Beselidhja e VjeterIsaia: Kundër Etiopisë
- 1 Vaj për ty, o vend flatrash shurdhuese, përtej lumenjsh të Etiopisë,
- 2 që i nis n`për det kasnecët nëpër ujë me lundra zunkthi: Nisuni, kasnecë të shpejtë, drejt popullit shtatlartë e me ngjyrë, drejt popullit të tmerrshëm, pranë e larg, drejt një populli të fortë e luftëtar, lumenjtë e të cilit tokën e çajnë!
- 3 Të gjithë ju, banorët e botës, të gjithë ju që në tokë banoni, kur lartësuar të jetë në male flamuri, shikojeni, kur boria të ketë rënë, dëgjojeni!
- 4 Sepse kështu Zoti më ka thënë: Nga banesa ime do të vrojtoj i qetë porsi vapa e pishës së diellit, porsi reja e vesës në djegagur të korrjes.
- 5 Sepse, si lulëzimi të jetë kryer i hardhisë, edhe lulja rrush i pjekur të jetë bërë, para se të duhet të vilet, me kizë do t`i presë shermendet, do t`i presë e do t`i flakë pinjollët.
- 6 Të gjithë së bashku atëherë do t`u lihen shpendëve të malit e egërsirave; grabitqarët në të do të verojnë, kafshët e tokës në të do të dimërojnë.
- 7 Në atë kohë, Zotit të Ushtrive do t`i sillen dhurata prej një populli shtatlartë e me ngjyrë, prej një populli të tmerrshëm tani e gjithmonë, prej një kombi të fortë e luftëtar, lumenjtë e të cilit tokën e çajnë, në vendin e Emrit të Zotit të Ushtrive, në malin Sion.