Beselidhja e VjeterIsaia: Shpëtimi i bijve të Abrahamit
- 1 Më dëgjoni ju që ndiqni drejtësinë, ju që kërkoni Zotin, shikojeni qetën nga qetë prerë dhe gropën e humnerës nga qetë nxjerrë!
- 2 Shikojeni Abrahamin, atin tuaj, edhe Sarën që ju lindi! Ishte, njëmend, i vetëm kur e thirra, por e bekova dhe e shtova!
- 3 Sepse Zoti e ngushëllon Sionin, i ngushëllon të gjitha rrënojat e tij; shkretëtirën e tij e shndërron në Eden, djerrinën e tij në Kopsht të Zotit! Brohoritja e galdimi do të jehojnë në të, falënderimet e këngët e lavdisë!Zoti do ta gjykojë botën
- 4 Më dëgjoni me kujdes, o populli im, veshin ma vini, o popuj! Sepse prej meje do të dalë Ligji të drejtën time do ta bëj dritë për popuj!
- 5 Afër është drejtësia ime, arriti shëlbimi im! Krahu im do t`i gjykojë popujt, në mua shpresën do ta vënë ishujt do të shpresojnë në krahun tim.
- 6 Lart në qiell lartësoni sytë tuaj dhe shikoni poshtë në tokë! Sepse qiejt do të zhduken si tymi, toka do të vjetrohet si petku, banorët e saj të gjithë si ajo do të mbarojnë.Por shpëtimi im do të qëndrojë deri në amshim, drejtësia ime do të jetë e pafund!
- 7 Më dëgjoni ju që e njihni të drejtën, ti, o popull, që ma ke në zemër Ligjin: mos e druani përqeshjen e njerëzve, mos u trembni nga fyerjet e tyre!
- 8 Sepse tenja do t`i brejë si petkun, porsi leshin krimbi do t`i brejë; kurse drejtësia ime do të qëndrojë gjithherë, shëlbimi im brezni më brezni.Zgjimi i Zotit
- 9 Zgjohu, zgjohu, ngjeshe forcën, o krahu i Zotit! Zgjohu porsi në ditët e moçme, në breznitë shekullore! Vallë, ti a nuk e godite Rahabin, a s`e plagose dragoin?
- 10 Pse a nuk qe ti ai që e thau detin, ujët e Humnerës së tmerrshme, ti që e bëre fundin e detit udhë që nëpër të të kalonin të çliruarit?
- 11 Të shpërblyerit e Zotit do të kthehen e do të arrijnë në Sion duke kënduar, lumturia e përhershme do të jetë mbi kokë të tyre, do t`i përcjellë gëzimi e hareja, do të zhduken dhimbjet e rënkimet!Zoti është Ngushëlluesi i gjithëpushtetshëm
- 12 Unë, unë jam Ngushëlluesi juaj! Kush je ti që të trembesh nga njeriu i vdekshëm, nga biri i njeriut që është si bari?
- 13 E ke harruar Zotin, Krijuesin tënd, që e shtriu qiellin dhe ethemeloi tokën, e gjithnjë vazhdon të trembesh gjithë ditën para zemërimit të atij që të mundonte kur vendosi ta shuante farën! Ku është tashti zemërimi i ndrydhësit?Shpëtimi
- 14 I zëni rob shpejt do të çlirohet, në burg s`do të vdesë, buka kurrë s`do t`i mungojë.
- 15 Unë jam Zoti, Hyji yt, që e tund detin, e buçasin valët e tij; Zoti i Ushtrive emri i tij!
- 16 Fjalët e mia në gojë t`i vura, nën hije të dorës sime të fsheha kur shtrija qiellin e themeloja tokën e i thosha Sionit: Ti je populli im!Zgjimi i Jerusalemit
- 17 Zgjohu, zgjohu, ngrihu, Jerusalem, ti që e pive prej dorës së Zotit gotën e zemërimit të tij, pive kupën e trullosjes, e pive deri në fund!
- 18 Prej të gjithë bijve që ai lindi s`është asnjë që ta ketë mbështetje; prej të gjithë bijve që ai i rriti, s`është asnjë që ta marrë për dore!
- 19 Dy të këqija të goditën kush do të ketë dhimbje për ty? rrënim e shfarosje, uri e shpatë kush do të të ngushëllojë?
- 20 Bijtë e tu shtrihen të molisur në krye të çdo udhe si antilopa e zënë në lak, të këputur nga zemërimi i Zotit, nga kërcënimi i Hyjit tënd!
- 21 Dëgjo, pra, o i mjerë, o i dehur, por jo me verë!
- 22 Kështu thotë Zotëruesi yt, Zoti, Perëndia yt, Mbrojtësi i popullit tënd:Ja, prej dorës po ta heq kupën e trullosjes, gotën e zemërimit tim: ti kurrë më nuk do ta pish.
- 23 Pëdjekësve të tu në dorë do t`ua vë, atyre që ty të thonin: Bëju urë të kalojmë mbi ty!, urë ua bëje shpinën tënde, porsi udhë për kalimtarë.