Beselidhja e VjeterDalja: V. Ngordhje bagëtish
- 1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: Hyr te faraoni dhe thuaj: `Këto thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli!
- 2 Në qoftë se edhe këtë herë e ndalon të shkojë,
- 3 ja, dora e Zotit do të rëndojë fort mbi pasurinë tënde që është në ara, një ngordhje e madhe mbi kuajt, gomarët, devet, lopët e delet;gjetë e imëta e të trasha.
- 4 Zoti do të bëjë dallim mes pasurisë së Izraelit dhe pasurisë së Egjiptit: asnjë gjë nuk do të dëmtohet prej atyre që u përkasin bijve të Izraelit.
- 5 Zoti e caktoi edhe kohën duke thënë: `Zoti do ta çojë nesër këtë fjalë në vend mbi këtë dhe`.
- 6 Të nesërmen Zoti e çoi në vend fjalën: e mbarë gjëja e gjallë e egjiptianëve ngordhi, kurse prej bagëtive të bijve të Izraelit nuk cofi asnjë frymë.
- 7 Faraoni dërgoi njerëzit të shohin: dhe ja, asnjë këmbë berri nuk kishte cofur prej bagëtive të bijve të Izraelit. Por, prapë, u gurua zemra e faraonit dhe nuk lejoi të shkojë populli.VI. Çibanët
- 8 Zoti i tha Moisiut e Aronit: Mbushni grushtat me hi furre dhe Moisiu ta hedhë në ajër në praninë e faraonit,
- 9 dhe pluhuri le të përhapet mbi mbarë dheun e Egjiptit. Ky do t`u shkaktojë çibanë e lunga njerëzve dhe kafshëve në mbarë dheun e Egjiptit.
- 10 Morën hi prej furrës dhe i dolën para faraonit. Moisiu i dha krah në qiell. Atëherë të thatët dhe fshikëzat u përhapën ndër njerëz dhe bagëti.
- 11 As dijetarët nuk mundën t`i dalin Moisiut para, sepse edhe dijetarët si egjiptianët e tjerë, dhe mbarë dheun e Egjiptit i mbërthyen të thatët.
- 12 Zoti ia nguroi zemrën faraonit dhe nuk i dëgjoi ata, po ashtu sikurse Zoti i kishte thënë Moisiut.VII. Breshri
- 13 Zoti i tha Moisiut: Çohu heret në mëngjes dhe dil para faraonit e thuaj: `Kështu thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli!
- 14 Sepse këtë herë do t`i çoj të gjitha të këqijat mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që ta dish se në mbarë botën nuk është askush si unë.
- 15 Po ta kisha ngritur dorën time që në fillim për të ndëshkuar ty dhe popullin tënd me murtajë, deri në këtë çast kishe qenë i shfarosur prej sipërfaqes së tokës.
- 16 Përkundrazi, unë të kam ruajtur që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe kështu të flitet për emrin tim mbi mbarë tokën.
- 17 Ende po e ndal popullin tim dhe nuk po do ta lëshosh?
- 18 Ja, nesër, po në këtë orë, do të bëj të bjerë breshër tepër i madh, sa që i tillë nuk ka qenë në Egjipt që prej themelimit të tij e deri në ditën e sotme!
- 19 Që tani, pra, dërgo e bashko të gjitha bagëtitë e tua dhe gjithçka ke në fushë; sepse, mbi të gjithë njerëzit dhe bagëtitë që do të jenë përjashta dhe të mos jenë të tubuara prej fushës, do të bjerë breshri dhe do të vdesin.
- 20 Ai që prej shërbëtorëve të faraonit e druajti fjalën e Zotit, i mblodhi shërbëtorët e vet dhe bagëtitë në shtëpi,
- 21 kurse ata që nuk e çanë kokën për fjalën e Zotit, i lanë shërbëtorët e vet dhe bagëtinë në fushë.
- 22 Atëherë Zoti i tha Moisiut: Ço dorën tënde drejt qiellit që të bjerë breshër mbi mbarë dheun e Egjiptit: mbi njerëz, mbi bagëti dhe mbi çdo bimë fushe në dheun e Egjiptit.
- 23 Moisiu e drejtoi shkopin drejt qiellit dhe Zoti çoi gjëmë e breshër e rrufetë lëruan tokën dhe Zoti bëri të bjerë breshër mbi dheun e Egjiptit.
- 24 Binte breshër e njëkohësisht rrufetë çanin qiellin! Aq qe i madh, sa që i tillë kurrë nuk u pa më parë mbi mbarë dheun e Egjiptit, që kur atij populli iu zu fara!
- 25 Breshri rrënoi gjithçka u gjet përjashta në mbarë dheun e Egjiptit, prej njeriut e deri në bagëti. Breshri rrënoi edhe mbarë bimët e fushës; rrënoi deri edhe çdo lëndë në atë vend.
- 26 Vetëm në tokën Gesen, ku banonin bijtë e Izraelit, nuk ra breshër.
- 27 Atëherë faraoni e thirri Moisiun dhe Aronin e u tha: Këtë herë po e shoh se bëra mëkat! Zoti është i drejtë, kurse unë dhe populli im jemi fajtorë.
- 28 Lutuni Zotit që të pushojnë gjëmët e Hyjit dhe breshri dhe do t`ju lëshoj të shkoni e nuk do t`ju ndal më këtu.
- 29 Moisiu tha: Kur të dal prej qytetit, do t`i çoj duart lart drejt Zotit, do të pushojnë gjëmët e tija dhe nuk do të bjerë më breshër që ta dish se toka është e Zotit.
- 30 Porse, sa për ty dhe shërbëtorët e tu e di se ende nuk e druani Zotin Hyj.
- 31 Liri dhe elbi u dëmtuan, sepse elbi kishte qitur kallëz e liri kishte qitur lule.
- 32 Nuk u dëmtuan gruri as thekra, sepse ishin të vona.
- 33 Kur Moisiu u largua prej faraonit dhe prej qytetit, i çoi duart lart kah Zoti, pushuan gjëmët dhe breshri dhe as shi nuk ra më mbi tokë.
- 34 Faraoni pa se kishte pushuar shiu, breshri e gjëmët dhe vazhdoi të mëkatojë.
- 35 Zemra e tij dhe zemra e shërbëtorëve të tij u gurua për së tepërmi dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit, ashtu si e kishte folur Zoti me anë të Moisiut.