Beselidhja e VjeterIsaia: Gjyqi i Zotit
- 1 Ja, Zoti po e shkatërron tokën, copë po e bën, po ia shëmton fytyrën, banorët po ia shpëdan!
- 2 Njësoj do t`i ndodhë popullit e priftit, skllavit e zotërisë, skllaves e zonjës, blerësit dhe shitësit, huadhënësit e huamarrësit, si atij që jep si atij që merr.
- 3 Toka do të shkatërrohet krejtësisht, pa mëshirë pre do të bëhet: sepse Zoti e ka thënë këtë fjalë!
- 4 Vajton toka, po lëngon, po shkrihet, po lëngon bota, qielli e toka janë në lëngim.
- 5 Prej banorëve të vet toka u dhunua, sepse e shkelën Ligjin, thyen urdhrin, thyen Besën e përjetshme.
- 6 Këndej mallkimi tokën po e përpin, rrjedhojat po i pësojnë banorët; këndej po shuhen banorët e saj e s`kanë mbetur, përveç fort pak njerëz.Qyteti i shpartalluar
- 7 Vajton mushti, lëngon hardhia, rënkojnë të gjithë ata që u gëzohej zemra!
- 8 Pushoi gëzimi i tupanëve, u zhduk zhurma e të gëzuarve, heshti i cetrës ting`lli i ëmbël.
- 9 S`pihet më vera me këngë, kush e pi farmak i duket.
- 10 U rropos qyteza e kotësisë, u kyç çdo shtëpi që kush brenda të mos hyjë;
- 11 britmë n`për sheshe pse verë s`ka, është zhdukur çdo hare, çdo galdim u zhduk nga vendi.
- 12 U shua, u shkretua qyteza, copë e grimë dera u bë!
- 13 Sepse kjo gjë do ta gjejë tokën, mes popujve do të ndodhë sikurse kur ullinjtë shkunden, sikur pas vjeljes mblidhen kokrrat.
- 14 Ata zërin do të lartësojnë, do të këndojnë madhërinë e Zotit, nga deti do të brohorisin.
- 15 Këndej, pra, Zotit brohoritini në Lindje, në ishuj të detit Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit!
- 16 Në skaje të botës dëgjojmë lavde: Lavdi të Drejtit! Unë thashë: Emnesë, emnesë! Vaj për mua! Të pabesët besën e thyen, me pabesë e thyen besën të pabesët!
- 17 Tmerr e gropë e lak mbi kokë i ke, banori i tokës!
- 18 E do të ndodhë: kush nga tmerri do të shpëtojë, në gropë do të bjerë, nga humnera kush do të dalë, në lak do të bjerë, sepse hapur janë ujëpritëset e qiellit dhe u trandën themelet e tokës!
- 19 Toka hapet, grimë po bëhet, po copëtohet, toka po thërmohet, toka dridhet, tmerrshëm tundet,
- 20 ço e rrëzo, porsi i dehuri këmbadoras, dridhet thua se s`është, por çadër; e keqja e saj mbi të peshon, e rrëzon, s`e lë të çohet!
- 21 E atë ditë kështu do të ndodhë: Zoti rreptë do ta ndëshkojë atje lart ushtrinë në lartësi e mbi tokë mbretërit e tokës,
- 22 do të mblidhen të lidhur në humnerë, në pranga do të mbyllen në burg e pas shumë kohe do të ndëshkohen.
- 23 Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli, sepse do të mbretërojë Zoti i Ushtrive, në malin Sion e në Jerusalem Lavdia e tij do të shkëlqejë në praninë e pleqve të vet.