Beselidhja e VjeterJeremia: Vëllimi i 605 604
- 1 Në të katërtin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, prej Zotit i qe drejtuar Jeremisë kjo fjalë:
- 2 Merre një vëllim dhe shkruaj në të të gjitha fjalët, që t`i kam thënë kundër Izraelit, Judës dhe kundër të gjithë popujve qyshkur nisa të të flas, që prejditëve të Jozisë deri në ditën e sotme.
- 3 Ndoshta ata të shtëpisë së Judës, duke dëgjuar për të gjitha të këqijat që kam në mend t`ua bëj, do ta lënë secili rrugën e vet të mbrapshtë dhe unë atëherë do t`ua fal fajësinë dhe mëkatin e tyre.
- 4 Atëherë Jeremia e thirri Barukun, birin e Nerisë, dhe Baruku i shkroi, gjithçka që i thoshte Jeremia, në një rrotull të gjitha fjalët e Zotit, që ia kishte thënë.
- 5 Atëherë Jeremia e urdhëroi Barukun e i tha: Unë nuk kam leje të shkoj dhe nuk guxoj të shkoj në Shtëpinë e Zotit.
- 6 Hyr, pra, ti dhe në ditë agjërimi lexoje rrotullën në të cilën i ke shkruar fjalët e Zotit si të kam treguar unë që të dëgjojë populli në Shtëpinë e Zotit. Lexoju edhe të gjithë judenjve që vijnë prej qyteteve të tyre që edhe ata t`i dëgjojnë.
- 7 Ndoshta bie lutja e tyre para Zotit dhe secili kthehet nga rruga e vet e mbrapshtë; sepse i madh është zemërimi dhe hidhërimi që Zoti mendon ta zbrazë kundër këtij populli.
- 8 Baruku, biri i Nerisë, bëri gjithçka i kishte urdhëruar profeti Jeremi, i lexoi në Shtëpinë e Zotit fjalët e Zotit nga rrotulla.
- 9 Të pestin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, të nëntin muaj, u caktua një agjërim në praninë e Zotit për mbarë popullin e Jerusalemit dhe për gjithë shumicën që ngarendte nga qytetet e Judës në Jerusalem.
- 10 Baruku ia lexoi mbarë popullit fjalët e Jeremisë nga rrotulla në Shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gamarisë, birit të Safanit, shkruesit, në parahyrjen e lartë, në hyrjen e Derës së Re të Shtëpisë së Zotit.
- 11 Kur Mikeja, biri i Gamarisë së Safanit, i dëgjoi fjalët e Zotit nga libri,
- 12 zbriti në pallatin e mbretit, në dhomën e shkruesit. Aty ndodheshin të gjithë prijësit: Elisama, shkruesi, Dalaja, biri i Semajës, Elnatani, biri i Ahoborit, Gamaria, biri i Safanit, Sedecia, biri i Hananisë dhe të gjithë bujarët.
- 13 Mikeja ua tregoi të gjitha fjalët që i dëgjoi kur Baruku ia lexoi nga rrotulla popullit.
- 14 Atëherë të gjithë prijësit dërguan te Baruku Judin, birin e Natanisë, e Selamin, birin e Kusit, me këto fjalë: Merre me vete rrotullën prej së cilës i ke lexuar popullit dhe eja! Kështu, pra, Baruku, biri i Nerisë, e mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.
- 15 Ata i thanë: Ulu e na i lexo këto gjëra! Baruku ua lexoi.
- 16 Kur, pra, i dëgjuan të gjitha fjalët, mbetën shtang nga habia dhe i thanë Barukut: Na duhet t`ia lajmërojmë mbretit të gjitha këto fjalë.
- 17 E pyetën Barukun me këto fjalë: Na trego si i ke shkruar të gjitha këto fjalë nën diktatin e tij.
- 18 E Baruku iu përgjigj: Ai m`i thoshte me gojë të gjitha këto fjalë, kurse unë i shkruaja në rrotullën me ngjyrë të zezë.
- 19 Atëherë princat i thanë Barukut: Shko e fshihu ti dhe Jeremia dhe askush të mos e dijë se ku jeni!
- 20 Pasi e vendosën rrotullën në shkrojtoren e Elisamës, shkruesit, hynë në tremen e pallatit të mbretit. Ia treguan mbretit të gjitha.
- 21 Mbreti e dërgoi Judin të shkojë e ta sjellë rrotullën. Ky e mori nga dhoma e shkruesit Elisamë, ia lexoi mbretit dhe të gjithë bujarëve që ishin rreth mbretit.
- 22 Mbreti po ndodhej në banesën dimërore;ishte muaji i nëntë;përpara tij ishte një tangar plot me prush.
- 23 Kur Judi i lexonte tri ose katër shtylla, mbreti i priste me një brisk shkruesi dhe i hidhte në zjarrin, që ishte në prushore, derisa mbarë rrotulla mori fund në zjarrin e prushores.
- 24 As s`i kapi frika as s`i shqyen petkat as mbreti as të gjithë shërbëtorët e tij megjithëse i dëgjuan të gjitha ato fjalë.
- 25 Vërtet, Elnatani, Delaja e Gamaria iu lutën ngrohtësisht mbretit që të mos e digjte librin, por ai nuk i dëgjoi.
- 26 Atëherë mbreti e urdhëroi djalin e mbretit Jeremielit, Sarajës, birit të Azrielit edhe Selemisë, birit të Abdeelit ta kapin shkruesin Baruk e profetin Jeremi; por ata i kishte fshehur Zoti.
- 27 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Jeremisë, pasi mbreti e dogji rrotullën me fjalët, të cilat prej gojës së Jeremisë i kishte shkruar Baruku. Zoti i tha:
- 28 Përsëri merre një rrotull tjetër dhe shkruaj në të të gjitha fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë, të cilën e dogji Joakimi, mbreti i Judës.
- 29 E për Joakimin, mbretin e Judës, thuaj: Kështu thotë Zoti: Ti e dogje atë rrotull duke thënë: `Pse shkrove në të e shpalle: Me siguri do të vijë mbreti i Babilonit, do ta shkretojë këtë vend dhe do të zhdukë prej faqes së tij njerëz e kafshë?`
- 30 Prandaj kështu thotë Zoti kundër Joakimit, mbretit të Judës: Trashëgimtar i tij nuk do të rrijë mbi fronin e Davidit; kufoma e tij do të flaket ditën në vapë e natën në të ftohtë.
- 31 Do ta ndëshkoj atë, farën e tij dhe shërbëtorët e tij për shkak të fajësisë së tyre. Do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jerusalemit dhe mbi judenjtë të gjitha të vështirat me të cilat u jam kërcënuar e nuk më dëgjuan.
- 32 Jeremia mori një rrotull tjetër, ia dha Barukut, birit të Nerisë, shkruesit. Ky i shkroi në të, nën diktatin e Jeremisë, të gjitha fjalët e librit, që e dogji në zjarr Joakimi, mbreti i Judës. Për më tepër qenë shtuar edhe shumë fjalë të tjera të ngjashme me ato.