Beselidhja e VjeterIsaia: Ngjallje e ndritshme e Jerusalemit
- 1 Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit!
- 2 Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet!
- 3 Në dritën tënde, do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd.
- 4 Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë.bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin.
- 5 Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti.
- 6 Mori gamilesh do të të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa.Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t`i këndojnë lavde Zotit.
- 7 Të gjitha grigjat e Cedarit, do të grumbullohen për ty, deshtë e Nabajotit, do të jenë në shërbim tënd; do të ngjiten si fli e pëlqyeshme mbi lterin tim dhe do ta lavdëroj Shtëpinë e Lavdisë sime.
- 8 Kush janë ata që po fluturojnë si retë, porsi pëllumbat në çerdhet e veta?
- 9 Janë ishujt që më presin, në krye me anije të Tarsit, për t`i sjellë bijtë e tu prej së largu e bashkë me ta, argjendin e arin e tyre, në nder të emrit të Zotit tënd, Hyj, në nder të Shenjtit të Izraelit që të lavdëroi.
- 10 Të huajt do t`i ndërtojnë muret e tua, mbretërit e tyre do të jenë shërbëtorët e tu.Në zemërimin tim unë të pata goditur, por në mirësinë time pata mëshirë për ty.
- 11 Të hapura do të jenë vazhdimisht dyert e tua, jo, nuk do të mbyllen ditë as natë, që të shtiehet te ti pasuria e popujve e të sillen mbretërit e tyre.
- 12 Popujt e mbretëritë që s`do të të shërbejnë ty, do të sharrojnë, plotësisht do të zhduken.
- 13 Te ti do të vijë nderi i Libanit, qiparis, vidh e bredh së bashku, për ta stolisur vendin e Shenjtërores sime, po, të lavdishëm do ta bëj vendin ku i vë këmbët!
- 14 Te ti do të vijnë kokulur bijtë e atyre që të kanë përvujtëruar, përmbys do të bien para këmbëve të tua të gjithë ata që të përbuznin dhe do të të quajnë Qyteti i Zotit, Sioni i Shenjtit të Izraelit.
- 15 Pasi qe lënë shkretë dhe e urryere askush nëpër ty s`kalonte, unë do të të bëj krenarinë e shekujve, gëzimin e breznive të breznive.
- 16 E ti do pish qumështin e popujve, do të gëzosh pasurinë e mbretërve dhe do ta dish se unë jam Zoti, Shpëtimtari yt, Shpërblyesi yt, i Pamposhturi i Jakobit!
- 17 Në vend të bronzit, do të sjell ar, në vend të hekurit, argjend, në vend të druve, bronz e në vend të gurëve, hekur.Paqen do ta vë rojtarin tënd e Drejtësinë kryetarin tënd.
- 18 Më s`do të flitet për dhunë në vendin tënd, as shkretim e ndrydhje në kufijtë e tu; Shpëtim do t`i quash muret e tua e Lavdi dyert e tua!
- 19 Më s`do të jetë dielli ai që do të ndriçojë ditën, as drita e hënës nuk do të të shndritë natën, por do të jetë Zoti, drita jote e përhershme, dhe Hyji yt do të jetë shkëlqimi yt!
- 20 S`do të perëndojë më dielli yt, as hëna më s`do të errësohet, sepse Zoti do të jetë për ty dritë e amshueshme dhe fund do të marrin ditët e zisë sate.
- 21 Populli yt do të jetë popull të të drejtësh, për amshim do ta trashëgojnë Vendin, pinjollë prej meje të mbjella, vepër e duarve të mia për ta dëftuar lavdinë time.
- 22 Prej më të voglit do të shtohen një mijë, prej të pakëtit një popull i fortë.Unë Zoti, në kohën e duhur, do të nxitoj ta bëj këtë.