Beselidhja e VjeterDalja: 3. SHUPLAKAT E EGJIPTIT. PASHKËT
- 1 Zoti i tha Moisiut: Ja unë të bëra si hyjni për faraonin, kurse Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt.
- 2 Ti thuaji krejt si po të urdhëroj unë; kurse Aroni t`ia thotë faraonit që t`i lërë të shkojnë prej dheut të tij bijtë e Izraelit.
- 3 Por unë do ta nguroj zemrën e tij dhe do t`i shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia kundër dheut të Egjiptit.
- 4 Dhe ai nuk do t`ju dëgjojë. Unë do ta shtrij dorën time mbi Egjiptin duke e dënuar rreptë, do ta nxjerr armatën time, popullin tim, bijtë e Izraelit prej dheut të Egjiptit.
- 5 Pasi ta kem shtrirë dorën time përmbi Egjipt dhe pasi t`i kem nxjerrë bijtë e Izraelit prej mesit të tyre, atëherë egjiptianët do ta marrin vesh se unë jam Zoti.
- 6 Kështu Moisiu dhe Aroni bënë krejt si u tha Zoti: po ashtu vepruan.
- 7 Moisiu kishte tetëdhjetë vjet, kurse Aroni kishte tetëdhjetë e tri, kur folën me faraonin.3. SHUPLAKAT E EGJIPTIT. PASHKËTShkopi i shndërruar në gjarpër
- 8 Zoti i tha Moisiut e Aronit:
- 9 Kur faraoni t`ju thotë: `Tregojeni shenjën!` ti thuaj Aronit: `Merre shkopin tënd dhe hidhe para faraonit, dhe ai le të shndërrohet në shlligëz`!
- 10 Si hynë, pra, Moisiu dhe Aroni, bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti: Aroni e hodhi shkopin para faraonit dhe ministrave të tij, dhe shkopi u shndërrua në gjarpër.
- 11 Atëherë faraoni i grishi të dijshmit dhe dijetarët; po edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e veta bënë po ashtu.
- 12 Edhe ata i hodhën shkopinjtë e vet dhe ata u shndërruan në gjarpërinjë; porse shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e tyre.
- 13 Por zemra e faraonit iu ngurua dhe nuk deshi t`i dëgjojë ata po ashtu si kishte thënë Zoti.I. Uji i shndërruar në gjak
- 14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: E patrandshme është zemra e faraonit: nuk do të lëshojë të shkojë populli.
- 15 Shko në mëngjes tek ai. Ja, ai do të dalë tek uji. Qëndro ballë për ballë mbi breg të lumit. Merre në dorën tënde shkopin që u shndërrua në shlligëz
- 16 dhe thuaj: `Zoti Hyji i hebrenjve më dërgoi te ti e më tha: Ma lësho popullin tim që të më bëjë fli në shkretëtirë. Por ti deri tani nuk deshe të dëgjosh.
- 17 Pra, kështu thotë Zoti: Me këtë do ta dish se jam Zoti: ja, do t`i sjell me shkop që kam në dorë ujit të lumit: dhe ky do të shndërrohet në gjak!
- 18 Peshqit që janë në lumë do të ngordhin, ujërat do të qelben dhe egjiptianëve do t`u neveritet të pinë ujin e lumit.
- 19 Zoti i tha Moisiut edhe: Thuaj Aronit: Merre shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi përrenjtë, mbi kënetat dhe mbi të gjithë liqenet me ujë, që të shndërrohen në gjak. Kështu le të jetë gjak në mbarë dheun e Egjiptit, qoftë në enë druri qoftë në ato guri.
- 20 Po kështu bënë Moisiu dhe Aroni si u kishte urdhëruar Zoti. E çoi lart shkopin, i ra ujit të lumit në praninë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij. Uji u shndërrua në gjak.
- 21 Peshqit që ishin në Lumë, ngordhën, mbarë lumi u qelb. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Lumit. Mbarë dheun e Egjiptit e kishte përfshirë gjaku.
- 22 Po kështu vepruan edhe dijetarët egjiptianë me shortitë e tyre. Zemra e faraonit u ngurua dhe s`i dëgjoi ata, po ashtu si kishte thënë Zoti.
- 23 U ktheu shpinën, hyri në shtëpinë e vet dhe për këtë punë as që e çau ndopak kokën.
- 24 Mbarë egjiptianët hapën pusa përbri Lumit për të pirë, sepse nuk mund ta pinin ujin e Lumit.
- 25 U mbushën shtatë ditë pasi Zoti shtriu dorën e i ra Lumit.II. Bretkocat
- 26 Zoti i tha prapë Moisiut: Hyr te faraoni dhe thuaj: `Kështu thotë Zoti: Lëshoje popullin tim të më flijojë!
- 27 Nëse nuk do ta lejosh të shkojë, ja, unë do ta ndëshkoj tërë dheun tënd me bretkoca.
- 28 Lumi do të vëlojë prej bretkocave, të cilat do të dalin dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde dhe në dhomën e shtratit tënd, madje përmbi shtratin tënd dhe në shtëpitë e ministrave të tu, në popullin tënd, në furrat e tua dhe në magjat e tua.
- 29 Bretkocat do të hyjnë te ti, në popullin tënd dhe te të gjithë shërbëtorët e tu`.