Beselidhja e VjeterIsaia: Varri
- 1 Kush, pra, besoi në atë që ne dëgjuam se u tha?Kujt i qe zbuluar dora e Zotit?
- 2 Para Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë.S`kishte bukuri as hijeshi, që të mund të vërenim në të, as pashi që të mund të na pëlqente.
- 3 Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s`e çmonin për gjësend!
- 4 E pra, Ai i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar, i munduar prej Hyjit e i nënçmuar!
- 5 Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona, i ndrydhur për shkak të fajeve tona; ndëshkimi, peng paqeje për ne, peshoi mbi Të: me vërragën e tij ne u shëruam.
- 6 Të gjithë ne endeshim si berrat e humbur, secili udhën e vet ndiqte e Zoti e ngarkoi mbi Të paudhësinë e të gjithë neve.
- 7 I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet, nuk e çeli gojën e vet; porsi qengji që e çojnë për ta therur, porsi delja e pazë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet.
- 8 E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq.Kush kujdeset për fatin e tij? Po, e zhdukën nga toka e të gjallëve, për faj të popullit të vet qe goditur për vdekje.
- 9 Varrin e tij e vunë me të patenzonët, me pasanikët varri i tij, megjithëse s`kishte bërë paudhësi as gënjeshtër s`doli nga goja e tij.
- 10 Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje.Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi motgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit.
- 11 Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj.Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t`i marrë.
- 12 Prandaj turmat do t`ia jap për shpërblim, pre e tij do të jenë popuj të panumërt, sepse e dorëzoi veten për vdekje dhe qe numëruar ndër keqbërës që mbi vete t`i marrë fajet e turmave e lutet për ata që mëkatojnë.