Beselidhja e VjeterJeremia: Shembulli i rekabitëve
- 1 Fjala që prej anës së Zotit i qe drejtuar Jeremisë në ditët e Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës:
- 2 Shko ndër rekabitë, fol me ta, bjeri e futi në një dhomë të Shtëpisë së Zotit dhe jepu të pinë verë.
- 3 Atëherë mora Jazoninë, birin e Jeremisë, birit të Habsanisë, vëllezërit e tij, të gjithë bijtë e tij;mbarë barkun e rekabitëve.
- 4 I solla në Tempullin e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Jegdalisë, njeriut të Hyjit, që ishte përbri dhomës së princave, mbi dhomën e Maasisë, birit të Salumit, që ishte rojtari i derës.
- 5 Para bijve të barkut të rekabitëve u solla poçat plot me verë dhe kupat dhe u thashë: Pini verë!
- 6 Por ata m`u përgjigjën: Ne nuk do të pimë verë, sepse Jonadabi, biri i Rekabit, babai ynë, na urdhëroi e na tha: `Mos pini verë ju as bijtë tuaj, kurrën e kurrës!
- 7 Mos ndërtoni shtëpi, mos mbillni farë as mos mbëltoni vreshta as mos kini prona, por banoni në çadra të gjitha ditët e jetës suaj që të jetoni ditë të shumta përmbi dheun ku jetoni si endacakë`.
- 8 Kështu, pra, e dëgjuam urdhrin e Jonadabit, birit të Rekabit, babait tonë, në gjithçka na urdhëroi, kështu që nuk do të pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, as ne as gratë tona, as bijtë e bijat tona,
- 9 s`do të ndërtojmë shtëpi për të banuar, s`do të kemi as vreshta as ara të mbjella,
- 10 e do të banojmë nën tenda. Ne me bindje u përmbahemi gjithçkaje që na urdhëroi Jonadabi, babai ynë.
- 11 Por, kur Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, nisi luftën kundër këtij vendi, ne thamë: `Ejani të hyjmë në Jerusalem e t`i shpëtojmë ushtrisë së kaldenjve e ushtrisë siriane. Dhe qëndruam në Jerusalem.
- 12 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha:
- 13 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shko e thuaju njerëzve të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: Vallë, a nuk do ta pranoni mësimin tim e nuk do t`i dëgjoni fjalët e mia?;është fjala e Zotit -.
- 14 Më të forta qenë fjalët e Jonadabit, të birit të Rekabit, që u urdhëroi bijve të vet që të mos pinë verë, e nuk pinë deri në ditën e sotme, sepse e dëgjuan urdhrin e babait të vet! Kurse unë ju kam urdhëruar juve me kujdesin më të madh e vazhdimisht, por nuk më dëgjuat.
- 15 Unë ju dërgova me kujdes e vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët për t`ju thënë: Le të kthehet secili nga udha e vet e mbrapshtë dhe përmirësojeni veprimtarinë tuaj, mos i ndiqni hyjnitë e huaja e mos i adhuroni ato e atëherë do të banoni në tokën që jua dhurova juve e etërve tuaj; por ju nuk më vutë vesh as nuk më dëgjuat.
- 16 Shiko, pra, bijtë e Jonadabit, të birit të Rekabit, e dëgjuan urdhrin e babait të vet që ua kishte dhënë; kurse populli im nuk më dëgjoi mua.
- 17 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po i sjell mbi Judën, mbi të gjithë banorët e Jerusalemit të gjitha ato të vështira me të cilat u jam kërcënuar, sepse unë u kam folur e ata nuk më dëgjuan, i thirra e ata nuk m`u përgjigjën.
- 18 Atëherë Jeremia i tha barkut të Rekabit: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Pasi e dëgjuat urdhrin e Jonadabit, babait tuaj, dhe i dëgjuat të gjitha urdhërimet e tij dhe zbatuat gjithçka ju kishte urdhëruar,
- 19 prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Kurrën e kurrës Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t`i mungojë pasardhësi që do të qëndrojë para fytyrës sime çdo ditë!