Beselidhja e VjeterFjalët e urta: 1 Kush e do mësimin e do urtinë
- 1 Kush e do mësimin e do urtinë, kurse kush i urren qortimet, është i marrë.
- 2 Kush është i mirë do të nxjerrë hir prej Zotit, kurse njeriun gërgas Zoti e dënon.
- 3 Askush nuk bëhet më i fortë me paudhësi, kurse rrënja e të drejtëve nuk do të tundet.
- 4 Gruaja e virtytshme është kurorë për burrin e vet, kurse e paturpshmja është kalbësirë për eshtrat e tij.
- 5 Mendimet e të drejtëve janë të drejta, kurse këshillat e të paudhëve janë gënjyese.
- 6 Fjalët e të paudhëve pritë gjakderdhjeje, kurse goja e të drejtëve u sjell liri.
- 7 Të këqijtë birren e sharrojnë, kurse familja e të drejtëve qëndron e patundshme.
- 8 Njeriu fiton lavde sipas mprehtësisë së mendjes së tij, kurse përbuzet kush është zemërkeq.
- 9 Më i mirë është një skamnor që i shërben vetvetes, se mendjemadhi që i mungon gjithçka.
- 10 I drejti kujdeset për jetën e bagëtive të veta, kurse zemra e të këqijve s`di për mëshirë.
- 11 Kush e punon tokën e vet, do të ngihet bukë, kurse kush vrapon pas kotësive, është i pamend.
- 12 Rrjetë të këqijash është dëshira e keqbërësit, porse rrënja e të drejtëve do të përparojë.
- 13 I keqi bie në rrjetë për shkak të mëkateve të buzëve të veta, kurse i drejti do të shpëtojë nga ngushtica.
- 14 Njeriu do të mbushet me të mira nga frytet e gojës së vet, do të shpaguhet sipas veprave të duarve të veta.
- 15 Të marrit sjellja e vet i duket e urtë, porse këshillat i dëgjon kush është i urtë.
- 16 I marri menjëherë e dëfton zemërimin e vet, kurse i mençuri e fsheh fyerjen.
- 17 Kush flet të vërtetën, tregon të drejtën, kurse dëshmitari i rremë tradhtinë.
- 18 Kush flet pa peshuar, ther me shpatë, kurse gjuha e të urtëve është shërim.
- 19 Buza që flet të vërtetën, qëndron përgjithmonë, kurse gjuha që gënjen vetëm për pak kohë.
- 20 Gënjeshtra është në zemrën e atyre që mendojnë të keqen, kurse gëzojnë ata që këshillojnë paqen.
- 21 Të drejtin nuk e gjen asnjë e keqe, kurse të paudhët do të mbushen me të këqija.
- 22 Zotit i neveriten buzët rrenacake, kurse i pëlqejnë ata që flasin të vërtetën.
- 23 Njeriu i kujtueshëm e fsheh urtinë, kurse zemra e të pamendit e shpall marrinë e vet.
- 24 Dora e të kujdesshmit sundon, kurse dora e përtacit çon në nënshtrim.
- 25 Trishtimi i brendshëm e përul burrin, kurse lajmi i mirë e gëzon atë.
- 26 I drejti e udhëheq drejt mikun e vet, kurse sjellja e të padrejtëve do t`i gënjejë ata.
- 27 Përtaci nuk do ta pjekë gjahun e vet, pasuri të çmueshme do të ketë njeriu i kujdesshëm.
- 28 Në udhën e drejtësisë gjendet jeta, por ka edhe udhë të hapur që shpie në vdekje.