbikëqyrësit u bërtitnin: Bëni përditë po aq punë sa bënit më parë kur ju jepej kashta!
- 14 Bijtë e Izraelit, ata që mbikëqyrësit e faraonit i vunë të regjistrojnë sasinë e punës, qenë frushkulluar. U thonin: Pse nuk e plotësuat as dje as sot, numurin e tullave si më parë?Ankimi i shkruesve hebrenj
- 15 Izraelitët që regjistronin e panë se po e kishin punën pisk dhe shkuan e u ankuan te faraoni: Përse po vepron kështu kundër skllevërve të tu?
- 16 Nuk u jepet byku e u urdhërohet të qesin po atë shumë tullash. Ja, madje edhe po i rrahin shërbëtorët e tu, kurse fajin e ka populli yt!
- 17 Ai u përgjigj: Ju jeni përtacë! Po, përtacë! Prandaj thoni: `Na lejo të shkojmë t`i bëjmë fli Zotit`!
- 18 Shkoni, pra, e punoni! Byku nuk do t`ju jepet e ju do të bëni shumën e rëndomtë të tullave!
- 19 Shkruesit izraelitë po e shihnin se sa ngusht e kishin punën për shkak të urdhrit: `Për asnjë ditë nuk do t`u zvogëlohej numri i tullave!`.
- 20 Kur dolën prej faraonit takuan Moisiun dhe Aronin që po i prisnin
- 21 dhe u thanë: Zoti paftë e gjykoftë! Ju bëtë që të na urrejë faraoni dhe ministrat e tij! Ju ia dhatë shpatën që të na vrasë!
- 22 Moisiu iu drejtua Zotit dhe i tha: O Zot, e pse po e mundon këtë popull? Përse më dërgove?
- 23 Sepse, që atë ditë që hyra te faraoni për të folur në emrin tënd, ai po e mundon popullin tënd e Ti nuk e çlirove.