Beselidhja e VjeterJeremia: Veprimi simbolik me zgjedhën dhe kumtim mbretërve të Perëndimit
- 1 Në fillim të mbretërisë së Sedecisë, birit të Jozisë, mbretit të Judës, kjo fjalë i qe drejtuar prej Zotit Jeremisë:
- 2 Kështu më thotë Zoti: puno për vete litarë e një zgjedhë dhe mbërtheje në qafën tënde.
- 3 E çoji fjalë mbretit të Edomit, mbretit të Moabit, mbretit të bijve të Amonit, mbretit të Tirit e mbretit të Sidonit me anë të lajmëtarëve, të cilët kanë ardhur te Sedecia, mbreti i Judës, në Jerusalem.
- 4 Urdhëroji t`u thonë zotërinjve të vet: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Kështu thuajuni zotërinjve tuaj:
- 5 Unë e krijova tokën, njeriun dhe kafshët që janë përmbi sipërfaqen e tokës, me fuqinë time të madhe e me krahun tim të shtrirë dhe ia dhurova atij që u pëlqeu syve të mi.
- 6 E tani për tani unë i lashë të gjitha këto vende në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim. Për më tepër në duar të tij i lashë edhe egërsirat e malit që t`i shërbejnë.
- 7 Të gjithë popujt do t`i shërbejnë atij e birit të tij dhe birit të birit të tij, derisa t`i vijë dita edhe atij e tokës së tij: atij do t`i shërbejnë popuj të shumtë e mbretër të mëdhenj.
- 8 Ai popull dhe ajo mbretëri që nuk do t`i nënshtrohet Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, secili që nuk do ta përkulë qafën e vet nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, unë do ta ndëshkoj atë popull;është fjala e Zotit;me shpatë, me uri e me murtajë derisa ta kem asgjësuar në duart e tij.
- 9 Ju pra, mos i dëgjoni profetët tuaj, shortarët, ëndërruesit, falltarët e magjistarët që ju thonë: `S`do të bini në skllavëri të mbretit të Babilonisë`,
- 10 sepse ju profetizojnë rrena, që t`ju largojnë nga vendi juaj, që unë t`ju dëboj e të sharroni.
- 11 Kurse popullin që do ta mbërthejë zverkun e vet në zgjedhën e mbretit të Babilonisë e do t`i shërbejë, do ta lë të rrijë i qetë në vendin e vet;është fjala e Zotit;do ta lëvrojë atë e do të banojë në të.
- 12 Edhe Sedecisë, mbretit të Judës, i kam folur po të njëjtat fjalë e i kam thënë: Përuleni qafën tuaj nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, shërbejini atij dhe popullit të tij e do t`ju shpëtojë jeta.
- 13 Përse të vdisni ti dhe populli yt nga shpata, uria e murtaja, siç ka thënë Zoti për popullin që s`do të dojë t`i shërbejë mbretit të Babilonisë?
- 14 Mos i dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: `S`do të bini nën skllavëri të mbretit të Babilonisë`, sepse ata ju flasin rrena.
- 15 Sepse ata unë nuk i kam dërguar;është fjala e Zotit;ata rrejshëm profetizojnë në emër tim, që unë t`ju përbuz e të sharroni, si ju, ashtu edhe profetët që ju profetizojnë.
- 16 Po edhe priftërinjve dhe këtij populli i kam folur kështu: Kështu thotë Zoti: Mos i dëgjoni fjalët e profetëve tuaj, që ju profetizojnë e thonë: `Ja, enët e Shtëpisë së Zotit tashti së shpejti do të kthehen këtu prej Babilonisë!` Ata ju profetizojnë rrena!
- 17 Pra, mos i dëgjoni, por shërbejini mbretit të Babilonit, që të jetoni. Përse të bëhet shkretëtirë ky qytet?
- 18 Në qoftë se janë profetë dhe po qe se fjala e Zotit është në ta, le të ndërmjetësojnë, pra, te Zoti i Ushtrive që të mos shkojnë në Babiloni enët që kanë mbetur në Shtëpinë e Zotit e në pallatin e mbretërve të Judës e në Jerusalem!
- 19 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive lidhur me shtyllat, me detin, me bazat e me enët e tjera, që mbetën në këtë qytet,
- 20 të cilat nuk i mori Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, kur e shpëguli Jehoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, nga Jerusalemi në Babiloni bashkë me të gjithë bujarët e Judës e të Jerusalemit.
- 21 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, në lidhje me enët, që janë lënë në Shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës e në Jerusalem:
- 22 `Do të çohen në Babiloni dhe atje do të qëndrojnë deri në ditën që unë të shkoj për to;është fjala e Zotit;e të bëj që të merren e të kthehen në këtë vend. `