Beselidhja e VjeterIsaia: Kundër Babilonisë
- 1 Profecia mbi Babiloninë që e pa Isaia, biri i Amosit.
- 2 Mbi një mal të shogët lartësojeni flamurin, lëshoni kushtrimin, bëni me dorë që të hyjnë nëpër Dyer të bujarëve.
- 3 Unë i urdhërova të shenjtëruarit e mi, si vegël të hidhërimit tim i thirra trimat e mi, ata që i gëzohen madhërisë sime.
- 4 Dëgjoni! Një brohoritje në male porsi zhurma e një populli të shumtë! Dëgjoni! Një poterë mbretërish të popujve të tubuar! Zoti i Ushtrive po bën parakalimin e ushtrisë që niset në luftë!
- 5 Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiellit Zoti dhe veglat e zemërimit të tij për ta rroposur botën mbarë!
- 6 Lëshoni gjëmë mjerimi, sepse afër është Dita e Zotit, si shkretëtim po vjen i Gjithëpushtetshmi!
- 7 Këndej po ngathen të gjitha duart, çdo zemër njeriu po dridhet!
- 8 Të gjithë po i pushton tmerri! Të dridhurat e dhimbjet i pushtuan, porsi gruan në dhimbjet e të lindurit! Me tmerr shikojnë njëri-tjetrin, fytyra e tyre gacë e skuqur!
- 9 Ja, po vjen dita e Zotit e pamëshirë e plot zemërim, plot hidhërim edhe zemërim për ta kthyer vendin në shkretëtirë, për t`i zhdukur prej tij mëkatarët.
- 10 Të qiellit yjet e yjësitë e tijs`do ta lëshojnë dritën e vet, posa të lindë do të erret dielli, as hëna s`do të bëjë dritë më!
- 11 Për shkak të të këqijave do të ndëshkoj rruzullin, e mëkatarët për fajësinë e tyre, madhështorëve do t`ua zhdukë krenarinë, në pluhur do t`i zhgërryej të dhunshmit!
- 12 Njeriu do të jetë më i rrallë se ari i rëndomtë, më i rrallë se ari i kulluar!
- 13 Edhe qiellin do ta tund, edhe toka do të luajë vendit prej zemërimit të Zotit të Ushtrive n`ditë të shpërthimit të furisë së tij.
- 14 E do të ndodhë si me shutën e pëdjekur, si me delet të mbetura pa bari në popull të vet gjithkush do të kthehet, në vend të vet do të ikë secili.
- 15 Kush të zihet, vrik do të theret, kush të kapet, me shpatë do të pritet!
- 16 E përpara syve të tyre për tokë foshnjat do t`ua plandosin, shtëpitë e tyre do t`i bëjnë pre, gratë e tyre do t`i dhunojnë!
- 17 Kundër tyre medët do të ngre, që s`çmojnë sermin e urrejnë arin,
- 18 me hark të rinjtë do t`ua vrasin, s`do të kenë mëshirë as për fryt të barkut.
- 19 Babiloni, ajka e mbretërive, i kaldenjve lulja e krenarisë, si Sodoma e Gomorra do të bëhet kur i Lumi i rroposi!
- 20 Shkret do të mbesë ai përgjithmonë, brez pas brezi i pabanuar, në të arabët çadër s`do të ngulin, në të barinjtë nuk do të mrizojnë.
- 21 Egërsirat aty do të pushojnë, me kukuvajka shtëpitë do t`u mbushen, strucat në të do të gjejnë strehim, satirët në të do të kërcejnë,
- 22 në pallate të tyre do të ulërinë hienat, e çakajtë në tempujt e kënaqësisë...S`do të vonojë të vijë koha e tij, nuk do të zgjasin ditët e tij!