Beselidhja e VjeterIsaia: Thirrja e profetit
- 1 Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t'u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme, t'i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t'u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve, çlirimin;
- 2 të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Hyjit tonë, t'i ngushëlloj të gjithë ata që qajnë,
- 3 t'ua vë të mjerëve të Sionit e t'ua jap kezën në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, këngën e lavdit në vend të zemrës së trishtuar.Do të quhen Lisat e drejtësisë, mbëltesë e Zotit për të dëftuar lavdinë.
- 4 Ata do t'i rindërtojnë rrënimet e vjetra, do t'i ngrejnë rrënojat e moçme, do t'i përtërijnë qytetet e lëna shkret, të shkretuara brezni pas breznie.
- 5 Të huajt do të vijnë për t'ua kullotur grigjat, bujq e vreshtarë tuaj do të jenë njerëz nga kahmos të ardhur,
- 6 kurse ju do të quheni Priftërinjtë e Zotit, ju do t'ju emërtojnë Shërbëtorët e Hyjit tonë.Do t'i gëzoni të mirat e popujve e do të krenoheni me pasurinë e tyre.
- 7 Për turpin e tyre të dyfishtë e për poshtërim, lavde do t'i këndojnë pjesës së vet; këndej në vendin e vet dy herë aq do të marrin e do të kenë gëzim të përhershëm.
- 8 Sepse unë jam Zoti që e dua të drejtën, që e urrej cubninë dhe paudhësinë, do t'u jap shpërblimin e vërtetë, me ta besëlidhje do të bëj të përhershme.
- 9 Fara e tyre e njohur do të jetë ndër popuj, e ndër kombe pasardhësit e tyre.Kush t'i shohë, do t'i çmojë, sepse janë fara që e ka bekuar Zoti.
- 10 Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me argjendari e stolisur.
- 11 Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi, porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij, kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia edhe lavdi në sy të të gjithë popujve.