Beselidhja e VjeterIsaia: Pushtimi i Senakeribit
- 1 Të katërmbëdhjetin vit të mbretërimit të Ezekisë, Senakeribi, mbreti i asirianëve, i sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judesë dhe i pushtoi.
- 2 Atëherë mbreti i Asirisë nga Lakisi e dërgoi rabsakun në Jerusalem te mbreti Ezeki me një ushtri të madhe. Ky zuri vend tek ujësjellësi i Liqenit të sipërm në udhën e fushës së Larësit të rrobave.
- 3 I dolën në takim Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i oborrit, sekretari Sobna dhe këshilltari Joahe, biri i Asafit.
- 4 Rabsaku u tha: Thuajini Ezekisë: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: Ç`është kjo siguri e madhe që po e tregon?
- 5 Ti mendon: `Mjafton një fjalë goje për të gjetur këshillë e forcë në luftë!` Në kë pra, ti e ke vënë shpresën që je çuar kundër meje?
- 6 Ja, ti po mbështetesh tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, tek i cili kush mbështetet, ia ther dorën dhe ia shporon: i tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që shpresojnë në të.
- 7 Nëse do të më përgjigjesh: `Shpresojmë në Zotin, Hyjin tonë`, pse a nuk është ai, të cilit Ezekia ia hoqi lartësirat dhe lterët dhe i tha Judës e Jerusalemit: `Adhuroni vetëm para këtij lteri!`
- 8 Qiti bast, pra, zotërisë tim, mbretit të Asirisë, dhe unë do të jap dy mijë kuaj, nëse mund të gjesh kalorës për ta.
- 9 E si do të mund t`i bësh ballë vetëm edhe njërit ndër më të vegjlit shërbëtorë të zotërisë sim? Por ti e ke vënë shpresën në Egjiptin për karroca lufte e për kalorës!
- 10 E pastaj, a thua se unë jam nisur kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa pëlqimin e Zotit? Vetë Zoti më tha: `Sulu kundër këtij vendi e shpartalloje!`
- 11 Eliacimi, Sobna e Joaheu iu përgjigjën rabsakut: Fol me shërbëtorët e tu aramaisht, sepse e marrim vesh këtë gjuhë e mos na fol hebraisht në praninë e popullit që është përmbi mure.
- 12 Por rabsaku u përgjigj: A thua më dërgoi zotëria im t`ia them këto fjalë zotërisë tënd dhe ty? Vallë, a jo më tepër te këta burra që rrinë përmbi mure, të cilët së shpejti do të jenë të shtrënguar bashkë me ju të hanë jashtëqitjet e veta dhe të pijnë ujët e vet?
- 13 Atëherë u ngrit rabsaku e bërtiti me zë të lartë hebraisht e tha: Dëgjojini fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë:
- 14 Kështu thotë mbreti: Të mos ju gënjejë Ezekia, sepse ai s`do të mund t`ju shpëtojë!
- 15 Mos lejoni t`jua mbushë mendjen Ezekia ta vini shpresën tuaj në Zotin duke ju thënë: `Me siguri do të na shpëtojë Zoti; ky qytet nuk do të bjerë në dorë të mbretit të asirianëve!`
- 16 Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i asirianëve: `Lidhni miqësi me mua e dilni e më ndeshni, e secili prej jush do të hajë frytet e vreshtit të vet, secili fiqtë e vet dhe secili do të pijë ujët e cisteës së vet,
- 17 derisa të vij e t`ju marr për t`ju shpënë në një vend si i juaji, në një tokë që prodhon grurë e verë, në një vend buke e vreshtash.
- 18 Mos t`ju gënjejë Ezekia duke thënë: `Zoti do të na shpëtojë`! Pse a i shpëtuan hyjnitë pagane secila vendin e vet, nga dora e mbretit të Asirisë?
- 19 Ku janë zotat e Ematit e të Arfadit? Ku janë zotat e Sefarvaimit? Vallë, a e shpëtuan Samarinë nga dora ime?
- 20 Cilat, prej të gjitha hyjnive të këtyre vendeve, e shpëtuan vendin e vet prej dorës sime? Pse a do ta shpëtojë Zoti Jerusalemin prej dorës sime?
- 21 Populli heshti e s`iu përgjigj asnjë fjalë, sepse mbreti kishte urdhëruar: Mos iu përgjigjni!
- 22 Atëherë kryekujdestari i oborrit mbretëror, Eliacimi, biri i Helcisë, sekretari Sobna dhe Joaheu, biri i Asafit, si shqyen petkat, shkuan tek Ezekia dhe ia treguan fjalët e rabsakut.