Beselidhja e VjeterIsaia: Zoti thërret Cirin
- 1 Le të heshtin para meje ishujt, edhe popujt le të përtërijnë fuqinë; le të afrohen e le të flasin, të shpejtojmë së bashku në gjyq të përballohemi!
- 2 Kush e ngriti prej Lindjes atë, hapin e të cilit po e ndjek drejtësia? Para tij po i shtron popujt, para tij po i ul mbretërit, shpata e tij pluhur i bën, shigjetat e tij porsi byku kur e rrëmben era!
- 3 I ndjek ferrë pa i hyrë në këmbë, thua se këmbëve u ka vënë fletë!
- 4 Kush e bëri dhe e sendërtoi këtë? Ai që i thërret në jetë breznitë që në fillim: Unë jam Zoti, i pari, po edhe me të sprasmit jam!
- 5 Shohin ishujt edhe dridhen, skajet e tokës i kap tmerri, po afrohen, ia arritën!
- 6 Secili e ndihmon të afërmin, vëllait të vet i thotë: Me guxim!
- 7 Shkrirësi i jep zemër argjendarit, lëmuesi me maj atij që rreh në kullë, i thotë për zierjen: Mirë është! dhe e forcon me gozhda që të mos lëvizë.Hyji është me Izraelin
- 8 E ti, o Izrael, shërbëtori im, ti, o Jakob, që vetë të zgjodha, fara e Abrahamit, mikut tim,
- 9 ti që të mora nga skaji i botës, që të thirra prej viseve të largëta e të thashë: Ti je shërbëtori im; unë të zgjodha e nuk të përbuza.
- 10 Mos druaj se me ty jam, mos u shmang se unë jam Hyji yt: do të të bëj të fortë, unë do të të ndihmoj, do të të përkrah me të djathtën e drejtësisë sime.
- 11 Ja, do të turpërohen e do të skuqen të gjithë ata që hidhërohen në ty; do të jenë si të mos ishin e do të sharrojnë ata që të kundërshtojnë ty.
- 12 Do t`i kërkosh e s`do t`i gjesh ata që grinden me ty; do të jenë si të mos ishin, një asgjë, ata që luftojnë kundër teje.
- 13 Sepse jam unë Zoti, Hyji yt, që të marr për dore e të them: Mos druaj, unë do të të ndihmoj!
- 14 Mos u tremb, Jakob he krimb, o burra të Izraelit! Unë do të të ndihmoj;thotë Zoti, Shpëtimtari yt, Shenjti i Izraelit.
- 15 Ja, po të bëj trinë të re trinojëse, që ka grremça të dhëmbëzuar; malet do t`i trinosh, do t`i gërryesh, pluhur kodrat do t`i bësh.
- 16 Do t`i terplotosh, era do t`i tretë, vorbulla do t`i shpëdajë e ti do të gëzohesh në Zotin, do të galdosh në Shenjtin e Izraelit.Mrekullitë e reja të Daljes së re
- 17 Skamnorët e të varfërit ujë kërkojnë, por ujë s`ka, rngjuha e tyre nga etja u tha, Unë, Zoti, do t`i vështroj, unë, Hyji i Izraelit, s`do t`i braktis.
- 18 Lumenj do të shpërthej në kodra të shogëta, në lugina do të pëlcasë ujët e gjallë; Shkretëtirën kënetë do ta bëj, tokën e thatë burime ujërash!
- 19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin, akacjen, mirtën e ullirin; në shkretëtirë bredhin do ta mbjell, bashkë me vidh e qiparis,
- 20 që të shohin e ta kuptojnë, ta mendojnë e vesh ta marrin njëherësh, se dora e Zotit këtë e bëri, e krijoi Shenjti i Izraelit.Zoti është Hyji i vetëm
- 21 Paraqiteni çështjen tuaj, thotë Zoti, sillni, nëse keni prova të forta, thotë Mbreti i Jakobit.
- 22 Të afrohen e të na tregojnë ç`do të ndodhë, na i tregoni gjërat që kaluan, kështu që ne të mund t`i kujtojmë, ose shpallni çfarë do të ngjasë, që ta dimë se çka do të ndodhë!
- 23 Parakallëzoni çka në të ardhmen do të ndodhë, që ta pranojmë se jeni zota! Bëni diçka qoftë mirë qoftë zi, që ta shohim e të mahnitemi!
- 24 A po shihni se jeni askushi, vepra juaj s`vlen asgjë, i përbuzshëm është kush ju zgjedh.Zoti e ka parakallëzuar fitoren e Kirit
- 25 Unë e ngrita nga veriu e erdhi nga Lindja e diellit; për emër vetë atë e thirra, porsi baltën do t`i shkelmojë të mëdhenjtë, si vorbëtari që e shkel baltën.
- 26 Kush e parakallëzoi që moti që ta dinim, që në kohë të vjetra që të mund të themi: `Është e vërtetë!` Jo, s`ka lajmërues, s`ka parakallëzues, askush s`i dëgjoi fjalët tuaja.
- 27 Unë i pari i thashë Sionit: Ja, tek janë!, Jerusalemit ia dërgoj sihariqtarin!
- 28 Shikova, por s`ishte askush, asnjë që këshillë të jepte, askush s`ishte që të pyetej e të mund të përgjigjej!
- 29 Ja, të gjithë këta janë një asgjë, të pa farë vlere veprat e tyre: erë e kotësi idhujt e tyre!