Beselidhja e VjeterJeremia: Jeremia burgoset e gjykohet pas predikimit kundër Tempullit
- 1 Në fillim të mbretërimit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, Jeremisë i qe drejtuar prej Zotit kjo fjalë:
- 2 Kështu thotë Zoti: Qëndro në treme të Shtëpisë së Zotit dhe thuaju të gjitha qyteteve të Judës, prej të cilave vijnë për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që unë të kam urdhëruar t`ua thuash: ruaju se e mungon ndonjë fjalë.
- 3 Ndoshta dëgjojnë e kthehen secili nga udha e vet e keqe, e të pendohem edhe vetë për të keqen që kam në mend t`ua bëj atyre për shkak të veprave të tyre të këqija.
- 4 Thuaju, pra: Kështu thotë Zoti: Nëse nuk do të më dëgjoni të ecni sipas Ligjit tim, që jua kam dhënë,
- 5 duke i dëgjuar fjalët e shërbëtorëve të mi profetë, që unë i kam dërguar vazhdimisht, megjithëse deri tashti nuk i keni dëgjuar,
- 6 do të sillem me këtë Tempull porsi me Silon e këtë qytet do ta bëj mallkim për të gjithë popujt e tokës.
- 7 Priftërinj, profetë e mbarë populli e dëgjuan Jereminë duke i folur këto fjalë në Shtëpinë e Zotit.
- 8 Kur Jeremia u dha fund të gjitha fjalëve që ia kishte urdhëruar Zoti t`ia thotë mbarë popullit, atëherë e kapën priftërinjtë, profetët e mbarë populli e thanë: Do të të shkojë koka!
- 9 Pse ti e bëre këtë profeci në emër të Zotit: `Ky Tempull do të bëhet si Siloja e ky qytet do të shkretohet, sepse askush në të nuk do të banojë!` Dhe u grumbullua kundër Jeremisë mbarë populli në Shtëpinë e Zotit.
- 10 I dëgjuan këto fjalë edhe prijësit e Judës, erdhën nga Pallati i mbretit në Shtëpinë e Zotit dhe zunë vend në hyrje te dera e Re e Tempullit të Zotit.
- 11 Atëherë priftërinjtë e profetët u thanë krerëve dhe mbarë popullit: Ky njeri meriton gjykimin me vdekje, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti siç dëgjuat me veshët tuaj.
- 12 Por Jeremia u tha të gjithë prijësve dhe mbarë popullit: Zoti më dërgoi të profetizoj kundër kësaj Shtëpie e kundër këtij qyteti të gjitha këto fjalë që i dëgjuat.
- 13 Tashti, pra, përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja dhe dëgjojeni fjalën e Zotit, Hyjit tuaj: atëherë edhe Zoti do të pendohet për të keqen që ju ka kërcënuar se do t`jua bëjë.
- 14 Sa për mua, ja, unë jam në duart tuaja. Bëni me mua si jua pret mendja se është mirë e drejt.
- 15 Megjithatë, dijeni mirë se, në qoftë se ju më vritni, ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm; sepse me të vërtetë Zoti më dërgoi ndër ju për t`ua shpallur veshëve tuaj të gjitha këto fjalë.
- 16 Atëherë prijësit e mbarë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: Ky njeri nuk duhet të dënohet me vdekje, sepse na ka folur në emër të Zotit, Hyjit tonë.
- 17 Atëherë u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i thanë mbarë bashkësisë së popullit:
- 18 Mike Morastiti ishte profet në ditët e Ezekisë, mbretit të Judës, dhe i tha mbarë popullit të Judës: `Kështu thotë Zoti i Ushtrive:Sioni do të lërohet porsi ara, grumbull gurësh do të bëhet Jerusalemi, kurse Mali i Tempullit një pyll i madh.`
- 19 Vallë, a me vdekje e dënoi atë Ezekia, mbreti i Judës, dhe mbarë Juda? Pse, a vallë, nuk e druajtën Zotin dhe nuk u lutën para fytyrës së tij dhe Zoti vallë a s`u pendua për të keqen me të cilën u ishte kërcënuar? E ne? Ne po e ngarkojmë shpirtin tonë me një të keqe kaq të madhe!
- 20 Po ishte edhe një njeri që profetizonte në emër të Zotit; ishte Uria, biri i Semeut, nga Kariatiarimi. Edhe ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi krejtësisht si Jeremia.
- 21 I dëgjoi mbreti Joakim, të gjithë të mëdhenjtë e prijësit e tij këto fjalë dhe mbreti kërkoi ta vrasë. Mori vesh Uria, u tremb, iku dhe u strehua në Egjipt.
- 22 Atëherë mbreti Joakim dërgoi njerëzit në Egjipt, Elnatamin, birin e Akborit, edhe disa vetë bashkë me të në Egjipt.
- 23 Ata e morën Urinë prej Egjiptit dhe e çuan te mbreti Joakim. Ky urdhëroi t`i pritet me shpatë koka dhe kufomën e tij e hodhi në varreza të vegjëlisë.
- 24 Jereminë e mori në ndore Ahikami, biri i Safanit, që të mos lihej në duar të popullit e të mos vritej.